k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Natyra bën të sajën


Natyra nuk pyet se në Tokë ka kohë që jetojnë njerëzit, se me punën e tyreata kanë gritur e po ngrenë vepra madhështore. Natyra bën të sajën. Po i erdh për tërmet – e tund. I vjen për vullkan – ajo shpërthen. Po nisi fortunën – natyra nuk e ndalon për hatër të njerëzve. Kur bije sëmundja epidemike – mund të bëjë kërdinë, etj.

Për njerëzit mbeten dy rrugë:
Ose t’i quajnë fatkeqësitë e natyrës si ndëshkime hyjnore dhe t’i luten zotit për mëshirë;
Ose t’i vihen studimit të natyrës, të zbujonë shkaqet e vërteta të të gjitha fenomeneve dhe të marrin masa që të mos dëmtohen prej tyre.

Rruga e parë predikohet nga feja.
Rruga tjetër është rruga e shkencës.

Le të shohim tani më hollësisht ndonjë nga fenomenet e natyrës – pikërisht tërmetet.

Në disa zona të Dheut, herë pas here vihen re tronditje nëntokësore dhe lëkundje në sipërfaqen e tokës. Nganjëherë ky fenomen zhvillohet me një forcë shumë të madhe sa dëmton rëndë ndërtesat dhe shkakton viktima njerëzish.

Cili është shkaku i tërmetit dhe si mund të mënjanohen dëmet e tij.

Fetarët thonë se tërmetet janë vepër e zotit, me të cilat ai dënon njerëzit për mëkatet e tyre ose lajmëron mbi zemërimin e tij, mbi ngjarje të rëndësishme që po ndodhin ose do të ndodhin në Tokë e qiell, etj.

Të tilla predikime mbi tërmetet bëhen në fenë kristiane, myslimane dhe në atë budiste.

Lexuesi duhet të ketë formuar një farë bindjeje se feja dhe librat e «shenjta» nuk janë në gjëndje për të shpieguar fenomenet e natyrës prandaj le t’i drejtohemi shkencës edhe për këtë fenomen.

Ç’thotë shkenca e gjeologjisë për tërmetet?

Doktori i shkencave minerale-gjeologjike, shkencëtari sovjetik, G.P. Gorshkovi, tregon se lënda brënda Tokës nuk është në qetësi. Mbi atë lëndë veprojnë forca të ndryshme si forca tërheqëse drejt qëndrës së Tokës, tërheqja e Hënës dhe e Diellit, forcat e lindura nga proçeset radioaktive ose nga kristalizimi i lëndës së lëngëshme e të nxehtë, që ndodhet në brendësi të Tokës. Veprimi i të gjitha këtyre forcave bën që lënda në thellësitë e Tokës të mos jetë në qetësi. Në të formohen tkurrje të mëdha, që çojnë në çvendosjen dhe deformimin e shtresave të brendëshme, në formimin e rrudhave dhe të të çarave, plasjeve të shtresave, në fomimin e maleve. Në shkencë këto forca quhen tektonike.
Korja e Tokës mund ta përballojë veprimin e forcave tektonike deri në një farë mase. Por kur janë grumbulluar shumë nga këto forca në një zonë të caktuar, shtresat e tokës thyhen, formohen të çara, disa pjesë çvendosen. Këto gjëra ndodhin brënda një kohe shumë të shkurtër dhe në sipërfaqen e tokës ndihen në formën e tërmeteve.

Shkenca e sotme i ka studiuar mjaft mirë tërmetet. Energjia e tyre është e barabartë me energjinë e mijrave bombave atomike. Një satacion elektrik i fuqishëm duhet të punojë qindra vjet për të prodhuar atë energji që formohet në vatrën e një tërmeti. Është përcaktuar thellësia e vatrave të tërmeteve: ato gjenden nga sipërfaqja e tokës deri në thellësinë 300-600 kilometra. Janë studiuar ligjet kryesore të shpërndarjes së lëkundjeve elastike, që lindin në vatër në çastin e tërmetit. Janë përcaktuar zonat ku tërmetet janë të shpeshta e të rrezikshme, si dhe zonat ku ato janë të pakta ose nuk ndodhin fare. Po sqarohet lidhja e tërmeteve me ndërtimin gjeologjik të shtresave tokësore.

Shkenca është në gjëndje të thotë me saktësi se në cilat zona ndodhin shpesh tërmete dhe në cilat zona ato nuk ndihen fare. Përshëmbëll, tërmete të forta ndodhin në Itali, Spanjë, Greqi dhe nuk ndodhin në zonat qëndrore të Rumanisë, në Leningrad, në Moskë.

Po qe se tërmetet do të ishin zemërim i zotit, si është e mundur që ky zemërim të bjerë mbi Italinë, ku gjendet Vatikani? Pse të prekej Spanja nga tërmetet, kur atje, në kohën e mesjetës, u formua inkuizicioni që masakronte dhe digjte njerëzit e gjallë për «lavdinë e zoti»?
Mund të shtojmë akoma se tërmete të fuqishme kanë ndodhur dhe ndodhin në Azi të Vogël, Iran, Palestinë. Mirëpo Palestina është vatra ku lindi feja kristiane! Këtu ndodhet Jeruzalemi me «varrin e shenjtë». Sipas Biblës, në Mesopotami ka qenë parajsa. Migjethatë, në këto «vende të shenjta» tërmetet janë të shpeshta dhe të fuqishme, kurse në pjesën më të madhe të Siberisë dhe në Veri ato nuk ndihen fare.

Fetarët mud të thonë në këtë rast, se zoti e tregon forcën e tij atje ku ka besimtarë dhe jo atje ku feja miret nëpër këmbë. Po a duhet besuar ky predikim kur thuhet se zoti kërcënon besimtarët dhe as kundrejt tyre nuk është dashamirës?

Marrim një shëmbëll konkret. Në qytetin Ashhabat të Bashkimi Sovjetik në vitin 1948 ndodhi një tërmet i fortë që shkatërroi shumë ndërtesa. Midis ndërtesave që u shkatërruan deri në themel ishte dhe xhamia e famëshme në Anau, afër Ashhabatit. Kjo xhami ishte një monument i mrekullueshëm i arkitekturës së vjetër turkmene, që qëndroi për 500 vjet. Si pasojë e goditjeve nëntokësore, më 6 tetor të vitit 1948 xhamia u rrëzua përtokë. Ç’pati All-ahu me këtë faltore që e adhuronin kaq shumë besimtarët dhe i faleshin varrezave të «shenjtorëve»? Afër kësaj xhamie ishte muzeu krahinor ku gjendej dhe kabineti «shkenca kundër fesë», ndërtesa e fabrikës tekstile ku punojnë edhe njerëz që nuk besojnë dhe që bëjnë propagandë kundër fesë. Këto ndërtesa pothuajse nuk u dëmtuan fare. Në rrugën e fabrikës së tekstilit ishte edhe një xhami tjetër, minaret e së cilës u rrëzuan përtokë nga tërmeti i 6 tetorit.

Pse, pra, ndodh që të shkatërrohen faltoret? Pse disa ndërtesa rrëzohen, kurse të tjerat nuk pësojnë gjë?

Feja nuk është aspak në gjendje t’u përgjigjet këtyre pyetjeve, sepse ajo e ka shtrëmbëruar karakterin e vërtetë të tërmeteve dhe të të gjitha fenomeneve të natyrës.

Shkenca na thotë se gjithë puna është në cilësinë e ndërtimeve. Nëqoftëse godina është ndërtuar me materiale të forta dhe është lidhur mirë, ajo i përballon me sukses lëkundjet nëntokësore. Nëqoftëse godina është ndërtuar keq, atë nuk ka forcë qiellore që e shpëton nga tërmeti, qoftë edhe faltore e mbushur me besimtarë, qoftë spital me të sëmurë, qoftë edhe çerdhe ose kopsht me fëmijë.

Shkenca që merret me studimin e tërmeteve – sismologjia – u tregon njerëzve se tërmetet janë fenomen natyror i gjendjes së brëndëshme të Tokës, se në zonat sismike duhen bërë ndërtime që të durojnë goditjet nëntokësore.

Kështu qëndron puna me të gjitha fenomenet e tjera të natyrës. Natyra bën të sajën. Ajo nuk pyet se një vend e ka pllakosur thatësira dhe bujqësia po dëmtohet, se dëbora e madhe ka izoluar një qëndër banimi, etj.

Natyra sikur i thotë njeriut: lufto me mua, mati forcat e tua, sundomë po qe i zoti, merr ç’të duash, por qyl nuk lëshoj asgjë.
Natyra sikur i thotë njeriut: qëndrro burrërisht para ashpërsisë sime; unë i dorëzohem trimave dhe guximtarëve. Përvish duart se jam gati të të jap çdo thesar, çdo forcë timen.

Kurse feja u thotë njerëzve: «Kijeni frikë zotin», «rrini me duar lidhur dhe shpresoni tek ai»; «e kaloni si ta kaloni këtë jetë», «mos u bëni kurioz e të pyesni për punët e zotit»; «qëndroni në pozitën e lutësve, të lypësve, të njerëzve të përunjur».

Edhe natyra e ka njeriun krijesën e vet më të lartë, edhe «zoti» pretendon e ka krijuar njeriun sipas vetes.

Natyra i thotë njeriut: «bëhu zoti im».
«Zoti» i thotë njeriut: «ti do të jesh skllavi im».

Cila pozitë i ka hije njeriut?

"Feja e parë nën dritën e shkencës", 196230 gusht 2012


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019