k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Të gjithë kanë zgjedhur të fshihen pas perdes së harmonisë fetare


Pedagogu, studiuesi i Shkencave të Komunikimit dhe ish-deputeti Gilman Bakalli, thotë se ka marrë kërcënime dhe sharje të shumta pas një shkrimi në "Mapo", ku artikulonte se me masakrën e Parisit, islami u dëshmua fe joeuropiane. Kushtetuta dhe jo Kurani është libri i Europës, shton ai, duke pranuar se ka marrë edhe mbështetje për shkrimin, por asnjë publikisht. Kjo sepse në Shqipëri, të gjithë kanë frikë se etiketohen si islamofobë. Sa i takon harmonisë fetare? Një klishe. Provo t’u kërkosh myslimanëve të bëjnë diçka për ndotjen akustike që sjellin ritet e tyre.


Ju keni botuar te Mapo e para pak ditëve një shkrim kundërthënës, thelbi i të cilit ishte pak a shumë ‘pas sulmit terrorist në Paris, islami u dëshmua si fe joeuropiane’. A do ta riartikulonit qëndrimin tuaj po të bënit një shkrim 2 mbi çështjen?

Për të gjithë ata që kanë dyshime se në artikullin, të cilit ju i referoheni, nuk kam shprehur atë që mendoj, po e përsëris: Ky Islam nuk mund t’i përkasë kësaj Europe, ku jetojmë sot, sepse ai nuk pranon të kritikohet, sepse herezinë e ndëshkon si krimin më të rëndë, sepse, në praktikë, nuk është i aftë të tolerojë “të ndryshmen”. Nuk mund t’i përkasë kësaj Europe sepse, në fund të fundit, vetë Islami nuk pranon të jetë thjesht një vokacion fetar, por të dominojë edhe sferat e tjera të shoqërisë si shkencën, artin, politikën, ekonominë, sfera këto qartësisht të ndara në shoqëritë moderne perëndimore. Këto sfera, apo sisteme, siç do t’i quante sociologu gjerman Luhmann, operojnë mbi bazën e kodeve specifike: shkenca me kodin e së vërtetës, arti me kodin e së bukurës, sistemi juridik me kodin e së drejtës, feja me të shenjtën e kështu me radhë. Pra civilizimi europian është i diferencuar në mënyrën e funksionimit të tij dhe, në këtë pikë dallon si nata me ditën me një sistem totalitar, si Mesjeta për shembull. Këtë qasje totalitare kërkon të imponojë edhe Islami kur pretendon që sistemet e sipërpërmendura të drejtohen dhe të gjykohen mbi gërmën apo frymën e librit të shenjtë, Kuranit.

E quajta kundërthënës (kontroversial) shkrimin tuaj në pyetjen më lart, edhe për atë se ju jeni mysliman ose të paktën nominalisht i tillë. Ç ’lidhje keni në fakt ju me fenë apo me fetë në përgjithësi dhe pse religjionet vazhdojnë të bartin kaq tendenciozitet kur diskutohen?

Jam lindur dhe rritur në një familje të çliruar totalisht nga pesha e besimit fetar mysliman. Me babain tim nuk kemi diskutuar asnjëherë të vetme për fenë, por për përkthimet që ai iu bënte disa teksteve të Blaise Pascal, Platonit, Thomas Carlyle etj, etj., apo të poezisë së romanticizmit anglez, si të Percy Bysshe Shelley, William Wordsworth, John Keats etj. Prej tij kam mësuar se mund të jesh Njeri edhe pa i përkitur asnjë besimi fetar, edhe pa shkuar në kishë e xhami. Pra, për fatin tim të mirë apo të keq, kam lexuar tekste të një iluministi francez para se të lexoja sure nga Kurani, kështu që në bibliotekën time sot kam edhe librin “Pse nuk jam i krishterë” të Bertrand Russell, ashtu edhe librin “Pse nuk jam mysliman” të Ibn Warraq. Brenda meje skepticizmi është ul këmbëkryq që në fëmijëri dhe është ky skepticizëm burim i pafundmë lirie që më mbush me ajër çdo ditë. Por liria do shpatulla të forta dhe s’mund ta përballojë çdokush. Për njerëz që s’e përballojnë dot lirinë, mbetet besimi i verbër dhe, këtu dalim tek pjesa e dytë e pyetjes tuaj që lidhet me fenë si burim reagimesh tendencioze.

Fakti që fetë provokojnë kaq shumë kur diskutohen në publik lidhet me vetë besimin si të tillë, i cili nuk pranon analizën racionale, nuk e pranon (auto)kritikën. Kush mësohet të besojë qysh në fëmijëri të hershme, e ka të vështirë ta mësojë skepticizmin më vonë. Përveç kësaj, librat e shenjtë lejojnë interpretime nga më të ndryshmet, tek to gjen edhe thirrjet për paqe edhe ngucjet për luftë. Bashkoje këtë me predispozicionin gjenetik të njeriut, pamundësinë/mosdëshirën e tij për arsimim dhe ja ku kemi potencialisht njeriun barut e tritol të gatshëm sa herë që diku, dikujt i duhet si mjet për pushtet politik apo hegjemoni kulturore. Një besimtar i paarsimuar, që nuk ka lexuar asnjë libër tjetër në jetën e tij përveç librit të shenjtë, është një rrezik konstant, një bombë me sahat për çdo shoqëri.

Ky tendenciozitet duhet të jetë shfaqur edhe pas shkrimit tuaj, kam përshtypjen. Cilat janë reagimet që keni marrë? Ose, a i ka ardhur Gilman Bakallit ndonjë fatwa ende?

Reagimet kanë qenë kryesisht negative, me sharje, shpifje të ndyra, paralajmërime dhe kërcënime, por jo me vdekje. Rrjetet sociale, fatkeqësisht, janë terreni ideal për hienat që duan mish njeriu. I mirëkuptoj të gjithë dhe nuk u vë aspak faj. Janë njerëz të papunë, me halle të përditshme mbijetese, të frustruar nga probleme të ndryshme familjare, nuk janë në gjendje të lexojnë siç duhet as edhe një artikull gazete, janë të parealizuar në jetë, njerëz që kanë dështuar në çdo aspekt dhe kanë gjetur të vetmen fije shpëtimi tek feja. Besimi dhe injoranca i bën të mbindjeshëm ndaj çdo ngacmimi. Mjerë kush tenton t’ua prekë të vetmen pjesë të identitetit që u jep pak siguri në atë varfërinë e tyre mizerabël!

Çfarë ju bezdis, çfarë ju shqetëson apo çfarë ju neverit te këto pusulla urrejtjeje që keni marrë?

Më shqetëson ideja se si një artikull i shkruar me gjuhë korrekte mund të ngjallë kaq shumë urrejtje?! Njëkohësisht mendoj me vete se në totalitarizmin fetar ashtu si në atë ideologjik (komunist, p.sh.) fjala, shkrimi, libri fitojnë një vlerë të jashtëzakonshme. Vetëm në sisteme të tilla, të shkruash kthehet në një çështje për jetë a vdekje. Kam parasysh Salman Rushdie; kam parasysh stilistin e famshëm Karl Lagerfeld, i cili u kërcënua me vdekje nga besimtarë myslimanë që ishin fyer nga një fustan të modeles gjermane Claudia Schiffer, në të cilin stilisti kishte qëndisur disa shkronja arabe; kam parasysh edhe karikaturat shpotitëse. Ti mund të shkruash çfarë të duash në Perëndim, por s’të rreh e s’të vret njeri!

M’anë tjetër, a keni patur mesazhe apo telefonata përgëzuese/mbështetëse?

Po, kam patur edhe telefonata përgëzuese dhe mesazhe mbështetëse. U jam të gjithëve shumë mirënjohës! Megjithëse mendoj se mbështetja më e mirë është mbështetja publike! Por në Shqipëri është shumë vështirë të përkrahësh publikisht një kritikë ndaj fesë islame, sado modeste dhe e moderuar të jetë ajo. Publiku shqiptar është tej mase i kompleksuar në këtë pikë. (“i kompleksuar” mund të lexohet edhe si eufemizëm për “i frikësuar”).

Çështja “Charlie Hebdo” është ngërthyer te debati për lirinë e shprehjes dhe akti terrorist. A nuk ju duket e padrejtë që të flitet për caqet e lirisë kur para syve kemi plojën (masakrën), pra të flitet për shkaqet që çuan në krim para vetë krimit?

Krejtësisht e padrejtë dhe cinike kjo që po ndodh pas rastit Charlie Hebdo dhe që ndodh, në fakt, pas çdo rasti të ngjashëm. Ende pa u pastruar mirë zyrat e redaksisë nga gjaku i viktimave, analistë të ndryshëm kujdesen të flasin me gjuhë të kujdesshme se mos lëndojnë besimtarët e Islamit. Atentatorët kanë thirrur “Allahu është i Madh” teksa shpraznin kallashnikovët mbi gazetarët – nga e marrin këta të rinj të drejtën për të vrarë në emër të Zotit? Si mund ta pranosh e ta justifikosh asimetrinë midis ngacmimit artistik dhe reagimit të dhunshëm e vdekjeprurës? Frika nga etiketimi si “islamofob” ka marrë përmasa të frikshme dhe nuk lejon asnjë debat. E gjitha kjo është rezultat i tabuizimit të Islamit. Kjo përbën edhe tragjikën e kësaj feje: akoma sot e kësaj dite Islami nuk po ia del ta reformojë veten. Është pikërisht ky tabuizim i Islamit, që i ka dhënë jetë një lëvizjeje anti-islamike në Gjermani si “Pegida” apo një Jean-Marie Le Pen në Francë. Mund të themi se përgjegjës për këto lëvizje apo politika ekstreme janë pikërisht kundërshtarët e kritikës ndaj Islamit.

Në 5 milionë kopje u shtyp dhe u shit “Charlie Hebdo”, një revistë që shiste më pak se 20 mijë kopje në javë. A u kthye në bumerang akti terrorist, ose, a u rrëzua synimi i fanatikëve që kryen vrasjet? Në vend që ta heshtnin, ia shumëfishuan jehonën?

Numri i lartë i kopjeve është një tregues simbolik i mbështetjes që njerëzit i japin linjës satirike të gazetës, një lloj thirrjeje masive indirekte për ta vazhduar traditën e thumbimit satirik të gjithkujt e çdo gjëje që mëton të jetë e paprekshme.

Në numrin e së mërkurës kopertina e “Charlie Hebdo” sërish stolisej me profetin Muhamed, i cili shpaloste sloganin ‘Unë jam Charlie’, por edhe faljen e tij. Si pedagog i komunikimit, në sa rrafshe shtrihet komunikimi i kësaj kopertine? Dhe, a ishte më e butë apo më e fortë se e prisnit?

Imagjinoni fillimisht nën çfarë presioni psikologjik u është dashur të punojnë kolegët e mbijetuar të “Charlie Hebdo”, për nxjerrjen e numrit të revistës së kësaj jave! Të kanë vrarë para syve dhjetë kolegë dhe ti duhet të ruash gjakftohtësinë për të menduar, vizatuar, gjetur ngjyrat e duhura! E paimagjinueshme! Sinjali i parë komunikativ i karikaturës në fjalë është rebelizëm: “jo, ne nuk përkulemi, nuk frikësohemi!”, pastaj është momenti politik: “nuk i fusim në një thes mbi 1 miliardë myslimanët me fashistët islamikë!”, pastaj mesazhi publicistik si autoironi: “po marrim në lojë ato që na qortojnë si të papërgjegjshëm dhe po citojmë vetveten (unë jam Charlie)”, pastaj mesazhi pajtues, por ambivalent: “të gjithë janë të falur”. Por kush? Jemi ne që kemi falur kriminelët apo është Zoti, që i ka falur, ngaqë ne nuk mundemi? Jemi ne, që kemi falur Islamin, apo ai që na ka falur ne? Pikërisht tek kjo ambivalencë qëndron edhe elementi artistik i satirës, e cila kulmon në rastin konkret tek njerëzorja, tek lotët! Vajtojmë! Lotët e të afërmve, miqve, kolegëve, lotët e miliona njerëzve. Lotët e profetit! Punonjësit e kësaj reviste janë heronj!

Ju keni postuar në facebook-un tuaj kopertinën e revistës gjermane ‘Cicero’, ku shfaqej portreti i Krishtit i stilizuar me të gjitha ‘sëmundjet’ e Oksidentit: pirjen e hashashit, homoseksualizmin etj. Statusi juaj lexonte: ka një javë kjo kopertinë dhe asnjë vrasje ende…Provokacion, apo keni dashur të bëni një dallim mes dy qytetërimeve ose më saktë mes tolerancës dhe mungesës së saj?

Ishte qartësisht synimi im për të bërë dallimin midis tolerancës së qytetërimit perëndimor dhe paaftësisë së botëkuptimit islam për të përballuar humorin dhe satirën. Ajo që nuk shënova në statusin tim ishte ky fragment i revistës “Cicero”: njëri nga lexuesit e revistës i drejtohej me një koment redaktorit duke i thënë se ndjehej i fyer si besimtar katolik nga karikatura e Jezusit me piercing, tatuazh dhe një joint në dorë. Përgjigja e redaktorit, në thelb, ishte se ne si redaksi e konsiderojmë krishtërimin dhe besimtarët e kësaj feje aq sovranë e tolerantë sa të arrijnë ta përballojnë edhe një karikaturë të tillë. Lexuesi besimtar e falenderonte redaktorin për përgjigjen, shkruante se i qëndronte kritikës dhe i uronte revistës bekimin e Zotit për vitin e ri 2015. Ja pra si menaxhohet diversiteti i pikëpamjeve në një botë me vokacion kristian. Pa kallashnikov dhe pa bomba.

Mynxyra e Parisit prodhoi edhe ngjyrat e saj postfakt. Si për shembull, Marshimi i Unitetit në Paris, ku sipas raportimeve u mblodhën mbi 3 milionë njerëz, por edhe të gjithë liderët e botës, përjashto presidentin amerikan. Nuk munguan as tonet shqiptare në formën e tre lapsave në thilenë e xhaketës së kryeministrit Rama dhe parada e klerikëve përfaqësues të katër feve në Shqipëri. Komenti juaj për këto.

Rama konfirmoi edhe një herë se është mjeshtër i komunikimit publik me anë të simboleve. Ndërsa për paradën e katër klerikëve si përfaqësues të katër feve, mendoj se ishte një manovër e dështuar për ta shitur në Perëndim një klishè retorike boshe dhe të stërkonsumuar në Shqipëri, atë të harmonisë fetare. Për aq kohë sa në Shqipëri thjesht dhe vetëm paraqitja e klerikëve përfaqësues të katër feve të serviret si prova e fundme e harmonisë dhe tolerancës fetare, për aq kohë edhe po gënjejmë veten gjithë si shoqëri. Unë njoh si harmoni dhe tolerancë fetare ekskluzivisht një harmoni dhe tolerancë që buron nga dialogu. Nga një dialog i sinqertë dhe pa doreza! Ky dialog i sinqertë ndërfetar në Shqipëri mungon dhe ekziston vetëm në formën “unë në punën time, ti në punën tënde!” Mos më thoni se futen tek harmonia fetare vizitat që i bëjmë shoqishojt me raste festash fetare. Jo! Harmoni fetare, fjala vjen do të ishte që një komunitet fetar, si ai mysliman p.sh. të pranonte të diskutonte publikisht për zhurmën akustike që shkakton 5 herë në ditë gjatë ushtrimit të riteve të veta dhe t’i merr seriozisht ankesat që vijnë nga popullsia. E kush guxon në Shkodër ta bëjë këtë pa pasur frikë minimalisht nga akuza për islamofobi? Në vend të kësaj të gjithë kanë zgjedhur të fshihen pas perdes së butë e të mëndafshtë të harmonisë fetare duke e ngurtësuar gjithnjë e më tepër shpirtin e mendjen ndaj “tjetrit ndryshe”.

Historia sapo ka filluar, nëse do përdornim këtë frazë për t’iu përgjigjur një teze të Fukujamës te ‘Fundi i historisë’, thelbi i së cilës është se pas triumfit të Perëndimit mbi Lindjen komuniste, nuk ka më konflikt dhe rrjedhimisht as ‘histori’. Megjithatë, ja ku u shfaq fondamentalizmi fetar. A do të fitojë apo do të bjerë kësaj here Perëndimi?

Unë e kuptoj krejt mirë se përse, pas çdo akti terrorist, gjatë të cilit thirret “Allahu akbar”, politikanët perëndimorë nxitojnë të qartësojnë publikisht se “sulmet terroriste nuk kanë të bëjnë me Islamin”. Logjika ta thotë se nuk mund të bësh fajtor miliona myslimanë paqësorë për akte të tilla. Por duhet folur qartësisht dhe në mënyrë precize. Pa atë formulën e shpifur: “është e tmerrshme ajo që ka ndodhur, por duhet të pranojmë që ishin vetë gazetarët ato që kishin kohë që provokonin! S’ka “POR”!

Perëndimi nuk duhet të vazhdojë më me këtë gjuhë kaq pacifike e hipokrite. Ka disa dekada që një gjurmë e stërmadhe gjaku përshkon planetin dhe thuajse në të gjitha rastet, gjaku derdhet në emër të një Allahu të Madh, dhe në të gjitha rastet thuhet, akoma pa u numëruar viktimat, se nuk është Islami ai që inkurajon këtë gjakderdhje. Sigurisht që nuk ka faj kolektiv, por përderisa ka kriminelë që gjejnë frymëzim tek Kurani, ka diçka që nuk shkon me Islamin atëherë! A nuk e kemi hedhur poshtë Marksizmin në Shqipëri vetëm e vetëm se një grup banditësh me në krye Enver Hoxhën, në emër të marksizmit instaluan një sistem ideologjiko ekonomik që na çoi në katastrofë? Nuk është e nevojshme të studiojmë të gjithë shkenca islame apo të ballafaqojmë gjithë ditën pjesët pacifiste dhe ato luftarake të Kuranit. (edhe Testamenti i Vjetër, i dhunshëm ishte dhe gjak kërkonte!). Dhe, ju lutem, mos ma relativizoni tragjiken e ngjarjeve në Paris me historinë e para 5 shekujve, duke më përmendur Mesjetën, kryqëzatat apo Irlandën e Veriut sepse kanë kaluar nja 500 vjet që atëherë dhe nuk shërben aspak si analogji për të justifikuar dhunën që po ndodh sot në emër të fesë. Për Islamin duhet të jetë e qartë se në Europë, instanca më e lartë nuk është Kurani, por Kushtetuta. Në këtë pikë nuk ka negocim.

Në fund, a doni t’u çoni një shenjë anatemuesve tuaj dhe të gjithë anatemuesve apo fanatikëve? Apo i keni falur ndërkohë sepse ‘nuk dinë ç’bëjnë’?

Për të gjithë anatemuesit e mi myslimanë fanatikë lutem: “Zoti ju çliroftë nga ajo pjesë e fesë islame që jua lejon shthurjen e gjuhës dhe veprimet e rrezikshme”!

"Mapo", 201517 janar 2015


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019