k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Si dilet nga ngërçet e stërkëmbëshave fetarë?


Është ndryshimi i kushteve shoqërore, jo i feve, që fanatizmi dhe fryma luftarake e tyre, nga ish rregull, duken përjashtim; nga më të rëndomta, tingëllojnë ekstremiste. Me apologjitë subjektive, anarkisë fetare, i mbivihet edhe një lëmsh opinionesh të sforcuara. Demokracia kthehet në strehë të githfarlloj çoroditjesh e çorientimesh, në vend që të bëhet arenë e thellimit të debatit parimor për konsolidimin e të vërtetës dhe të së drejtës. Kështu, opsioni dominues, që nuk e thotë troç të vërtetën e hidhur, riçorienton me lëndë të shtrembër, bën lapsusin më të madh, një harakiri. Kjo katrahurë shmanget, duke anuar nga mësimet konstruktive të historisë, duke i qëndruar besnik e konseguent ideve dhe apeleve të mendimit dhe kulturës botërore, Rilindjes europiane, duke bërë rehabilitimin parimor, konceptual, që mundëson edhe përcaktimin e rrugëve dhe mjeteve reale të zgjidhjes së ngërçeve.

Së pari, armiqësia historike, nuk mbyllet me dashuri ndaj frymës fanatike.

Dorëzim e kapitullim para feve, shpreh edhe amerikani James Stavridis, në shkrimin Fantazmat siriane (Koha ditore, Prishtinë, nëntor 2015), del për copëtimin politik të Sirisë sipas sekteve fetare. Stërkëmbshet prej feve, zgjidhen me mjete jashtë-fetare.

Me përkëdheljen e fesë krishtere, vetë Perëndimi nuk është bërë plotësisht faktor emancipues. Më tipik dhe më jetëgjatë se kalifi lindor, me pushtet politik e fetar të shkrirë në një, ai mban papën e shteit-xhuxh të Vatikanit. Kumti i nënkuptuar, me konotacon xhelozie e revanshi, që jep tërbimi islamik, është: “Ti Europë dhe Amerikë, që jeni kapardisur e po kapardiseni kaq shumë me besimet tuaja, e mbani dhe Vatikanin si rezidencë politike-hyjnore dhe e përkedhelni si djalin e vetëm, po u bëjmë karshillëk me të njëjtën monedhë, po u demonstrojmë se kështu, sipas shembullit tuaj, duam t`a trajtojmë edhe ne fenë tonë!”

Me të tillë liberalizëm pa kufi, kështu e dashuruar me frymën e vet të vjetëruar, opinioni publik, bashkë me botën politike, edhe më tej do të mbeten të zhgënjyer, po nuk u bindën se elozhet ndaj feve janë demagogji, apologji e devjim. Të gjithë shtetarët, duke dalë publikisht si ithtarë entuziastë të kësaj apo asaj feje, shpërdorojnë pozitën, shkelin në mënyrë flagrante parimin e lirisë së ndërgjegjes dhe trajtimitn fesë si “zgjedhje e çështje personale”, mbeten dhe të çaramatosur në përballimin e situatave. Ideja e Epikurit: “E ndershme është, jo të bashkohesh me paragjykimet e masës mbi perënditë, po të hedhësh dritë mbi to”, vallë, kujt i drejtohet? Po ideja e Fojerbahut: “Nuk vlern asnjë grosh, ajo liri politike, që e mban njeriun skllav të fesë”, a duhet dëgjuar? Me krehjet publike të bishtit, dalin kundërvajtje, i hyjnë në hak njerëzimit, vetë vipat politikë, nga Merkeli e Obama, deri tek ish tanët Berishë-Bashë, Nishani dhe Edi Rama. Është i njohur aforizmi “dallëndyshe, ktheje ndryshe”. Personalisht mund ta duan zotin sa qielli, po jo të kapardisen me të edhe institucionalisht. Demagogji e rekordit gines është thirrja e ngjirur “Zoti e do Shqipërinë, e bekoftë atë”, që u ka mbirë në gjuhë, se vetë politikanët ia hanë asaj shpirtin, pastaj lajnë duart po me mendjen e vet, “ky qenka vullneti hyjnor!” Se, e bekon kush apo jo, kjo, o varet prej tekave të një dikushi, o ajo diçka, mbetet një robot virtual, i telekomanduar!

Faturimi i xhihadizmit fesë së vet, nuk është shpallje “luftë kundër islamit”, por kundrim i realitetit pa syze, sjellje e pastër laike. Ndër mjetet e para të çarmatosjes së fanatazmit fetar dhe kryesore është transparenca. Një gjë po hezitohet të kuptohet, fakti se barut në arsenal dhe benzinë në zjarr, bëhen bash lajkat, përkedheljet, bonuset e favoret pro-fetare të politikave zyrtare, bashkë me apologjitë intelektualiste të “laikëve”, të cilat, edhe më shëmtuar i gufojnë e krekosin. E gjendur në këtë udhëkryq madhor, bota, ose të heq dorë nga trashëgimia negative e mbajtjes ne pekule, ose të durojë shqelmat “e shenjta”!

Koha punon për politikën, që ajo t`u imponohet feve, vetëm të jetë parimore. Thelbi i feve duhet treguar në mënyrë objektive e shkencore, në media e institucionalisht, pa servilizëm, demagogji e apologji. Ato gjithashtu nuk duhen marrë as si faktor publik, as ndonjë gjeopolitikë të mos ngrihet mbi baza fetare..

Së dyti, me të tilla rrënjë, si metastaza, që lëshon feja e statusin e privilegjuar, penalizimi i xhihadistëve, kërkon mekanizmin e arsyetimin e vet juridik, të pa ndikuar nga opinionet mbizotëruese për fenë. Kur gjyqtari, i thotë të akuzuarit, “je krimilel e armik i islamit”, jo vetëm s`qëllon në shenjë, se ai është i “mysliman i kulluar”, i rrënjëve, po dhe akuza i kthehet në bumerang. Ndaj, pikënisja e penalizimit të atyre veprimeve, duhet të jetë konceptimi si një fatkeqësi, shoqëruar edhe me keqadhje. Para se të vrasë të tjerë fizikisht, ai është vetë-“vrarë” shpirtërisht. Thurret lehtë akuza kur e shpall tjetrin kriminel; po ka disa veçori e vështirësi kur në bankën e të auzuarit ke një misionar, i cili duhet marrë siç ndjehet vetë. Pa përjashtuar trajtimin imdividual brenda një grupimi të tillësh. Atij i është tiposur, se po i përmbahet idealit më të lartë; ekstaza që ka krijuar me ndjenjë dashurie dhe përkushtimi për Hyun, e bën t`a japë jetën si dhuratë qiellore! Është plotësisht i sinqertë me veveten dhe me fenë, ka ndërgjegjshëm atë lidhje që pohon. Paçka se fanatizmi është irracional dhe vepron verbërisht, ai duhet marrë, siç paraqitet, i bëhet një lloj “gjykimi i shkurtuar”. Për të ndërtuar akuzën, duhet të hysh në brendësi të motivimit dhe shpjegimit të veprimtarisë nga vetë i akuzuari. Kur ai të thotë tërë bindje e krenari, se “jam mysliman e xhihadist”, s` ke interes t`a gjykosh duke ia ndryshuar e thjeshtëzuar thelbin e vet motivues; përndryshe futej në një qorrsokak. Ordineri vret për grabitje, hakmarrje e akte të tjera penale, xhihadisti e ka vrasjen aktin më të lartë, provë të besnikërisë ndaj Hyut. Nëse me çrregullime të personalitetit, je objekt i psikiatrisë, të çoroditurit prej ekstazës fetare, të paktën, i duhet qarë halli në fatkeqësinë e tij me impakte çnjerëzore. Është evidente një gjendje patologjike, e cila kërkon mekanizmin e vet juridik, disi të veçantë. Ai ka formim të shtrembër, por vepron me ndërgjegje të plotë. Pra, sidoqoftë, duhet hequr një dallim, duhet gjendur ajo specifikë që dallon një kriminel ordiner, nga ato motivime të shtrembër-ndërgjegjësuara, që i çojnë këta të dytët drejt rekrutimit për marrjen e jetës njerëzve të pafajshëm. Gjykimi i fajit në terrenin dhe brenda motiveve, është konstruktiv, sesa zhvendosja e tij në situata të ndryshuara. Ke të bësh edhe me nje faj të ndarë më dysh, se po atë që rekruohet, ku e çon mushka? Këto i themi, jo për justifikim a rrethana lehtësuese, por për parjen e realitetit në sy dhe për gjykimin real të dukurisë, pa u druajtur se ke të bësh me fenë.

Së treti, “kush ka shkencën, nuk ka nevojë për fenë”. Me këtë gjykim racional, Gëte e ka bërë, prej kohësh, ndarjen e shapit nga sheqeri. Që prej tre shekujsh, lur u shpalos teza “dija është forcë”, sot, faktikisht, ajo është bërë faktor përcaktues. Ajo e para përballoi terror tipik, inkuizicionin, mbytjen që në pelena, djegiet në turrën e druve. Mirëpo, nuk e pohon më kush pathemelësinë e krejt dogmave dhe manovrimet nëpër shekuj, gati kameleonike të bashkësive fetare, që s`lahen me kërkesën e një faljeje. Ku është groposur tërë ai mendim shkencor dhe stigmatizim artistik e në folklor, ndaj klerikalizmit e dogmave fetare? “Edhe me shkencën, edhe me fenë”, bota i ngjan njeriut me dy kunguj nën sqetull. Megjithë këto, çështjen nuk e sjellim tek ballafqimi i shkencës me fenë, ku kjo s`ban asnjë kritikë, por te vendosja e saj në kushtet politike-juridike që i takon. Parimore, e rëndësishme është që opinioni shoqëror të mos ndajë fenë nga bëmat në emër të saj, gjithashtu të përcaktojë dhe kushtet me tendencën reale të venitjes së motivimit fetar të këtij konfrontimi, dhe, marrjen e kthesës drejt frymës laike, afetare. Këtë hap e kthesë, duhet ta promovojë seriozisht Perëndimi. Nëse synon që njerërimi të mos përpëlitet në turbullirat e kësaj dukurie atavike. Trajtimi i fesë vërtet si “çështje personale” dhe respektimi i laicizmit, janë kërkesa sin equanon, që e vendosin atë në vendin që i takon. Jo pastrimi nga atributet e negativizmat, po përmendja e brumit real e të atributeve, i detyron ato t`i vënë gjishtin kokës. Edhe prognoza e sociologut S. Hundinkton për përplasjen e qytetërimeve (Clash of civilizations), mëton për një zjarr botëror; një hipotezë kjo mjaft e diskutueshme dhe e diskutuar, po, gjithsesi, është një zë që s`ka dalë nga asgjë. Kuptohet, formula “përplasje qytetërimesh” (që ai nënkupton ballafaqim ndër-fetare), shkencërisht, mbetet maja e aizbergut, është shkumë e shkaqeve dhe faktorëve më të thellë ekonomikë e politikë. Madje, vetë ky togfjalësh, është një eufemizëm, po ashtu apologjetik, sepse ato që kanë ndodhur, në thelb, janë “përplasje fanatizmash”, surogatë të qytetërimeve të mirëfillta. Kemi para sysh edhe librin “Përplasje qytetërimesh?”, e autorëve Fatos Tarifa dhe Iliaz Labi (Tianë, 2013), me përmbajtje tepër konstruktive, informuese e njohëse për radikalizmin islamik, parë në kontekstin historik dhe teorik, ku fenë nuk e ndajnë nga bëmat e saj. Por në pjesën Përfundime, autorët sepse konkludojnë se: “Fondamentalizmi dhe terrorizmi nuk kanë fe” (f. 87); “Terrorizmi, nuk ka as origjinë, as frymëzim, as përmbajtje fetare, Fryma dhe metodat terroriste janë në kundërshtim me frymën paqësore të çdo feje, përfshirë edhe fenë myslimane” (f. 88). Lëkundje e dualizëm i kulluar, është edhe pohimi i shumëkujt, sikur feja dhe shkenca qënkan në të drejtën e tyre, se tezën e vet “ka zot”, “s`ka zot”, asnjera nuk e vërteton dot. Po, le të dalë teologjia në shesh të burrave për të vërtetuar dogmen , që e pohon, se shkenca nuk merret me gjykimet mohuese. Me argumentimin e pakrijueshmërisë së lëndës dhe të krejt ligjësisë natyrore, ajo, vetvetiu, i nxjerr jashtë loje mitet e perrallat arkaike, dogmat, magjitë e mrekullitë

Së katërti, trajtimi i fesë si “lule mos më prek”- një auto-gol i politikave zyrtare. Hall është që Sociologjia moderne nuk po e jep vizionin shkencor. Deri disiplinë universitare, ajo nuk i qëndron besnik e konsekuent, frymës shkencore, nuk është kritike ndaj antipodit të natyrshëm të saj, nuk i çel as politikës horizontet e duhura. Kjo venitje e Sociologjisë perëndimore, që nuk po ngrihet në nivelin e dinjitetit shkencor, është një tjetër lëshim parimor ndaj obskurantizmit fetar. Po hall edhe më i madh është erotizmi profetar i shtetarëve, një devijim dhe deformim i vijës së duhur parimore. Shfaqen remineshenca te theksuara të asaj teokracie që institucionalizoi perandori Kostandin, në rendin skllavopronar, gurmë të atij hapi fatal, të cilat e kanë bërë formal parimin kushtetues të laicitetit, sa sanksione të tjera e mesazhe iluministe të Rilindjes Europiane. Ato sanksione e mesazhe, u zbehën gjatë historisë së kohës së re.Tregues i rrjedhës së historisë me zig-zage, është edhe kjo rishfaqje e xhihadit, siç është, të themi, rikthimi i burbonëve në Francë; Zogu në Shqipëri, siç janë dhe përpjekjet e Erdoganit për revizionim të Ataturkut, me rigjallërimin e islamit e otomanizmit, bashkë me përpjekjen e tij të ngritjes edhe në Tiranën tonë të xhamisë me katër minare, që do të thote groposje milionash, vetëm për të siguruar të premtuarën lumturi njerëzore në “botën qiellore” etj! Që simbioza me Politikën, është faktor e burim që i shërben edhe jetëgjatësisë së feve, këtë s`ka burrë dheu ta kundërshtojë. Sa të jetë nën hijen e kësaj simbioze, armata klerikale do t`a mbajë festen mbi sy, mbahen si zëdhënës të një zoti të madhërishëm, krijues, i gjithëpushtshëm dhe mëshirues i madh. Mbahen, po ca më shumë i mbajnë për të tillë. Shtetet po i trajtojnë si partnere, bashkësitë fetare nuk hezitojnë edhe t`i gllabërojnë. Ligjë-bërësit nuk janë të bindur se padijen, verbërinë, fanatizmin, urrejtjen dhe intolerncën, fetë e kanë të dokumentuar dhe se lëshimet “senimntale”, janë favorizim i fataliteteve e veprimeve tragjike.

Së pesti, jashtë stadarteve demokratike, del edhe gëricja me ateizmin, shpallja e tij si sakrilegj. Në arsenalin e fushates profetare, përmbahet edhe kumti i një “rënieje në boshllëk shpirtëror të shqiptarëve me atë ateizëm e degjenerim të komunizmit”, quajtja e saj një gjëmë, përcjellja e padurimit të përjashtimit të çënimit, e jo më të mohimit total të fesë. Shoqërimi i përgjërimit profetar edhe me mllefin ndaj ateizmit dhe rendit socialist, i cili di të përqafojë iluminizmin pa rezerva, është një tjetër rënie e murit me kokë. Kësaj i shtojnë dhe shpalljen e ateizmit produkt dhe atribut të marksizmit, gëricje të tilla, që përveç se janë mohim dhe shkelje e parimit demokratik të lirisë së ndërgjegjes e të mendimit, përfaqësojnë edhe një insinuatë të shpifur e dështake. Sikur nuk e dinë se ateizmin nuk e shpiku filozofia marksiste, ajo veçse vlerësoi, thithi dhe trashëgoi këtë traditë prej medimit e kulturës botërore. Në se doktrinës komuniste do t`i qëmtoheshin sado pak vlera, në to hyn dhe ateizmi. Ai nuk është produkt klasor proletar, por deduksion dhe kurorë e krejt njohurive shkencore; kulturë iluministe e program i rendit që mëtoj ta bënte fakt edhe atë emancipim shpirtëror, i cili i takon demokracisë borgjeze. Kombi ynë, pse nxorri mësime të vyera prej pësimeve të rënda fetare, shpalli solemnisht idenë lapidar “feja e shqiptarit është shqiptaria”, farkëtoi virtytin dhe kulturën e tolerancës ndërfetare, sado të brishtë, e bëri atë vlerë dhe tregues të konstitucionit të vet psikik-mendor, është më afër portave të ateizmit, ndaj gëzon sot një jetë të patrazuar rëndë prej feve. Ana tjetër, dalja edhe e disa prej bijve tanë, për të lënë kockat përreth Urës së Qabesë, flet për forcën e dogmave fetare në trullosjen dhe tjetërsimin total. Me gjithë këto, nuk e kemi fjalën për futjen e feve në dhe të gjallë, por për lënien në kushtet e shuarjes së natyrshme.

Së gjashti, qetësimi i jetës shoqërore, kërkon status shkencor ndaj bashkësive fetare. Bota po vepron, por asaj i duhet të reflektojë edhe rreth statusit afrues e vlerësues, që ka adoptuar nëpër kushtetuta. Demokracisë moderne, do t`i shkonte për shtat, formula:

“Shteti është laik, me politikë, shkollë e arsimim të ndarë nga feja; pa parti politike me orientim fetar. Shteti garanton Lirinë e Ndërgjegjes dhe Mendimit. Askush nuk detyrohet të besojë, apo të mos besojë; respektohet dialogu e debati, brenda normave të logjikës, kulturës dhe etikës.Toleranca midis të dallueshmeve e të ndryshmeve, përbën parimin bazë të jetës shoqërore dhe mbrohet me ligj. Çdo lloj “të besuari”, ndërrimi i kultit apo braktisja e çdo lloj feje, janë çështje vetiake, lojë e lirë e ndërgjegjes së secilit dhe zgjedhje personale.Kulti fetar ushtrohet lirshëm, brenda faltores, me kusht që ai të mos cënojë parimin e tolerancës, sigurinë, rendin publik, shëndetin dhe të drejtat e jetës komunitare. Faltoret janë jobuxhetore, pa komitet shtetëror kultesh; organizohen e veprojnë sipas Ligjit të OJF-ve”.

Këto klauzola për “shenjtërinë” e saj, janë të domosdoshme e premisë për një periudhë të marrjes së kthesës e staxhionimit të traditës së duhur. Sikur ta adoptonte Shqipëria këtë formulë, do të jepte një mesazh thellësisht demokratik, iluminist dhe emancipues. Po t`a implementonte edhe Europa; që të bëhej model edhe për botën islame. Po kujt t`i thuash e kush të dëgjon? Me dyzimin aktual – shkencën në mendje dhe fenë në zemër – njerëzimi kështu do të përpëlitet.

Dhe, që të mos e lëmë këtë meditim pa epilog, shtojmë se, ndërsa tokën dhe qiellin, shkenca i ka pjesë të gjithësisë së vetme, pa dallime, klerikët janë të interesuar t`i mbajnë të ndara, cilësisht të dallueshme, se u duhet një strehë e arratisjes së Hyut në drejtim të paditur, t`u mundësohet dhe “profesioni” baritor i mbajtjes së grigjës në vath e të lidhur me iluzionet e veta. E mbrojnë me fanatizëm perden e madhështisë së pretenduar. Do të ngjante si ëndërr me sy hapur, sikur ndonjë kapo të deklaronte: “Njerëz, mjaft me predikimet tona, ato sot tingëllojnë si përrallat me zot e mbret, bazohuni në mendjen e bindjen shkencore dhe shikoni punën tuaj!” Me këto fjalë, Qielli do të dukej më i kthjellët, jeta në Tokë do të ndërtohej në mënyrë racionale, besimtarët, prej inatit, shpejt do ta kapërxenin “boshllëkun shpirtëror”, do të ndjeheshin zot të vetes, të lirë e më dinjitozë.

Krejt ndryshe nga insistimi klerikal e i politikave zyrtare, shkenca dhe vetë jeta, me pragmatimin e saj, po e bëjnë se e bëjnë të vetën. Feve u duhen përmendur tentakulet organike dhe atributet autentike, xhihadistëve u duhet vënë festja sipas kokës, nxjerrja e përgjegjësisë të bëhet e saktë; këto janë fakte reale e qëndrime, që si rregull, i shërbejnë shuarjes së zjarreve. Po polemika ngelet e hapur, e shtrirë edhe në aspektin politik, për statusin e duhur juridik..

"Tema", 201616 janar 2016


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019