k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Statusi i bashkësive fetare në kushtetutë, si privilegj i tejkaluar


Pasi i mbushi 16 vjet të paqeta, Kushtetutës sonë po i vijnë rrotull për ndryshime. Ndoshta i jepet asaj një frymëmarrje më afatgjatë. Përfitojmë nga ky rast të tërheqim vëmendjen dhe për një çështje, e cila duket sikur ka gjetur karar, por rezulton parimisht difektoze. Është fjala për statusin që po i rezervohet bashkësive fetare prej shekujsh, në botë dhe në shtetin tonë. Dhe jo pak, është status politik-juridik. Që kur Kostandini i vuri Kishës shtetin si mbrojtës e padron, hyri e mbahet në këmbë simbioza e panatyrshme Politikë-Fe, merret e mirëqenë vetëprezantimi i fesë si “hyjnore” e “shenjtërore”, i rezervohet asaj statusi i një “vlere” dhe “roli i një faktori të konsiderueshëm”.

Ndërsa prirja jetësore po çon drejt shkëputjes së njerëzimit nga dogmat fetare, teologët dhe mjaft laikë, bashkë me shtetarët, po përdorin tërë artilerinë për t`i përjetësuar ato, duke i justifikuar, duke u orvatur t`u gjejnë përshtatje e rol në shoqërinë moderne. Rrëmojnë për dobi etiko-morale prej saj, se nga të tjerat është shkarkuar plotësisht e përfundimisht. Kujdesi i politikës është bërë faktor përcaktues i jetëgjatësisë së saj. Në këtë arsenal koracues spikat dhe statusi aktual, një privilegj i tejkaluar, i pajustifikueshëm më politikisht. Këtij statusi i mungon dhe logjika shkencore e ajo juridike. Si duhej të ishte formula kushtetuese? “Shteti është laik, me politikë dhe shkollë të ndarë nga feja. Ai garanton Lirinë e Ndërgjegjes dhe Mendimit.

“Të besuarit” është çështje e zgjedhje vetiake; ushtrimi i kultit fetar lihet i lirë, me kusht që ai të mos cënojë sigurinë, rendin publik, shëndetin dhe të drejtat komunitare. Bashkësitë fetare kanë statusin e OJF-ve dhe i nënshtrohen Ligjit përkatës”. Me kaq është thënë gjithçka e duhur, pa qenë nevoja të përmenden fjalët zot e fe si kryefjalë, duhen shmangur skajshmëritë e dy kushtetutave, asaj të 1976-s që nxori Ateizmin si kryefjalë dhe kësaj në fuqi që deklaron:“Populli shqiptar me besim tek Zoti dhe vlera të tjera universale”, të dyja të njëanshme e tendencioze. Thelbin devijues e deformues të tyre e ka stigmtizuar i ndjeri Sabri Godo me idenë emblematike se: “Në Shqipëri, nga monizmi në tranzicion, u kalua nga njeri ekstrem në tjetrin, nga mohimi me dhunë i gjithçkaje që lidhej me besimin, në servilizëm banal të shtetit ndaj fesë”.

Po rendisim argumentet, pse duhen mënjanuar këto ekstreme:

1. Nominimi i fesë si kryefjalë në Kushtetutë, i shoqëruar edhe me sa bonuse e favore, është një reminishencë e ish pozitave të saj dominuese, e pretendimeve klerikale, privilegjeve dhe përkëdhelive shekullore, lëshime e glorifikime marramendëse, tanimë, të tejkaluara. S`i takon të përmendet, qoftë edhe për faktin se, në formulën e përdorur nëpër kushtetuta, si dhe në Konventën Europiane e të Drejtave të njeriut: “Çdo person ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë” (neni 9), janë bashkë, e tëra dhe pjesa, një dyzim i tepërt. Ç`hyn më “feja” përbri ndërgjegjes; për më tepër, kur ajo është aq e papërcaktuar, fluide, fakultative, e këmbyeshme, deri dhe fare e abandonueshme? Po pas shekujve kur bënte vetë ligjin, feja, duhej llastuar, të paktën, duke u futur disi në ligj, posaçërisht e privilegjërisht.

2. Në grupin e të drejtave themelore të njeriut, është Liria e Ndërgjegjes dhe e Mendimit, garantimi i së cilës, po bëhet detyrë e demokracisë moderne. Ky togfjalësh, gjithëpërfshirës, nënkupton tërë galerinë e botës së brendshme të njeriut. Rrjedhimisht, e bën të panevojshme përmendjen e cilësimin e elementeve të veçantë të saj, (qofshin ide politike, norma morale e pikëpamje estetike, shije e gusto, besime apo bindje ateiste, ideologji komuniste etj). Ke sanksionuar “lirinë e ndërgjegjes”, ke nënkuptuar edhe “fe të lirë”. Vitrina e merkatos botërore ka me shumicë sisteme besimesh, secila edhe me shumë degëzime, që janë si lojtarë brenda ndërgjegjes dhe mbeten të barabarta para ligjit e kushtetutës. një humbet, një tjetër fiton. Do, i falej një kulti, nuk të pëlqen asnjë, jeton i emancipuar, zot i vetes!

3. Edhe idea parimore e euro-Rilindjes, u shpall si sanksion i mirëfilltë politik, si “shkëputje e fesë nga politika e autoriteti shtetëror, lënie të lirë në punët e saj” dhe jo shpalosje e sloganit “liri fetare”, siç ka marrë dhenë kjo shprehje dhe po trumbetohet deri në apoteozë. Problem i asaj kohe revolucionare, emancipuese e iluministe, ishte si t`i hiqej feja qafe shtetit, politikës, shkollës, ku ishte bërë vetësunduese, madje absolute, e padiskutueshme, e egër e kërcënuese. Duhej abroguar reforma perandorit Kostandin, me aq pasoja rrënuese. Mirëpo, pikërisht kjo “lënie e lirë”, spekulativisht, u reduktua në termin “liri”, “liria” u bë qëllim në vetvete, si të jetë amanet “i shenjtë”, u përfshi si sanksionim dhe garanci kushtetuese e mbajtjes së saj të paprekshme. Madje, prezantohet dhe si një nga liritë dhe shtyllat e mëdha të demokracisë politike. Kjo bota jonë shfaqet me kaq shumë merak për “liritë fetare”, shfaqen të tilla angazhime e preokupime madhore, sa nuk bëhen as për djalin e vetëm në familje! Janë ngritur dhe disa struktura: Shoqata Ndërkombëtare e Lirisë së Fesë, Shoqata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirisë Fetare, Akademia Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Lirisë së Fesë e të Besimit e pale ç`të tjera. Kemi një ekzaltim të fryrë të “lirisë së besimit në dogma primitive”, kur liria e mirëfilltë është njohja e domosdoshmërisë së jetës reale dhe të vepruarit në përputhje me të. Nga vënie kushtesh e sanksionesh fesë, paradoksalisht, u kalua në krijim lehtësirash të paimagjinueshme! Po merr dhenë një hibrit, që shfaqet fuqishëm e ndjeshëm në botë si “fe e politizuar”, apo si politikë “e shenjtëruar”! Dhe bëmat fetare, janë skena xhunglash.

4. “Të drejtat themelore, jetësore dhe reale të njeriut”, është një teori madhore të shekullit 20-të, pse jo, një “revolucion juridik”, përbën “vlerë humane” dhe përparësi e kohës. Po a ka argumente, që të përfshihet edhe feja në këtë kategori? Aspak. Të qenit e saj dominuese e të shpallurit e saj famëmadhe, nuk e bëjnë atë, automatikisht, “vlerë”. Ajo mbetet një fatkeqësi me një “madhështi” të shtirë, që po i bien pendët! “Të besuarit”, nuk është një “e drejtë”, por thjesht një “stad vetiak”, një “nivel kalimtar” i “ndërgjegjes personale”, që kanë zgjedhur apo ku kanë mbetur një grup ithtarësh. Fakti që “të besuarit” gjendet si nevojë personale e disave, kjo nuk e bën atë të jetë, as “vlerë”, as ndonjë “e drejtë” e të gjithëve, aq më pak “madhore”, “universale” dhe “e përjetshme”! Mbetet e pëlqyer nga disa, hë për hë, shumicë, po kjo, nuk e bën atë një vlerë, nevojë e dobi të përgjithshme. As “dëshira vetiake” e disave, nuk është e barabartë me ndonjë obligim të përgjithshëm për “të besuar”, as e drejta e zgjedhjes, nuk është fare baraz dhe me ndonjë “të drejtë” të zgjedhjes, doemos, veç të fesë. Po t`i hynim analizës së spekulimeve të mbajtjes së feve për “vlerë qiellore”, si dhe vënies në përdorim të termave “qytetërimi i krishterë” apo “kultura islame”, do të na duhej një natë dimri. Prandaj, e theksojmë, katapultimi i “të besuarit”, nga një ves e tregues thjesht personal e kalimtar, në rangun e “vlerave shoqërore”, është akti më spekulativ, u bë thjesht rimashtrim i ndërgjegjshëm, pas atij vetëmashtrimi të pavetëdijshëm që çoi në iluzonet fillestare. Si loja me kalimin e togfjalëshit nga“fe e lirë” në “liri e fesë”.

5. Ta deklarosh e trajtosh “të besuarit” si një “të drejtë”, të kesh pohuar me ligj edhe të kundërtën, të drejtën e secilit “të ndërrojë besimin”, deri dhe “të mos besojë” fare, ç`vlerë dhe e “drejtë natyrore” na qenka ajo? Ky mbetet një pretendim absurd e fare pa kuptim, sepse në botë ka edhe disa qindra milionë ateistë, të cilët janë shkëputur përfundimisht nga gravitacioni i mjegullës fetare; po nën frymën ligjore aktuale, ata rezultojnë antikushtetues. Në të drejtat e mirëfillta hyjnë ato që kërkohen me insistim, për fitoren e të cilave organizohen edhe greva urie e lëvizje sociale! Kurse, “të besuarit”, më tepër është i imponuar me forcë e dhunë, se sa i dëshiruar. Do të sundosh një popull, do të përligjësh pabarazitë dhe padrejtësitë, mbaje atë, ke edhe peshën e frikës e kërcënimeve hyjnore e atë të “mëkatit të parë”, ke dhe dobësitë dhe boshllëqet e shpirtit të drobitur për të spekuluar! Qenia e saj instrument i sundimit shpirtëror, nuk kamuflohet, as duke e futur në kallëpin e “vlerave” dhe “të drejtave”, as duke shpallur, demagogjikisht e me servilizëm, se kështu e ka demokracia! Obskurantizmi bëhet vlerë, aq sa plaka me vello, mund të merret për nuse, qoftë e veshur edhe me flori! Jo “dashuri përgjëruese”, po laicizëm!

6. Se sa “vlerë” dhe “e drejtë” është feja, mjafton të përmendim qasjen ndaj gruas. Në mendimin shkencor dhe në krijimtarinë artistike, ato dalin të stigmatizuara si: “një tjetër faktor që ka çuar në forcimin e pozitës inferiore të femrës. Pothuajse të gjitha besimet fetare i japin femrës një rol që nuk ndihmon aspak lirinë e saj personale. Kështu judaizmi, krishtërimi, feja islame. Ato janë të përjashtuara historikisht nga funksionet në hierarkinë kishtare” etj. Lëvizja e fuqishme feministe, që zë fill nga gjysma e shekullit 19-të e që s`ka shteruar, është thellësisht ligjore; ka në shënjestër medoemos edhe dogmat e të gjitha besimeve fetare, sepse “të gjitha ligjet që ndalojnë gratë për të pasur në shoqëri rolin që ia dikton ndërgjegjja e tyre, apo që e vendosin gruan në një pozicion më inferior se ai i burrit, janë në kundërshtim me ligjet e natyrës, pra nuk kanë autoritet dhe forcë”. Këto janë fjalë të thëna në vitin 1849.

7. Ndërsa shtetasit aspirojnë për një qeverisje me bazë iluminizmin, shkencën e kulturën, qeveritë u imponojnë atyre me forcën e ligjit, të besuarit në hava. “Të drejtat” e mirëfillta, janë universale e me një përmbajtje reale; janë dhe të patjetërsueshme, siç nuk është e tillë fare feja. Ato, nuk janë kurrë objekt zgjedhjesh, por norma, parime a ligje të kërkuara me këmbëngulje nga poshtë. Ajo që duhet sanksionuar e garantuar është pikërisht “e drejta e zgjedhjes së lirë”.Mirëpo, liria, vlerat dhe të drejtat, që i përkasin vetëm ndërgjegjes, arbitrarisht e me mendjelehtësi, i janë atribuar, fesë, kësaj pjesëze, në një pjesë njerëzish, për më tepër, një alternative fakultative dhe të paqëndrueshme brenda saj. Prandaj, demokratikisht, kulti fetar lihet i lirë, veç jo për trajtim panegjirik, por që të shkojë natyrshëm drejt kufizimit e fikjes, si i papajtueshëm me progresin, iluminizmin dhe emancipimin.

8. Liritë, vlerat dhe të drejtat njerëzore të mirëfillta, janë arritje të mëdha sociale-politike me rëndësi jetike, të mundësuara me këmbënguljen e vegjëlisë. Në to hyjnë liria dhe pavarësia, çlirimi e vetëvendosja kombëtare, abrogimi i racizmit e çdo diskriminimi, e drejta e jetës, e gjuhës amtare, arsimimit, punës dhe votës; të drejtat e gruas, të minoriteteve etj, të gjitha ato që nga dikush janë mohuar, shkelen e diskriminohen, dhe për sigurimin e të cilave janë bërë përpjekje, është insistuar e luftuar për t`i gëzuar, - shpesh dhe me sakrifica sublime. Përkundrazi, “të besuarit” është imponuar me dhunë e presion të pa precedent, të egër, torturues, të përgjakshëm. Në shumicën e popujve të botës feja është çuar “dhuratë” nëpërmjet ekspeditave ekspansioniste kolonizuese dhe tufës së misionarëve, atyre “dallëndysheve” më të hershme, kinse “civilizuese” të plakës Europë! Po ashtu dhe xhihadi! Oazet fetare që janë krijuar në disa kontinente, mbeten vatra sherri me mjedisin për rreth. Një aparat e ushtri klerikale, shkolla e botime janë sot vetëm në shërbim të indoktrinimit primitiv! Një barë e rëndë në shpirt dhe shpinë të njerëzimit!

9. Opsioni “Liria e fesë”, nuk ka arsye e motive për t`u lakuar fare si qëllim në vetvete, sepse, janë vetë ato që ia privojnë lirinë njëra-tjetrës me divergjencat e konfliktet, që i kanë, së pari, brendapërbrenda vetes, pastaj vjen sherri i madh e konstant midis të ndryshmeve. Njëra kundër të gjithave, të gjitha kundër njërës. Ky konfliktualitet, i dëshmuar boll dhe historikisht, mbetet “vullkan i gjallë”. Kot distancohen disa krerë fetarë nga fondamentalizmat e radikalizmat, nga xhihadi, islamizmi politik, integralist etj; këto dukuri janë produkte të drejtpërdrejta të indoktrinimit fetar, vegjetojnë në atë “bulon dogmash”, fillo prej tërbimit pedofil të qindra priftërinjve, që s`i bën dot zap Vatikani, se vetë ua ka vendosur celibatin (mosmartesën), (duke injoruar fare Frojdin); deri tek djemtë e nënave shqiptare, që vriten në Siri a Irak për një “kauzë të shpifur”. Çdo dukuri, dhe feja, i ka të vetat ekstremitetet. Preokupim i njerëzimit mbetet, jo glorifikimi i lirisë së feve, por gjetja e modaliteteve për garantimin e tolerancës ndërfetare.

10. Bashkësitë fetare s`kanë asgjë më tepër e më të mirë se dhjetra OJF të tjera të shoqërisë civile, përveç asaj velloje “shenjtërie”, me të cilën mbulojnë kusuret, po që i magjeps e trullos edhe politikanët, sikur nën të të jetë “e bukura e dheut”; turren drejt kryesive në të kremtet fetare, si mizat drejt mjaltit. Duke përshëndetur obskurantizmin, u duket vetja dhe më demokratë, po shqip kësaj i thonë “kështu i do mushka drutë”! Bashkësia fetare, duhet të jetë pa kurrfarë Komiteti Kultesh, financim buxhetor, parti politike teologjike e të tjera! Nuk themi dot “teokracia vdiq”, se na imponohet “rroftë demokracia”.

11. Politikanët kanë injoruar edhe idetë madhore e mesazhet e mendimit e të kulturës botërore e asaj kombëtare, përfshi dhe stigmatizimet e gurrës popullore, si: “Nuk vlen asnjë grosh ajo liri politike që e mban njeriun skllav të fesë” (Fojerbah); “Me qiejt mos u mbani, se nuk mbahen gjëkundi” (Çajupi), “Zoti në tru të njerëzimit galuç ka ngecun” (Migjeni) e sa të tjera, më të thella, më sfiduese e dërmuese. Demokracia moderne quhet e arrirë, kur “askush të mos detyrohet të besojë, apo të mos besojë” (Frojd). Siç theksonte Xhon Lok, para mbi 300 vjetëve, çdo shtetar “të besuarit”, e mban si të vërtetë vetëm për vete, pa përdorur publikisht pozitën e autoritetin e vet profetar. Ndryshe, si do bëhet politika pasqyrë?

12. Apologjia spekulative profetare, politike e juridike, i jep shkas klerikëve të thonë:“Çdokujt i lejohet të shfaqë fenë e tij. Ajo është e afirmuar me ligj, e mbron Kushtetuta dhe s`ka forcë ta tundë!” Po edhe njeriu i thjeshtë autosugjestionohet: “Ama, është përcaktuar feja si “vlerë”, “e drejtë” e me “golirifikim lirije”, u mbrojtka dhe me ligj, domethënë se ashtu është dhe s`e lot topi! Shteti bëhet, kështu, garant i fesë, sfumon laicitetin, duke shpërdoruar e degraduar dhe lirinë kushtetuese të ndërgjegjes. Po ateistit ç`i mbetet të thotë para kësaj njëanshmërie kushtetuese? Fakti është se pushtetarëve i leverdis t`i kenë politikat edhe si avokate të dogmave e institucioneve fetare, t`i përdorin si furçe e “paterica politike”, ta kenë një “lule mos më prek”, paçka se boshti i fesë është, iluzor, një farë zoti kallp fare. Edhe thirrja “të mos fyejmë ndjenjat e besimtarëve”, që është bërë modë e përdoret si frenim, nënkupton “kujdesin, të mos zëmërojmë zotin, atë sozi të një farë “gogoli për fëmijët”!

Kjo është bota. Ndaj dhe gjasat të pranohet ky amendament, i nderuar lexues, janë shumë të pakta. Justifikimi nuk mungon “kaq mund të bëjë ky sistem me demokracinë e vet kallp, i ka në natyrë disa iluzione e manipulime”.Se po të bëhej gjë, premisat dhe avantazhet për ta bërë mirë e saktë, i ka Shqipëria jonë. Ndaj, ky meditim vlen sa për t`i dalë borxhit qarqeve politike-ligjbërëse, hyn në “nismat qytetare”, qetëson, disi, ndërgjegjen, mbase nxit dhe ndonjë lloj debati. Rrjedha objektive e historisë, logjika e hekurt e jetës, me fenë në darë, po e bëjnë të vetën!

"Dita", 201326 gusht 2013


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019