k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Shteti nuk ka punë me predikimin fetar


Orë mësimi fetar! Normal që do ngjallë debate. E para, a duhet apo jo? E këtu ekspertët e çështjes duhet të thonë të tyren sepse e tha kryeministri nuk e tha perëndia që ai beson!

Po debati kryesor është se kush e vë vulën për këtë rast e të tjera si këto se u bënë ca si shumë këto “eurekat” e kryeministrave tanë - nga prona tek qëndrimi ndaj historisë, koncesionet, orientimi ekonomik, politika e jashtme, arkitektura urbane, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, armët kimike, riciklimi i plehrave, ullishtet, privatizimet, refugjatët, varrezat greke, falja e detit, ligji zgjedhor, martesat gay etj. Dhe tani feja! Pandehin se janë profetë dhe ne tufa pas!

Kriza jonë mbetet autokracia. Kryeministrat vetë vendosin, vetë vulosin, sepse të tjerët, nga këshilltarë, ministra, parlamenti, gjyqësori e deri opozita apo dhe vetë media janë rëndom formal e në mos të kapur, gjenden në një “varkë”.

Është e drejta e kryeministrit të mendojë çfarë do rreth fesë. Edhe të besojë se ka të drejtë dhe ndoshta, vërtetë ka. Por edhe e drejtë qoftë, imponimi nga lart është padrejtësi. E ka bërë vaki sepse pushteti ka mjete dhe influencë ndonëse kjo pastaj mban era abuzim dhe intimidim.

“Vaksinë” ndaj autokracisë

Pa hyrë në debatin e orës së fesë, lind pyetja nëse kjo gjë ishte apo jo pjesë e fushatës elektorale të PS? Në perëndim,programet apo manifestet elektorale zgjedhore janë “metri” “tabu” që publiku përdor në vlerësim e pasoja e devijimeve apo improvizimit autokratik varion nga zgjedhjet e parakohshme, dorëheqjet dhe dalja në opozitë. Nuk ndodh tek ne për shkak të emancipimit të ulët demokratik dhe kryeministrat jashtë kontrollit nuk rrezikojnë me iderat e “reja” apo shmangiet nga programi elektoral. Nuk kanë galje as për votën se ligjin zgjedhor e kanë sajuar vetë.

Përtej standardeve të larta të sjelljes së vetë pushtetarit, bota i vë fre autokracisë apo lajthitjeve të pushtetit edhe përmes parlamentit. Tjetër “filtër” që nuk funksionon tek ne se ai është produkt listash klienteliste dhe kodi i heshtjes së të kapurve dominon ato pak zëra dinjitoz.

Gjyqësori po ashtu nuk ofron garanci sikundër në perëndim për të frenuar autokracinë në pushtet dhe kthyer pas vendimmarrje që cënojnë interesin publik.

Ndaj që vendimmarrjet që prekin interesat afatgjatë publike të mos mbeten monopol kryeministror, “topi” duhet të shkojë të votuesi. Referendumi mbetet e fundmja pritë ndaj autokratizmit në vend. Demokraci direkte që nuk lë vend për koment dhe komod për një vend të vogël si ne.

Nuk ka monopol mbi të vërtetën

Debati për orën e fesë ia vlen, edhe kur dikush e ka bërë mendjen top. Publiku ka të drejtë të dëgjojë argumentet. Vetë promotorët e orës së fesë duhet të sqarojnë nëse bëhet fjalë për të trajtuar historikun e saj (pse jo në lëndët histori apo sociologji) apo predikuar atë (këtu debati bëhet me shkencën)! Debati kurrë nuk mbërrin tek e vërteta. Thjesht hedh ca dritë më shumë. Ajo mbetet misterioze dhe e pafund sikurse hapësira dhe koha. Shkenca ka limitet e kohës por e panjohura nuk është automatikisht vullnet hyjnor dhe nuk ka pse të serviret apo imponohet si e tillë. Po qe se kapen tek shkenca, vetë feja ka plot gjëra për sqarim. Nga materializmi i sotëm në kontrast me thjeshtësinë e profetëve të dikurshëm, fakti se ndërsa njihet një vullnet hyjnor, gëlojnë me dhjetëra besime ku secili pretendon autentikun(!) etj.

Në demokraci individi respekton tjetrin pavarësisht çfarë beson apo jo. Feja është pasuri personale dhe duhet të mbetet e tillë. Nëse mburremi për kohezionin social dhe tolerancën fetare, politika bën mirë të mos përzjehet e bëjë kot punët çorap.

Politikanët, në besojnë, të ikin në faltore çdo ditë, të mos llapin me raste festash, sepse para perëndisë që besojnë janë si gjithë të tjerët dhe mbi të gjitha të mos zhyten në mëkatet e listuara në librat fetarë - ndoshta besojnë se pastrohen kur hyjnë në faltore por mbeten pis para qytetarit korrekt.

Publiku ka të drejtë të dijë dhe të vendosë! Kryeministri mund të jetë fetar (ka takuar shumë dhe dalë foto me ta), por nuk janë të gjithë të tillë dhe harmonia sociale e ka bazën tek toleranca e vlerave ku besimi është vetëm një prej tyre.

Për një komb me origjinë paganizmin shumëzotësh pellazg, fetë tradicionalisht janë njësuar me pushtuesin ndaj dhe nuk kanë ngjitur shumë dhe nuk janë tipar i identitetit shqiptar. Konvertimi pragmatik që pasoi pushtimin turk, ateizmi masiv në monizëm etj. dëshmojnë pandjeshmëri ndaj besimit fetar. Jemi ata që jemi, se feja ka vendin që i takon.

E drejta e do që njeriu të besojë çfarë dëshiron por në privatësinë e tij dhe në respekt të tjetrit. Shteti nuk ka punë me predikimin fetar. Shkolla publike gjithashtu. Ne ngjizemi nga vlera të përbashkëta shekullore dhe ato nuk janë moria e besimeve fetare por respekti dhe mosparagjykimi reciprok.

Shoqëria duhet të mbrohet nga autokracia që e trajton si tufë. Argumenti i debatueshëm duhet të votohet prej saj (nga ora e fesë, Zogu, Enveri etj). Me politikën që del si shpesh nga “fiqiri”, referendumi rutinë mbetet “vaksina” më e mirë. Zvicra e ka. Ndaj është ajo që është.

"Sot", 201611 prill 2016


Komente

kalimtar/e
Eni 
15 prill 2016, 09:11
Shkurt, qarte, sakte.



Jep koment

Artan Duka
Prof. as. dr.
Publicist, pedagog
Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019