k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

“Përkatësia fetare” në regjistrin shtetëror, përligjje zyrtare e tërë të këqijave!


Nuk ka gjë më të adhuruar në botë nga grupet e ithtarëve përkatës sesa fetë, në veçanti imazhi i “zotit” apo “perëndive”, të cilat na vinë që nga lashtësia. Po aq janë bërë ato edhe të debatuara e të diskutueshme botërisht, madje, gjithnjë e më fuqishëm, si instrumente politike-indoktrinuese konfliktesh të përgjakshme e “mollë sherri”, si ballafaqim i pandërprerë me shkencën deri në shtyllën e çdo besimi monoteist se “ka apo s`ka zot!”; si konflikt disa shekullor me shtetin e politikën për pushtet e status sa më të privilegjuar, si mjete të dasive, intolerancës e diskriminimit e deri te zëvendësimi në veprimtarinë e shteteve i së drejtës “hyjnore” e porosive morale, fetare me të drejtën civile dhe moralin njerëzor.

Dhe ja tani, debati më i ri, ai me temë: në regjistrimin e popullsisë së Shqipërisë në vitin 2011, a duhet shënuar edhe përkatësia fetare e shtetasve?

Duke u bashkuar pa rezerva me pozicionin e shëndoshë të shoqërisë civile dhe mendimin intelektual serioz, e them me bindje dhe pa ekuivok se nisma qeveritare për të bërë zyrtare përkatësinë fetare, është përligjje dhe mbarsje e të gjitha të këqijave. Le të formulojmë ato më kryesoret:

Së pari, për një shtet laik, që ka sanksionuar me Kushtetutë parimin demokratik të laicizmit, të besuarit mbetet një çështje private, personale e secilit.

Të besosh apo të mos besosh, nuk është aspak një çështje institucionale, por çështje ndërgjegjeje e secilit, është një pëlqim, zgjedhje e zgjidhje individuale, që e bën secili sipas brumit, gjendjes shpirtërore, halleve dhe tërë vorbullës së jetës.

Njerëzimi, veçanërisht Evropa, gjithnjë sfiduese e prijëse, që me Rilindjen e saj, arriti të sanksionojë parimin e madh të laicizmit, ndarjen e shtetit dhe shkollës nga Faltorja e feja me çmim të pallogaritshëm viktimash, me një argumentim politik-juridik solid, të cilat nuk mund të shpërfillen sot në shekullin 21 nga cilado qeveri që pretendon integrimin.

Plasi nga marazi Vatikani që në Kushtetutën e BE të sanksionohej në njëfarë mënyre feja krishtere, por fitoi dhe bëri ligjin arsyeja e shëndoshë. Evropa e emancipuar nuk e përfshin përkatësinë fetare në kriteret dhe standardet e saj, përndryshe ajo do të ishte për të qarë hallin.

Marrja në konsideratë zyrtarisht sot e përkatësisë fetare, siç e ka bërë nijet qeveria shqiptare, është sfidë, fyerje, goditje dhe shkelje e rëndë e arritjeve të progresit dhe kulturës emancipuese të njerëzimit.

Së dyti, në këtë kontekst, deklarimet qeveritare se regjistrimi në fjalë qenka i “standardeve evropiane”, janë eufemizma boshe, demagogjike, që të kujtojnë shprehjen popullore “I zoti s`e jep, tellalli e shet!”

Në qoftë se klithmat mesjetare të Athinës zyrtare na ofrohen si “zë i Evropës”, atëherë na mbetet të themi se qeverisë shqiptare i ka humbur integriteti dhe dinjiteti politik e kombëtar. Ajo bën pazare me fqinjin tonë jugor, shet interesat e vendit dhe popullit të vet, nuk e ka personalitetin e duhur, as kapacitetet për një qëndrim të drejtë e parimor, mbështetur në barazi dhe reciprocitet.

Shtetarëve tanë nuk ua mbush dot mendjen as Henri Kisinger, i cili pohon se “kërkesat fetare janë vetëm pretekste për qëllime politike e strategjike” (“Diplomati”, fq. 93). Dhe pretendimet serbe ndaj Kosovës, një lloj dhe ato greke ndaj Shqipërisë, me ngjyrime fetare, janë ilustrimi më i mirë i kësaj ideje brilante.

Por për statusin e feve, po të dojë, le të mësojë Greqia nga Shqipëria, që është parimisht në progres dhe jo kurrë anasjelltas, gjë që është regres i mirëfilltë!

Por nga qeveritë që ndërtojnë kishëz-kështjellë mu midis dhe në hundën e dikastereve, shesin autoqefalinë e Kishës Ortodokse, realizuar me sa mund e sakrifica dhe mbajnë në krye të saj një shtetas grek, gjithçka mund të presësh.

Së treti, në një regjistrim popullsie ka shumë të dhëna të tjera me interes për politikat shtetërore si “sa emigrantë ka familja dhe ku janë”, “profesioni” dhe “punësimi”, “niveli i jetesës” e të tjera, kurse “të besuarit” është ashtu pa vlera utilitare, siç është tullacëria e burrave, si dhe qenia e bashkëshorteve të tyre bionde apo brune!

Kërkesa në regjistrim e “përkatësisë etnike”, e kombësisë, si identiteti më tipik, më përfaqësues, i natyrshëm dhe i qëndrueshëm, është e domosdoshme, e rëndësishme, e padiskutueshme.

Le të zhvillojë çdo komunitet etnik kulturën dhe traditat e veta, sepse kështu jeta bëhet më e bukur dhe më e pasur. Kurse përfshirja posaçërisht e “përkatësisë fetare” është e tepërt, e kotë, e dëmshme.

Komisioni Kombëtar i regjistrimit dhe vetë ministri i Shtetit, në intervistën televizive “7x7” dt, 19 janar 2010, nuk hyri fare në polemikë, as me gazetarin, as me oponencat e para publike, nuk përcolli asnjë ide të dobisë apo leverdisë së regjistrimit të këtij komponenti, se kujt do t’i shërbejë dhe ç’plane e projekte do të hartojë qeveria me këtë tregues.

Shoqëria civile me oponencën e vet, i rrëfen ministrit nga shkon rruga, ai del publikisht me përgjigjen se e di vetë që “bën tri grosh oka”. Të tjerët i thonë: “Po futesh në rrugë antikombëtare”, atij s`i bën tërr syri e veshi fare! Po të kishte një përgjigje të qartë e bindëse në këtë drejtim, kuptohet, njerëzit i kanë në kokë aq mend sa të mos i bien të mirës me këmbë!

“Të besuarit” nuk i jep e nuk i shërben me asgjë panoramës social-ekonomike. Por nga një shtet që shënon në Preambulën e Kushtetutës frazën “Ky popull me besim te zoti...”, që mban një Komitet të posaçëm për kultet, në vend që t`i trajtojë komunitetet fetare thjesht si dhe OJQ-të e shoqërisë civile; që harton një goxha Projektligj “Mbi lirinë e fesë dhe marrëdhëniet e Komuniteteve fetare me shtetin”, por e mban atë në sirtar, nuk e kalon në parlament e kufizohet me financimin e kulteve me një shumë të konsiderueshme etj., nuk mund të çuditemi pse presim dhe bëma të tjera.

Dhe kështu thellohet hendeku midis qeverisi dhe shoqërisë civile; po kujt i intereson kjo?

Së katërti, zyrtarizmi serioz i përkatësisë fetare të qytetarëve përbën një sfidë për kohezionin kombëtar të shqiptarëve, për ato përpjekje dhe sakrifica të shumë brezave, të cilat, jo vetëm e vunë kombësinë mbi fenë, jo vetëm shpallën idenë lapidare “Feja e shqiptarit është shqiptaria”, por selitën edhe virtytin e bukur të tolerancës ndërfetare, këtë imunitet atdhetar ndaj atij instrumentalizimi të njohur shekullor antishqiptar të feve kryesore nga fqinjët dhe ish-pushtuesit!

Ky kohezion farkëtohet sot më tej, jo nëpërmjet evidentimit dhe theksimit zyrtar të dasive fetare, por duke i lënë ato në punën e vet, të mbijetojnë me mundësitë veta dhe të indoktrinojnë ithtarë me mjetet e veta, që i kanë më se të bollshme.

Kërkesat e shifrave fetare të popullsisë shqiptare janë të interesave të ngushta dhe të errëta!

Ndërsa jeta është e motivuar dhe po çon natyrshëm në shuarjen e besimeve të verbra, në afirmimin e bindjes dhe forcës së njeriut, po krijohen lidhje dhe raporte njerëzore që nuk i përfillin fare dasitë fetare.

“Jo, - thonë shtetarët tanë, - “fenë e shenjtë” e “qiellore”, me “zotin e madhërishëm” si bosht e qëllim të saj, nuk e lëmë të shuhet natyrshëm, se, sa të jemi ne në pushtet, nuk ka burrë dheu që t`i sfidojë ato!”

Armata e madhe e klerikëve nëpër faltore e institucione të tjera fetare bën po atë jetë tokësore e mëkatare, kurse qeveria u mban atyre bishtin e vellos së “shenjtërisë” e “qiellores”, i sajdis, i përkëdhel e glorifikon, sikur vërtet dhe seriozisht ka të bëje me “njerëz të zotit” dhe “shtëpi të zotit”.

Shtetarët tanë nuk ia vënë veshin as konstatimit të urtë, shumë të saktë të Godos se, “në Shqipëri, nga monizmi në tranzicion, u kalua nga njëri ekstrem në tjetrin, nga mohimi me dhunë i gjithçkaje që lidhej me besimin, në servilizëm banal të shtetit ndaj fesë”.

Së pesti, në ka gjë më rrjedhëse, dinamike, e paqëndrueshme, e ndryshueshme, gati e pakapshme në shpirtin njerëzor, kjo është lloji i të besuarit, intensiteti dhe angazhimi i njerëzve në kult.

Të etiketosh fëmijët, të miturit e adoleshentët si “myslimanë”, “ortodoksë” etj., kjo do të ishte imponim dhe dhunim i lirisë së ndërgjegjes së tyre.

Qeveria do t`i “ngrinte”, do t`i “nguroste” ata si të tillë, kur dokumentet dhe konventat evropiane e ndërkombëtare sanksionojnë qartë të drejtën që njeriu duhet të ndërgjegjësohet dhe të vendosë vetë “të besojë”, “të mos besojë” ose dhe të “ndryshojë besimin”.

Qeveria jonë do t`i paravendosë fëmijëve vulën e besimit, ashtu siç i ka vendosur feja mbarë njerëzimit damkën e “Mëkatit të Parë”, nga buruakan dhe vuajtjet brez pas brezi për shlyerjen e tij!

Sa individë janë, aq janë dhe llojet e mënyrat e të besuarit. Shqiptarët, ka thënë me të drejtë Eduard Zaloshnja, janë mbi 60% deistë, domethënë i besojnë një “force” të caktuar dhe nuk duan t`ia dinë fare për dhjetëra kulte fetare në tokë me emrat të ndryshëm dhe të cilat nuk i dallojnë nga tufa e partive politike që kanë mbirë në sistemin pluralist!

Të pyesësh shqiptarin sot “ç`fe ke”, është gati njëlloj sikur t`i kërkosh atij “me cilën parti je”. Ka të tjerë që në mendime e sjellje janë panteistë, paganë, animistë, spiritualistë, totemë etj. Çdo individ është një botë e brendshme shpirtërore më vete.

Po kur prindërit janë të feve të ndryshme, ku do të rreshtohen fëmijët e tyre të mitur?! Pra, kaq relative dhe e papërcaktuar qartë është kjo përkatësia fetare, sa do t`i vendosë në pozitë të vështirë edhe qytetarët, edhe ekipet regjistruese, po mbeti kjo pikë për t`u kryer.

Fakti që edhe ministri i Shtetit pohoi se qytetari ka dhe të drejtën “të mos e deklarojë besimin”, do të thotë se kërkesa është fare e kotë, pa rrjedhojë konkluduese për ndonjë projekt a ndërhyrje të shtetit.

Heqja e kësaj kërkese nga Fleta e regjistrimit dhe pasurimi i saj me kërkesa të dobishme e pozitivisht funksionale, kjo do të ishte në seriozitetin dhe dinjitetin e atij Komisioni kombëtar!

Kurse “kombësia” do të kërkonte nga ekipet e regjistrimit edhe njëfarë investigimi, për të mos mbetur një deklarim i çastit, arbitrar e konjuktural.

Së gjashti, se shtetarët tanë qëlluan besimtarë, se orë e çast na përmendin që “zoti e do Shqipërinë”, se ata i druhen termit “ateizëm”, dhe, me miopi e mllef, e cilësojnë atë si një fjalë të keqe, që na ndjekka prej vitit 1967, ky nuk është fare argument, por tregues, dëshmi e një fryme teologjike të qeveritarëve tanë, tashmë të perënduar.

Alergjia e disa shtetarëve nga ateizmi është vetëm tregues i intolerancës dhe shpirtit diskriminues të tyre. Ata i ngjajnë strucit që fsheh kokën, nuk e sheh vetë ateizmin dhe kështu e deklaron atë të paqenë.

Sipas mendjes së ministrit të Shtetit, nuk qenka me vend të deklarohesh “ateist”, për mjafton të thuash “agnostik”, domethënë të shkosh me mendje deri atje sa të pranosh se nuk ke mundësi të njohësh drejtpërsëdrejti dhe personalisht zotin, madje, larg qoftë, të mos thuash me plot gojën se “nuk ka zot”, se “zot-hiçi” dhe “iluzioni fe” janë “padije dhe errësirë, pranga e kërbaç”, siç është shprehur Bjelinski, se ateizmi është kulturë dhe arsye e popujve, se besimet patën të kaluar, por nuk kanë të ardhme e të tjera.

Të gjitha këto janë të papranueshme e të patolerueshme për shtetarët që i ka kapur qymyri fetar. Por ateisti e sfidon hapur dogmën e zotit dhe i thotë “atij” serbes: “Më dil në ndonjë qoshe, po s`ta përdrodha kokën si të zogut!” Janë të tilla arsyet e motivet që u shpall dhe u sanksionua parimi i laicitetit dhe feve e faltoreve, pas Rilindjes Evropiane u kanë rënë pendët, u është ulur hunda!

Shtetarët tanë nuk dëgjojnë dot as zërin e anglezit të madh Xhon Lok, i cili që para më se tre shekujve konkludonte: “Feja e shtetarit është e vërtetë vetëm për veten e tij” (“Letra për tolerancën”, fq. 23).

Shtetarëve, sikurse dhe mësuesve, fryma e kohës u dikton imperativin: “Ateist mund të mos jesh i zoti të bëhesh, se të del pengesë agnosticizmi, por laik je i detyruar të jesh e të sillesh i tillë!”

Së shtati, duan apo nuk duan shtetarët tanë, ateizmi, mbështetur në shkencë dhe argumente bindëse, në vetë përvojën e jetës, është sot botëkuptim dhe mënyrë jetese e miliona njerëzve dhe, nëse e shumëzojnë zotin me zero, këtë e bëjnë me mend në kokë, synojnë rritjen e pushtetit të njerëzimit nëpërmjet njohjes së thellë dhe menaxhimit të ligjeve të natyrës.

Dhe ajo, natyra, na thotë: “Si të më përdorni e drejtoni, ashtu edhe ua kthej e shpërblej”. Kudo ku në natyrë ndërhyn njeriu, siç mund të përmendim dhe kaskadën e Drinit, atje, të mirat, si dhe të këqijat janë ekskluzivisht vepër e mendjes dhe dorës së tij dhe nuk mund të shumohen me veprime të tjera anësore të saj, që vijnë për koincidencë dhe krahas veprimtarisë njerëzore!

Ne konstatojmë me dhimbje sot se, në vazhdën e ish-mbretërve dhe perandorëve, që “hirin dhe hijen hyjnore” i përdornin si mjete të shenjtërimit dhe forcimit të sundimit të tyre, shtetarët e sotëm fanatikë e konservatorë i referohen dogmës së zotit, lakojnë të ashtuquajturin “zemërim të tij” si mjetin më të lehtë të justifikimit dhe shkarkimit të përgjegjësive të tyre.

Ateizmi shpreh bindjen se “zoti” është iluzor, fiktiv e konvencional sikurse dhe ky “zemërim” i sajuar, ashtu janë një fjalë goje, boshe e pa bereqet edhe shprehjet “zoti na ndihmoftë!” “zoti e bëftë mbarë!” etj.

Ato janë si paterica false, si auto-sugjestionim shpirtëror i një shprese boshe. Kot nuk thotë populli: “S`bëhet vreshta me urta, po me shata e lopata”.

Së teti, vërtet ka perënduar ajo kohë, kur perënditë dëshironin ta pinin nektarin vetëm me kafka njerëzish, kur varroseshin të gjallë, vriteshin egërsisht qindra njerëz si shenjë të adhurimit hyjnor apo që të binte shi, por edhe spekulimet e sotme me “pagabueshmërinë” e hiç-zotit, me mbajtjen seriozisht në konsideratë të kapriçove dhe zemërimeve të tij, të cilit “s`paskemi ç`t’i bëjmë”, se “ai vepron sipas qejfit të vet” etj., janë sot fatalitete që vazhdojnë t`i sjellin njerëzimit dëme të pallogaritshme.

Thelbi, forca dhe lezeti i demokracisë politike të vërtetë, që respekton lirinë e ndërgjegjes, është që t`i njohë dhe ateizmit të drejtën e ndërgjegjes dhe të fjalës, kurse institucionet shtetërore dhe arsimtarët në shkollë, në sjelljet dhe prononcimet e tyre, të paktën, të mos e cenojnë parimin e laicizmit.

Kjo do të thotë të mos e mbërthejnë shoqërinë në cilëndo mjegull shpirtërore e konceptuale, të mos e indoktrinojnë atë njëanshmërisht ideologjikisht, në veçanti, të mos përdorin forcën dhe autoritetin e ligjit, të pushtetit në favor të fesë, siç ka qenë negativisht tradita e ish-sistemit monist socialist në drejtimin e njëanshëm vetëm ateist apo çdo ideologjie tjetër.

Shoqëria demokratike dhe e emancipuar i ka motivet dhe forcat të bëjë seleksionimin dhe të gjejë rrugën e progresit.

Si përfundim, në tërësi, po themi se s`ka pushtetarë e politikë që s`bën gabime, çështja është ç`përmasa kanë ato. Po kur ato s`njihen, mbulohen e justifikohen, atëherë, sasia negative kalon në cilësi negative dhe vetë gabimi kthehet në faj!

Të gjitha argumentet flasin edhe kundër regjistrimit të përkatësisë fetare në dokumentet shtetërore, prandaj është ende koha për të reflektuar.

21 janar 2010


Komente

kalimtar/e
opsys 
24 janar 2010, 03:47
Shume mire e ka sqaruar profesori. Kjo levizje e njeanshme e Pollos qe eshte nje fanatik ortodoks nga ata qe puthin duar Janullatosesh, mban ere kilometra larg.



kalimtar/e
Baci Permet 
3 mars 2010, 22:08
Bravo profesor Hulusi Hako. Shkrim me interes, dijnjitoz dhe kurajoz.
Ah sikur te kishte Shqiperia edhe shume si ti!



kalimtar/e
selami 
5 shtator 2010, 07:50
Me pelqeu shume ky shkrim shume analitik dhe patjeter qe duhet perkrahur .Te deklaruarit e perkatesise ose mos perkatesise fetare nuk duhet te jete fare perzente ne formularet e rgjistrimit civil, kursesi... fjm profesor per kontributin e dhene ne kete kuptim.



Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019