k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI
Kisha me një vetëdije të qartë të interesave të saj, ka bërë një tërheqje strategjike, me rezultat që shkenca ka humbur disi nga agresiviteti i vet. Sistemi aktual i mësimdhënies në shkolla lejon absurditete të këtij lloji: Në orën 10 të mëngjesit nxënësit ndjekin lëndën e katekizmës ku krijimi i botës iu paraqitet sipas mësimeve të "Biblës", ndërsa orën tjetër ndjekin lëndën e shkencave natyrore ku mësojnë teorinë e evolucionit. Por këto dy doktrina janë në kundërshti të plotë me njëra-tjetrën. Kur isha fëmijë e kam vuajtur dhe vetë këtë përplasje sa i kam rënë murit me kokë. Shpesh iu ankohesha mësuesve të tjerë për ç'më ishte mësuar një orë më parë - dhe më kujtohet se i zinte dëshpërimi. Feja kristiane përpiqet të dalë nga situata duke thënë se "shkrimi i shenjtë" ka vetëm vlerë simbolike. Por nëse dikush do ta kishte thënë këtë para katërqind vitesh do ta kishte përfunduar karrierën në turrën e druve, i shoqëruar nga ndonjë batare me "Hosana!" Duke i hyrë dhe feja valles së tolerancës, ka rifituar nga terreni i humbur gjatë shekujve të kaluar.

Feja është në konflikt të përhershëm me frymën e kërkimit të lirë.

Njeriu që jeton i lidhur me natyrën e sheh domosdoshmërisht veten në kundërshtim me Kishat. Dhe prandaj dhe këto janë nisur drejt rrënimit - pasi shkencës i është taksur fitorja.

Kristianizmi, natyrisht, ka kapur majat e absurditetit dhe prandaj një ditë ngrehina e tij do të bjerë. Shkenca e ka mbarsur tashmë njerëzimin. Për pasojë, sa më shumë kristianizmi i qepet pas dogmave të veta, aq më shpejt do të rrënohet.

Dogma e kristianizmit zhduket nga përparimet shkencore. Fesë i duhet të bëjë gjithnjë e më tepër lëshime. Gradualisht mitet rrëzohen. E vetmja gjë që mbetet është të provohet se në natyrë nuk ka kufi ndarës midis organikes dhe joorganikes. Kur kuptimi ynë i gjithësisë të jetë bërë dije e përgjithshme, kur pjesa më e madhe e njerëzimit të dijë se yjet nuk janë burime drite, por botë të largëta e mbase botë të banuara si e jona, atëherë doktrina kristiane do të dënohet për absurditetin që e karakterizon.

Nën barrën e një të kaluare besëtytë, njerëzit kanë frikë nga gjërat që nuk mund, apo që ende nuk mund, të shpjegohen - pra, nga e panjohura. Nëse dikush ka nevoja të natyrës metafizike, unë s'mund ta kënaq me programin e Partisë. Do të kalojë njëfarë kohe deri në çastin kur shkenca do t'u japë përgjigje të gjitha pyetjeve. Kështu që nuk ka dobi t'i përvishemi tani luftës kundër Kishave. Më e mira është ta lëmë kristianizmin të vdesë vdekjen e vet natyrale. Vdekja e ngadaltë ka diçka të qetësuese në vetvete.

Në të ardhmen çdo punëtor do të marrë pushimet e tij - disa ditë në vit, të cilat mund t'i rregullojë si të dojë. Dhe gjithkush do të ketë mundësinë të bëjë pushime në kruazierë një ose dy herë në jetën e tij. Është kotësi të frigohesh se njerëzia do të humbasë modestinë e të jetuarit. Madje duhet ta humbasin, sepse kjo lloj modestie është armiku i çdo përparimi. Në këtë çështje i shohim gjërat siç i sheh një amerikan dhe jo siç i sheh një spanjoll, se ky i fundit do të kënaqej me pak ullinj në ditë në vend që të punonte për më shumë. Kisha ka mundur të përfitojë nga ky perceptim i pakët i jetës. Ajo përpall se të vobektit në shpirt - dhe të vobektit e tjerë - do të shkojnë në parajsë, ndërsa të pasurit do të paguajnë me vuajtje të përjetshme për të mirat që kanë në Tokë. Kisha e thotë këtë për shkak të marrëveshjes së heshtur mes priftërinjve dhe pasanikëve, të cilët me gëzim i japin para Kishës që të vazhdojë t'i nxisë të vobektit të bien barkas.

Pa kristianizmin nuk do të kishim pasur as islamizmin.

Në botën e lashtë marrëdhëniet mes njerëzve e zotave bazoheshin mbi një respekt instinktiv. Ishte një botë e ndriçuar nga ideja e tolerancës. Kristianizmi ishte besimi i parë në botë që i asgjësoi kundërshtarët në emër të dashurisë. Çelësi i tij është intoleranca.

Gënjeshtra e qëllimshme në çështjet e fesë u soll në botë nga kristianizmi. Bolshevizmi praktikon një gënjeshtër të së njëjtës natyrë, kur pohon se po iu sjell lirinë njerëzve, ndërsa në realitet përpiqet thjesht t'i skllavërojë.

Morali fetar shfaq njollat e para të autoritarizmit pikërisht sepse pretendon të jetë zbulesë e autoritetit hyjnor. Për ta kthyer këtë autoritarizëm në veprim dhe për t'ia imponuar njerëzimit, ka dalë kategoria priftërore e zbulestarëve dhe bashkë me ta dhe intoleranca më e egër e parë ndonjëherë.

Shkenca është tashmë në procesin e shkatërrimit të dogmës fetare. Dogma e krijimit hyjnor është njohur si absurditet.

Kur themi se "zoti nuk ekziston", duam të mohojmë me këtë shpallje zotin personal të teologjisë, zotin e adhuruar në mënyra të ndryshme nga besimtarët anembanë botës, atë zot të tipareve absurde që është fyerje ndaj arsyes njerëzore.

Zoti i teologëve është krijim i kokave të tyre boshe.

Në kohën e pushtimit të Egjiptit nga kalifi Omar, oficeri arab në detyrë për shkatërrimin e bibliotekës së Aleksandrisë përdori dy vula me të cilat shënonte librat. Njëra shkruante "Nuk pajtohet me "Kuranin" - heretik, duhet djegur", tjetra shkruante "Pajtohet me "Kuranin" - i tepërt, duhet djegur."

Mos hyni kishave nëse doni ajër të pastër.

"Blasfemi" është çka i hakërrehet dogma e vjetër një të vërtete të re.

Sa i përket fesë, është një mashtrim i neveritshëm... Feja është krejt gjepura.

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019