k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Liria për të blasfemuar


Ka nja dy dekada që feja shfaqet përherë e më shpesh në hapësirën publike në formë konfliktuale. Herë si burim e herë si reagim. Në fillim të viteve ‘90 ishte lufta në Bosnjë, pastaj erdhi 11 shtatori 2001, pastaj sulmet në Madrid dhe Londër, pastaj konflikti publik që pasoi publikimi i karikaturave të Profetit Muhamed, pastaj konflikti për një video me përmbajtje blasfemike sërish ndaj Muhamedit që qarkulloi para disa muajsh në internet.

Javën që shkoi autoriteti fetar u shfaq pushtetshëm edhe në Shqipëri duke bllokuar vazhdimin e shfaqjes së një drame të politikanit dhe shkrimtarit Namik Dokle, e cila sipas një grupi besimtarësh ortodoksë e më pas Mitropolisë së Korçës, u cilësua si blasfemike dhe fyese e figurave të fesë ortodokse.

Nuk mund të mungonte me solidaritetin e saj edhe Myftinia, e cila të paktën qysh nga viti 1989 kur Ajatollah Komeini dënoi publikisht me vdekje shkrimtarin Salman Rushdie për librin e tij “Vargjet Satanike”, veprat e artit i shikon vetëm me syrin e harmonisë së tyre me mësimet e Profetit.

Në vitet ‘90 dizajnerit të njohur të modës në Gjermani, Karl Lagerfeld iu desh të kërkonte falje publike për të qetësuar turmat e fyera të fundamentalistëve islamikë, të cilët kishin pikasur vargje të Kuranit në fustanin e Claudia Schiffer-it.

Dikur, në shtetin ateist shqiptar, këtë rol e kishin marrë përsipër ta luanin censorët e diktaturës, të cilët në çdo vepër letrare a tekst muzikor, gjurmonin devijime apo blasfemi ndaj Zotit Enver Hoxha.

Autoritetet shtetërore shqiptare e pranuan në heshtje ndalimin e shfaqjes së dramës. Ky reagim të bën të mendosh dy gjëra. Ose shteti shqiptar e adhuron në atë masë besimin ortodoks sa nuk lejon t’i bjerë qimja në të, ose e konsideron fenë ortodokse si një kamikaz të veshur e të ngjeshur me bomba, të cilin s’duhet ta ngacmosh për të parandaluar të keqen më të madhe.

E tepërt t’i kujtojmë shtetit shqiptar se detyra e tij nuk është ta mbrojë Zotin nga kritikët e tij, por të mbrojë hapësirën publike nga tirania e një institucioni fetar, i cili merr përsipër rolin e censorit të artit. Mendova se do të kishte protesta apo peticione të artistëve shqiptarë për këtë çështje. Por, më pas u kujtova se, për momentin, artistëve tanë s’mund t’ua kërkojmë këtë, sepse i kanë duart e zëna me firmosje peticionesh të urdhëruara.

Artistët shqiptarë aktualisht më shumë i shqetëson “bllokimi” që opozita po na bën në rrugën tonë drejt BE sesa bllokimi real që një institucion fetar i bën veprës letrare të një kolegu të tyre.

Kam lexuar disa komente për këtë ngjarje, të cilat bashkohen në zhvlerësimin, pa e pas lexuar, të peshës estetike të dramës. Gjë që i bën të kalojnë lehtësisht në mbrojtje të reagimit të ortodoksëve. Në të gjitha rastet kur ka pasur një konflikt midis botimit të një vepre artistike me përmbajtje të pretenduar blasfemike (qofshin karikaturat e Profetit, qoftë filmi blasfemik mbi Muhamedin, qoftë fustani i Claudia Schiffer-it), askush s’është marrë me aspektin e tyre estetik por me reagimin aspak (est)etik të turmave fundamentaliste, të cilat me emrin e Zotit të tyre në gojë, vrasin artistë apo hedhin kulla në erë. Nuk ka kurrfarë rëndësie nëse drama e shkrimtarit Dokle është cilësore apo jo. Këtë mund ta thotë kritika e artit, por jo ndonjë analist klanesh.

Rasti Dokle ia vlen të diskutohet jo si ngjarje artistike, por si një kthesë e fortë në konceptimin e tolerancës dhe të lirisë së shprehjes. Deri dje mendonim se shumica respekton pakicën dhe i jep asaj mundësinë e artikulimit dhe angazhimit në hapësirën publike. Sot, pas bllokimit të një vepre arti në emër të blasfemisë, me tolerancë duhet kuptuar e drejta e një pakice për të thënë e për të bërë gjëra që i kundërvihen shpirtit të demokracisë. Sepse demokracia, mes të tjerash, jeton dhe merr frymë përmes lirisë së mendimit dhe fjalës, përmes lirisë për të besuar dhe për të mos besuar. Përmes lirisë edhe për të blasfemuar. Po! Edhe për të blasfemuar!

Çfarë na qenka ky imazh i brishtë e varfanjak i Zotit, i cili na u ndotkërka kaq shpejt e kaq kollaj nga disa personazhe jo besimtare dhe fiktive të një drame artistike? A nuk kemi parë të ketë ndodhur më shpesh e kundërta: që janë besimtarët dhe jo artistët ata që abuzojnë me emrin e Zotit për të kënaqur instinktet e tyre luftarake?

Për një person si unë që beson tek Zoti i lirisë së mendimit dhe të fjalës nuk ka blasfemi më të madhe se të ndalosh të drejtën për të blasfemuar. Është shumë e varfër dhe e rrezikshme ajo shoqëri që nuk të lejon të vësh në lojë dogmat (edhe fetare) dhe autoritetet. Është kohë e zymtë për një shoqëri, në të cilën nuk je i lirë të endësh art dhe histori nga çdo lloj stofe.

Ajo që duhet të na shqetësojë nuk është varfëria e pretenduar estetike e një vepre letrare, por paraliza dhe kapitullimi i shtetit tonë para presionit të fesë. Akti censurues i Mitropolisë dhe zbythja e shtetit shqiptar para tij, janë shenja të një revanshi të heshtur të një lloji të ri fashizmi, fashizmi fetar, i cili synon të fusë duart dhe të shkelë me këmbë në hapësirat më të ndjeshme të shpirtit krijues njerëzor.

Rasti Dokle na fton ta reflektojmë vlerën që ka për shoqërinë tonë liria e mendimit dhe e fjalës dhe ta ridimensionojmë atë si një e drejtë, e cila, brenda kufijve, mundet edhe të lëndojë ndjenjat dhe besimet e dikujt. Sigurisht që kjo mund të mos jetë e këndshme, por s’mund ta shmangësh.

Njerëzit kanë pikëpamje të ndryshme mbi botën dhe Zotin, dhe për aq kohë sa kemi vendosur të mos ia mbyllim gojën radikalisht e barbarisht atyre që mendojnë dhe flasin ndryshe, duhet të mësohemi të jetojmë me faktin se pikëpamjet dhe besimet tona mund të lëndohen herë pas here nga pikëpamjet dhe besimet e dikujt tjetër.

Pyetja që shtrohet nuk është pra, a mundemi përmes lirisë së mendimit të lëndojmë ndjenjat fetare të dikujt? Në botën e civilizuar, kjo pyetje e ka marrë përgjigjen prej kohësh: Po, mundemi! Shqetësimi kryesor aktualisht vjen nga reagimi i atij grupi njerëzish, të cilët ndjehen të lënduar në besimin e tyre fetar. Çështja është se ku do të shkojmë si shoqëri, nëse shfaqjen e një drame apo botimin e një libri e kushtëzojmë me konsensusin e autoriteteve fetare?

Liria e mendimit nuk nënkupton të thuash gjëra me të cilat të gjithë janë dakord, por edhe gjëra që prekin dhe shqetësojnë të tjerët. Fundja, tek liria e mendimit bën pjesë edhe e drejta për të blasfemuar. Është relativisht kollaj të ndalosh shfaqjen e një drame dhe të çdo lloj vepre arti. Aktualisht, mendoj se sfida kryesore është të bindësh fundamentalistët ortodoksë apo të çfarëdolloj feje tjetër se ata nuk janë kërthiza e botës dhe masa e gjërave.

"Mapo", 20132 shkurt 2013


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019