k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

E vërteta (e përkatësisë fetare) dhe interesi kombëtar


Çuditërisht qenka bërë e pranueshme, e moralshme, madje edhe e këshillueshme të gënjesh, ose të mos thuash të vërtetën për hir të “interesave kombëtare”. Sado që vras mendjen, nuk më bije ndërmend rast tjetër nga historia kur Shqiptarët të kenë ndjerë nevojën të shtrembërojnë, ose të fshehin të vërtetën për të mbrojtur të drejtën e tyre.

Ndërsa sot, në të katër anët po dëgjohen zëra për t’i ndalur dorën qeverisë që të mos regjistrojë popullsinë, sepse regjistrimi i fesë dhe i etnicitetit do të rrezikonte të drejtat e kombit dhe të drejtat e njeriut në vend. Se si mund të pretendohet hyrja në Evropë me një mendësi të tillë, vështirë ta marrësh me mend.

Personalisht e kam ngritur në shtyp nevojën e regjistrimit të detajuar të popullsisë, duke përfshirë fenë dhe etnicitetin, përpara pesë vjetësh. Vazhdoj t’i përmbahem pikë për pikë atij mendimi – jemi të vonuar. Kemi nevojë të ngutshme vetë të marrim vesh se kush jemi e çfarë jemi dhe pastaj t’ia tregojmë edhe botës këtë.

Nëse nuk e bëjmë këtë, atëherë do t’i lemë të tjerët të na matin me kutet —e regjistrimit të vitit 1936 sipas të cilit popullsia e Shqipërisë (atëherë diçka më shumë se 1 milion) është 70 për qind Myslimanë, 20 për qind të Krishterë Ortodoksë dhe 10 për qind të Krishterë Katolikë. Shifra këto që vërtiten nëpër enciklopedi dhe libra faktesh, nxirren që andej për studime dhe shkrime, dhe ndikojnë në përcaktime opinionesh e politikash.

Uroj të mos jetë kjo arsyeja, por përsëri nuk mund të rri pa e thënë se Turqia, Bosnja dhe Shqipëria janë tre vende që ende kërkojnë, por nuk hyjnë dot në Evropë. Edhe i saktë të ketë qenë regjistrimi i qeverisë së Zogut, përbërja fetare e shqiptarëve ka ndryshuar aq shumë saqë do të ishte thjesht idiotësi t’i referoheshe atij.

Faktikisht, me referencat që i janë bërë ndarjes 70-20-10 interesit kombëtar të shqiptarëve nuk i ka ardhur asgjë e mirë. Në këtë vështrim, një regjistrim i ri, më i saktë, do të sillte vetëm përfundime pozitive, ose të paktën më pozitive se deri sot. S’besoj se është e nevojshme të tërhallemi gjatë për të argumentuar se popullsia ka ndryshuar përbërjen dhe besimin,

- të paktën që kur u kthye e tëra në ateiste nga viti 1967 e deri në vitin 1990;
- e më vonë kur iu rikthye përsëri fesë (feve) në mënyrën më të çoroditur të mundshme
– rihapje kishash e xhamish;
- konkurrencë komunitetesh fetare për të ngritur objekte kulti;
- përpjekje për të përfituar nga ndihmat;
- ndërrime besimesh për interesa ekonomikë;
- falsifikime emrash nëpër pasaporta;
- Alinj të kthyer në Vasilë;
- fshatarë që iu hodhën vajzave ferexhetë mbi surrat;
- Artanë që lanë mjekër dhe u nisën për haxhillëk;
- myslimanë të “betuar” që shëllëren me gratë e me vajzat në plazh, duke pirë birrë dhe ngrënë bërxolla derri;
- Mereme që martohen te Kisha Katolike se aty iu del dasma më bukur;
- djem e vajza me kryqe në qafë që s’e kanë parë një herë derën e kishës dhe s’dinë asnjë rresht nga Bibla;
- ortodoksë që urojnë “inshallah po na del ndonjë vizë”;
- metodistë, evangjelistë, pentakostë, të krishterë të ringjallur, bahai, budistë, hindu,
- agnostë, ateistë të qartë e të turbullt,
- e të tjerë, e të tjerë.

Këtyre mund t’iu shtosh pa frikë ata dhjetëra mijëra (të paktën) që janë martuar midis besimeve të ndryshme dhe një brezi të tërë trashëgimtarësh të një identiteti fetar fare të papërcaktuar.

Them se s’ka asgjë të keqe t’i drejtohesh këtij populli me një qëndrim kaq të veçantë dhe origjinal ndaj fesë dhe ta pyesësh: O njerëz, çfarë e ndjeni veten? – Myslimanë, Ortodoksë, Katolikë, Bektashinj, Tjetër Fe, të pa Fe, Ateistë, Agnostë; apo thjesht njerëz që s’duan ta deklarojnë fenë.

Nuk ka asnjë shkelje të të drejtës së njeriut dhe nuk përbën asnjë rrezik për interesin kombëtar.

Ka shumë që mendojnë se përgjigja e pyetjes “çfarë feje i përket?”, shkel të drejtat e njeriut. Ata që mendojnë kështu, le të mos i përgjigjen i përgjigjen fare pyetjes. Le ta lënë kutinë bosh, ose të shkruajnë: “Përgjigja e kësaj pyetje shkel të drejtat e mija si njeri”. (Në Censusin e Kanadasë të vitit 2000, të njëjtës pyetje mbi 40,000 kanadezë iu përgjigjën me fjalën “Xhedai” - një fe imagjinare nga filmat “Star Wars”. Natyrisht, ata talleshin me pyetjen dhe donin të tregonin se s’i përkisnin asnjë feje. Ose, edhe në qoftë se i përkisnin, nuk donin ta deklaronin në një pyetësor.)

Cilido qoftë përfundimi, ata që qeverisin do të dinë fare mirë se kë po qeverisin. Bota do ta marrë vesh se me kë ka të bëjë. Shqiptarët do të dinë të ndërtojnë një strategji kombëtare të përputhur në një realitet të matur, dhe jo në shifra të nxjerra në mënyrë të dyshimtë, nga një burokraci e dyshimtë, në një kohë të dyshimtë, gati treçerek shekulli më parë.

Mbase del se duhet të rrimë në Konferencën Islamike (dhe në këtë rast do të vazhdojmë të bëjmë atë që po bëjmë edhe pa regjistrimin fetar të popullsisë). Por mbase mund të dalë që duhet të largohemi prej saj. Në këtë rast, do të bëhet më mire. Mbase del që jemi vërtet vend mysliman – dhe atëherë duhet të vrasim mendjen se si t’ia mbushim mendjen Perëndimit të na pranojë si vend mysliman.

Por mbase del që nuk jemi edhe aq vend mysliman. Mbase del që identiteti shqiptar është më i fortë se ai fetar, që feja e secilit prej nesh është punë që s’i hyn në qese as qeverisë, as Perëndimit, as gazetarëve, as analistëve ndërkombëtarë. Në këtë rast, askush nuk ka të drejtë të na thotë se jemi vend Mysliman, apo i ndonjë feje tjetër.

Pika e dytë e nxehtë është regjistrimi i përkatësisë etnike të popullsisë. Ndrojtja është se mos ngrihet Greqia dhe thotë - e shikon, na dolën kaq dhe aq grekë në Shqipëri. Na e jepni ne gjysmën e Shqipërisë. Në Shqipëri ka shumë njerëz që kanë frikë se kjo mund të ndodhë ndonjë ditë. Çuditërisht, në Greqi, dhe (edhe më çuditërisht, në komunitetin grek të Amerikës) ka shumë nga ata që shpresojnë se kjo do të ndodhë. Madje duket sikur ka edhe një politikë gjysmë-shtetërore greke që e përkrah këtë idiotësi.

Një miku im nga Korça më thoshte një ditë: “Mora pasaportë greke, unë dhe gjithë familja. Jo vetëm ne, por edhe familjet e filanit, filanit dhe filanit. Tani jemi një dorë që bëjmë pushimet së bashku nëpër Evropë. Jo vetëm kaq, por do të përfitojmë edhe pension nuk di përse, por mua m’u duk vërtet për të qeshur. Këta korçarë, që unë i njihja të gjithë, nuk kishin as lidhjen më të vogël me Greqinë - nuk kishin prejardhje greke, nuk kishin emigruar në Greqi, nuk kishin punuar asnjë ditë atje. “Po si e morët pasaportën?”, e pyeta. “Nuk ishte e vështirë. Na e dha Konsulli grek në Korçë".

Nuk mund ta vë dorën në zjarr sa e vërtetë është që konsulli grek në Korçë iu jep qytetarëve shqiptarë pasaporta greke. Këtë punë mund ta verifikojë Shërbimi Informativ Kombëtar, pasi atë detyrë ka.

Sidoqoftë, ma do mendja se ajo pjesë e qeverisë greke që merret me këtë punë (nëse vërtet merret) duhet të ketë edhe të dhëna të sakta – të paktën numrin e pasaportave që ka lëshuar për shqiptarët. S’besoj se ata janë po presin që ne shqiptarët të themi se sa grekë kemi. Pra, në këtë rast, numërimi nga ana jonë i atyre që duan të deklarohen si grekë, nuk mund të nxjerrë kurrsesi ndonjë shifër më të lartë se sa ajo që kanë grekët vetë.

Pra, në këtë rast, politika agresive e grekëve (nëse është vërtet e tillë) nuk kundërshtohet duke futur kokën në rërë si struci dhe duke refuzuar të numërosh popullsinë, por me metoda të tjera. Për shembull, mund t’i kujtohet Evropës (së cilës, kohët e fundit, i ka ardhur në majë të hundës me mënyrën se si grekët shpërdorojnë paratë e taksapaguesve evropianë) se Greqia përdor kaq edhe aq para për t’i dhënë pensione disa shqiptarëve që s’janë fare grekë, vetëm e vetëm që të kënaqë ca ambicie nacionaliste dhe një mentalitet shovinist të shekullit të 19-të.

Këtë punë duhet ta bëjë qeveria shqiptare – natyrisht, me kujdes, sepse qeveritarët shqiptarë duhet ta kenë kuptuar që në 1997-ën se Athina nuk mund të kundërshtohet asnjëherë hapur. Megjithatë, po të jetë vullneti i mirë, gjenden mënyrat.

Ndërkohë, qeveria s’ka përse të mos regjistrojë popullsinë ashtu siç është. Ai miku im (bashkë me familjen e tij dhe me familjet e tre shokëve të tij) që janë të gjithë shqiptarë, kur t’iu vijë pyetësori nuk do të kenë asnjë arsye përse ta mohojnë faktin që janë shqiptarë.

Është e vërtetë që ata kanë pasaportë greke, por nuk ka asnjë të arsye përse të kanë djegur pasaportën shqiptare (në fund të fundit, ata duan të marrin pensionin grek, por nuk besoj se janë të gatshëm të lëshojnë pensionin shqiptar). Është e vërtetë që kur ua do puna për të shëtitur në Evropë thonë se janë grekë, por është edhe po aq e vërtetë që as ata, as prindërit e tyre, as gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre i kanë thënë bukës – bukë.

Duket vërtet e pamundur që Shqipërisë dhe shqiptarëve t’i vijë ndonjë gjë e keqe nga regjistrimi i saktë i popullsisë. Përkundrazi, ky regjistrim do të na bëjë më të vetëdijshëm se kush jemi dhe do të na ndihmojë për të kuptuar më mirë vetveten.

E vërteta duhet parë gjithmonë në sy, edhe në rastet kur nuk na pëlqen. Për më tepër, e vërteta nuk ka qenë asnjëherë në kundërshtim me interesat historikë të shqiptarëve. Ne jemi një komb që kemi vuajtur nga shtrembërimet e historisë, nga gënjeshtrat, dhe jo nga dalja e të vërtetës në shesh.

27 janar 2010


Komente

kalimtar/e
anonimi 
27 janar 2010, 19:25
Citim:
Duket vërtet e pamundur që Shqipërisë dhe shqiptarëve t’i vijë ndonjë gjë e keqe nga regjistrimi i saktë i popullsisë.

Po c'do qeveria me perkatesine fetare te njerezve. Besimi eshte ceshtje personale dhe qe mund te ndryshoje nga nje cast ne tjetrin. Besimet fetare nuk jane detyre e qeverise te merret me to. Cfare u beme ketu Iran.



postieri
postieri 
28 janar 2010, 00:50
Arbenin e lexoj me qejf, po këtu nuk e ka të qartë që po shkelet Kushtetuta dhe ndarja e shtetit nga feja. Nuk është funksion i shtetit të merret me fenë e shtetasve. Siç e tha dhe Skerdilaidi te tema tjetër, po pastaj në çfarë çështjesh të tjera private do i fusë hundët shteti? Ku do e vëmë kufirin? Mos gabimisht rrojmë ende në komunizën dhe s'e kemi marrë vesh?



kalimtar/e
Ardit V. 
28 janar 2010, 02:12
Njerezit s'e kuptojne qe shkelet vija ndarese mes fese dhe shtetit. Neser mund te dale Athina, Stambolli e Vatikani te kerkoje funksione politike, nqs shteti fut hundet tek feja. Lerini ore fete te vdesin ne heshtje, cdreqin duan qe i trazojne se i vjen ere.



kalimtar/e
Baci Permet 
3 mars 2010, 21:34
Tani qe kulaci dhe gerbaci grek eshte ne kulmet e tij, perfshirja ne regjistrim e fese dhe kombesise do te jep nje pasqyre te deformuar te realitetit qe i vlen vetem politikes keqdashese e largpamese greke.
Po ashtu dhe shtresa ateiste nuk del reale sepse eshte nen presionin e propagandes idiote fetare qe gjen mbeshtetje edhe nga mediat tona "moderne" e "demokratike". Ata censurojne mendimet dhe bindjet qe bien ndesh me ato fetare! Kete veprim arkaik, antiligjor dhe te turpshem ata e bejne bile ne menyre deklarative!!!!! Eshte ne nderin e ideatorit te kesaj faqeje qe te ndjeke dhe trajtoje ligjerisht kete aspakt te medias tone, ne instancat perkatese.



231
231 
30 korrik 2010, 06:32
OJQ-të e abrahamikëve si SSH, KOASH, KMSH, KBB, KR etj. le t'i regjistrojnë vetë anëtarët e tyre. S'ka punë shteti të identifikojë anëtarët e OJQ-ve në regjistrimin e popullsisë.



Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019