k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Toleranca nuk është një ide fetare


A ka terrorizmi fe? Terrorizmi nuk ka fe! Ky është reagimi mbisundues në rrjetet sociale pas çdo sulmi terrorist. A ka të bëjë terrorizmi me fenë? Kurrsesi, kurrsesi thonë disa. Përjashtojnë njëri-tjetrin si koncepte, mendojnë disa të tjerë. Ka disa të tjerë që mendojnë se, në thelb, terrorizmi dhe feja kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Pas idesë se terrorizmi dhe feja s’kanë të bëjnë aspak me njëri-tjetrin qëndron një imazh sentimental, i glorifikuar dhe aspak realist i fesë. Ata që mendojnë kështu, e përfytyrojnë fenë vetëm si paqe, butësi dhe mirësi. Mirëpo feja nuk nënkupton vetëm drita festash, lutje apo shtrëngime duarsh. Detyra e feve është të propagandojnë të Vërtetën. Atë të Vetmen, Absoluten dhe Gjithëpërfshirësen! Prandaj feja, është me përkufizim jo tolerante. S’ka si të mos jetë e tillë! I duhet të jetë e tillë. Gjithçka tjetër i kundërvihet logjikës së saj.

Bazamenti i fesë nuk ngrihet mbi hamendësime apo perspektiva pluraliste. Fetë, ato monoteiste, janë absolute. Kush pretendon se është në zotërim të së Vërtetës Absolute, nuk njeh kompromise apo gjysmë të vërteta. Dhe meqë Zoti nuk është vetëm e Vërteta, por edhe e Mira, Shpëtimi dhe Parajsa e Premtuar, atëherë kushdo që nuk beson në Zot, është përfaqësues i së Keqes diabolike.

Në kuptimin më të rreptë e serioz të fjalës, feja nuk mund të tolerojë një fe të dytë pranë vetes. Sepse nuk mund të ketë dy të vërteta. Gjithçka tjetër do ishte relativizëm. Prandaj duhet luftuar e punuar që të mbisundojë njëra e Vërtetë duke e eliminuar të Keqen. Ose duke e konvertuar atë. E në fakt, terrorizmi është shumë më pranë fesë se sa shumë funksionarë të saj. E kam fjalën për atë fenë arkaike, e cila me psalme e me sure shpatash, fokusohet ekskluzivisht te Zoti dhe jo te njeriu prej mishi e kockash.

Ajo çka sot Europa konsideron fe, është ajo feja pas Iluminizmit, një fe e “zbutur”, “e civilizuar” dhe “e racionalizuar” në shekuj, me shumë mund nga kritika shkencore, historike dhe psikologjike. Është një fe, e cila e njeh relativitetin e saj, një fe që e ka kuptuar (ose duhej ta kishte) që konceptet dhe ritualet e saj janë thjesht simbolika, me të cilat njerëzit krijojnë kuptime. Megjithatë kjo fe “e çaktivizuar” nuk ngjason aspak me atë fenë në kuptimin e saj zanafillor. Religjioziteti zanafillor është në thelb i papajtueshëm, konfliktual deri në palcë. Kurse religjioziteti liberal i dialogut që kultivon Europa post-iluministe e ka lënë pas fenë e konvertimeve me shpata dhe përhapjes së saj në të gjithë planetin.

Nuk e di nëse intoleranca fetare erdhi në jetë bashkë me fetë monoteiste. Fakt është që besimi në një Zot të vetëm ngre pretendimin e një të Vërtete Absolute dhe Radikale dhe ushqen idenë e Apokalipsit. Gati-gati një ftesë për shkatërrimin final.

A ka terrorizmi fe? Sigurisht që ka! Fakti që shumica mendon se terrorizmi nuk ka të bëjë aspak me fenë e vërtetë, është për t’u përshëndetur, sepse tregon në fakt se sa shumë jemi larguar nga feja zanafillore. Sidoqoftë, sulmet e shpeshta terroriste na kujtojnë vazhdimisht potencialin shkatërrues që mbart në thelb feja. Toleranca nuk është ide fetare. Në fakt, për të mbijetuar, asaj i është dashur të luftojë fort pikërisht kundër feve.

"Mapo", 201624 mars 2016


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019