k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Për botëkuptimin islamik nuk ka vend në këtë Evropë!


Çdo individ, pavarësisht racës apo fesë që i përket, mund të ndjehet në Europë si në shtëpinë e tij, me kusht që të pranojë vlerat perëndimore të civilizimit europian. Këto vlera janë fituar përmes një beteje të ashpër disashekullore midis shtetit dhe fesë, midis individit dhe shoqërisë, midis filozofisë, shkencës, artit dhe besimit. Thelbi i iluminizmit europian është liria e individit, e cila nënkupton, mes të tjerash, edhe lirinë për të kritikuar traditën dhe për të zgjedhur një formë të ndryshme jetese nga ajo që propozon kolektivi. Kjo liri është paguar shpesh me jetë. Në emër të kësaj lirie u masakruan edhe gazetarët satirikë të “Charlie Hebdo”. Pikërisht para kësaj lirie, Islami si botëkuptim dhe ide civilizuese shkërmoqet përfundimisht. Pikërisht për shkak të dështimit të tij para idesë së lirisë, ky Islam nuk mund të jetë pjesë e kësaj Europe. Sepse europianët nuk janë të gatshëm të heqin dorë kollaj nga ideja e kësaj lirie. Siç e dëshmon kuraja e gazetarëve të “Charlie Hebdo”.

Islami si botëkuptim nuk ka vend në këtë Europë, sepse ai nuk dëshiron t’i shohë fenë, kulturën, shoqërinë dhe politikën si të ndara nga njëra-tjetra, por kërkon me forcë unitetin e tyre. Kjo ide unifikuese nuk është e re. Si judaizmi ashtu edhe krishterimi e njohin idenë e unifikimit të shtetit me fenë nën flamurin e besimit fetar. Vetëm se Europa, përmes një beteje të gjatë e të përgjakshme, ia ka dalë të çlirohet nga ideja e superfuqisë fetare. Për këtë arsye, Islami si botëkuptim nuk mund të jetë pjesë e kësaj Europe, sepse ai vë besimin mbi shkencën, nuk njeh periudhë reformatore, nuk e ka kaluar atë betejën e ashpër e të dhimbshme midis filozofisë, shkencës dhe kishës.

Me gjithë tolerancën kundrejt besimeve fetare, civilizimi europian nuk mund ta pranojë superioritetin e besimit ndaj filozofisë, shkencës dhe artit. Prandaj Islami si botëkuptim nuk mund të jetë pjesë e kësaj Europe, sepse në thelb s’ka arritur ta ndajë politikën nga feja. Pavarësisht Ataturkut. Islami mbetet një teologji politike, në thelb të të cilit mbetet ideja zanafillore e Sundimtarit të Botës.

Ky Islam nuk mund të jetë europian, sepse vendos kolektivin mbi individin, nuk është i gatshëm ta mbrojë individin nga kolektivi, përbuz të drejtat e pakicave dhe mbahet fort pas idesë së superioritetit mashkullor. S’ka burrë ta mohojë faktin e padiskutueshëm se pjesë e këtij botëkuptimi është inferioriteti i gruas.

Ky Islam nuk mund t’i përkasë Europës, sepse ai nuk pranon të kritikohet, sepse herezinë e ndëshkon si krimin më të rëndë, sepse, në praktikë, nuk është i aftë të tolerojë “të ndryshmen”, sepse, në fund të fundit, Islami nuk mjaftohet të jetë thjesht një vokacion fetar.

Duhet të dallojmë qartë midis islamit si fe dhe si civilizim. Ky Islam nuk mjaftohet thjesht si një vokacion fetar, por rrezikon civilizimin sekularist europian me projektin imagjinar të një civilizimi islamik. Europa, besoj unë, nuk është e gatshme ta tolerojë këtë projekt. Rezistenca kurajoze e gazetarëve satirikë të “Charlie Hebdo” e dëshmon këtë.

Duhet theksuar fort dhe qartë në debatin publik, se nuk bëhet fjalë për fenë; gjithsecili prej nesh është i lirë ta ushtrojë besimin e tij fetar. Çështja është se çfarë është në gjendje aktualisht të na ofrojë botëkuptimi islamik. Cilin civilizim na propozon ai? Cilin sistem të së drejtës? Cilin rend publik? Cilin sistem arsimor? Çfarë infrastrukture? Cilat përgjigje ndaj të drejtave të minoriteteve dhe problemeve ekologjike na ofron? Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve ndajnë civilizimin nga prapambetja dhe barbaria. Kudo ku këto 600 vitet e fundit Islami ka patur ndikim “civilizues”, ka mbjellë (dhe korrur) analfabetizëm dhe prapambetje. Si botëkuptim civilizues, Islami ka dështuar totalisht. Aktualisht, ai nuk mund të konsiderohet si trashëgimi shpirtërore, por thjesht si opium për popujt.

"Mapo", 20159 janar 2015


Komente

postieri
postieri 
19 janar 2015, 15:31
Citim:
Kërcënimet ndaj Gilman Bakallit bien mbi të gjithë ne
Agron Gjekmarkaj

Personalisht me Gilman Bakallin jam “takuar” pothuaj dy vjet më parë në faqet e gazetës “Panorama”, ku kemi polemizuar ashpër me njëri-tjetrin me iniciativën time dhe qysh nga ajo kohë shihemi vëngër në përballje rastësore, siç janë konferencat, promovimet, qokat e shumta të kryeqytetit tonë etj. Nuk jam penduar asnjëherë për qëndrimin tim e, me sa duket, as zoti Bakalli. Ai në punë të vet e unë në timen. Të dy kemi përdorur lirinë për të menduar ndryshe mbi të njëjtën çështje e mbi të gjitha për të marrë pozicionet tona publike duke fituar apo humbur mbështetës. Madje, e kemi përdorur këtë liri edhe për të mos përshëndetur më njëri-tjetrin. Pas kësaj ndodhie, shoqëria shqiptare nuk është as më e mirë e as më e keqe, por e tregova shkurt këtë histori, sepse ndjeva shqetësim kur lexova se ai është kërcënuar për mendimet e tij të shprehura publikisht nga një numër jo i papërfillshëm njerëzish frekuentues rrjetesh sociale.

Liria e fjalës në vendin tonë përballet me risqe të ndryshme herë pas here, por së paku për tema globale e mendoja një standard të mundshëm të shoqërisë shqiptare. Me sa duket, kështu nuk është. Një shprehje thotë se, që të gjykosh më mirë, vendose veten në vendin e tjetrit. Jam i bindur që, ashtu si unë, edhe shumë të tjerë, të cilët kanë bërë zgjedhjen që të komunikojnë në mënyrë periodike me publikun përmes opinioneve të veta, sot janë të kërcënuar. Kur statusi i fjalës së lirë vihet në rrezik, përnjëherësh të gjitha statuset e tjera janë automatikisht të rrezikuara.

Pas shkrimit “Për botëkuptimin islamik nuk ka vend në këtë Europë”, Gilman Bakalli është përfshirë në një situatë aspak normale. Njerëz me emër dhe mbiemër në facebook e kanë kërcënuar, fyer, sharë duke e përjetuar në mënyrë vetjake artikullin e tij si një blasfemi. Në të s’kishte asgjë të tillë në terma teologjikë.

Për një sërë raportesh të cilat i kanë dhënë tradicionalisht kohezion shoqërisë shqiptare, kërcënuesit duhen konsideruar me preokupim. Këto personazhe mund të mburren si pionierët e parë që shfaqen hapur të fondamentalizmit në Shqipëri. Në miniaturë ata mund të krahasohen me atentatorët algjerianë, që shfarosën redaksinë e “Charli Hebdo” në Paris. Sot si skuadristë të vërtetë kërcënojnë, shajnë, fyejnë një njeri, i cili guxon të thotë publikisht atë çfarë mendon. Po nesër çfarë mund të bëjnë ata nëse sot i tolerojmë duke heshtur? Në Europë po kaq e shenjtë sa të drejtat e tjera konsiderohet edhe ajo për të blasfemuar, gjë të cilën autori nuk e ka konsumuar. Me fyerjet merret ligji. Raporti me ligjin përcakton edhe ndëshkim për lënduesin dhe zhdëmtimin për të lënduarin. Asgjë mbi dhe as nën ligjin. Kush ndihet i prekur në shtetin e të drejtës, ka mundësi ta kërkojë të drejtën, por jo ta tejkalojë atë duke projektuar vetëgjyqësinë. Kjo vlen edhe në Shqipëri qoftë për “të prekurit” nga Bakalli, qoftë për atë vetë.

Prej kontekstit tim kulturor të krishterë, ndonëse nuk jam praktikant besimi, etikisht nuk më takon të bëj vlerësime mbi drejtësinë dhe objektivitetin e shkrimit të Bakallit, por kjo nuk më pengon të them se në të ka gjëra me të cilat nuk jam dakord. Parimisht jam pro çdo debati, pa përjashtuar asnjë temë, sado delikate të shfaqet ajo.

Tabutë ngrihen për të mbuluar të vërtetën dhe, kur ajo mungon, fillon instrumentalizimi. Fjala është gjithmonë më e ndershme se heshtja. Ndaj një artikulimi publik ekziston gjithmonë mundësia e një përgjigjeje publike, qoftë edhe me tonalitet të lartë. Akti i shkrimit i ngjan një akti rrëfimi, ku secili ngulit të vërtetën e vet në trupin e kohës në shërbim të universales, padronanca e së cilës i mbetet Hyjit. Çdo formë tjetër reagimi është e papranueshme dhe e dënueshme, ndaj jam solidar me Bakallin, i cili ka shprehur mendimet e tij pa fyerje e sharje nëpërmjet një analize të debatueshme që shumëkujt ndoshta nuk i pëlqen.

Përfundimeve, konstatimeve dhe dyshimeve që dalin nga artikulli i tij do të ishte mirë që të gjithë ata të cilët mendojnë ndryshe, t’u përgjigjeshin me të tyret dhe ky konfrontim idesh do të ishte një vlerë e shtuar për ambientin tonë. Nëse nuk ndihen të dëlirur dhe të larë kësisoj dhe gjykojnë se “faji” i Bakallit shkel ligjet e këtij vendi, le t’i drejtohen një gjykate, po kurrsesi nuk duhet ta kërcënojnë atë. Reagimi i shfaqur në këtë formë synon te mbjellë dhe legjitimojë frikën në shoqërinë tonë. Si të tilla, kërcënimet ndaj Gilman Bakallit janë kambanë alarmi për të gjithë ne. Britmat që dalin nga asi ambientesh të turbullta e zemërake janë vrikëllimat e intolerancës, të cilat nuk pranojnë mendimin e lirë, laik dhe ateist.

Pikërisht artikuluesit e dhunës verbale ndaj publicistit, këta kavalierë të frikës, nuk kanë asgjë të përbashkët me Europën dhe Islamin, kjo fe e madhe e botës sonë. E para ishte fjala. Asaj i detyrohemi gjithmonë e të gjithë.

http://www.panorama.com.al/kercenimet-ndaj-gilman-bakallit-bien-mbi-te-gjithe-ne/




Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019