k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Reportazh: Kaçaniku, "kryeqyteti xhihadist i Ballkanit"


I ndodhur në një luginë mes pyjesh, për mbrojtjen e së cilës qytetarët kanë dhënë dhe jetën, qyteti i Kaçanikut në jug të Kosovës është një vend tepër krenar për dëshmorët e tij.

Varrezat e mirëmbajtura të qytetit përfshijnë dhe rreth 100 viktima të spastrimit etnik nga serbët gjatë vitit 1999, ndërsa në qendrën e qytetit, ngrihet një statujë me raketëhedhëse në kujtim të dëshmorëve të Brigadës 162, të UÇK-së.

Por tanimë, një dhjetëvjeçar e gjysmë pas luftës që solli pavarësinë e Kosovës, ka dalë një sërë e re luftëtarësh për të cilët Kaçaniku nuk ndihet dhe aq krenar.

Gjatë tri viteve të fundit, 24 meshkuj të zonës u janë bashkuar grupeve xhihadiste në Siri dhe në Irak, duke i dhënë qytetit prej 30 000 banorësh dhe emrin e padëshiruar të "kryeqytetit xhihadist të Ballkanit".

Për t'i shtuar turpit të qytetit, njëri prej tyre, një rekrutues 25-vjeçar me emrin Lavdrim Muhaxheri, ka kryer krime aq makabre sa ato që shqiptarët pësuan në Kaçanik në vitin 1999, vit kur trupat britanike zbuluan dhe një varr masiv me 81 kufoma.

Verën e kaluar, në një akt që shkaktoi tronditje të opinionit në Kosovë, Muhaxheri publikoi në "Facebook" foto të tij duke i prerë kokën një personi të dyshuar për spiunazh kundër organizatës islamike ISIS. Në një foto tjetër Muhaxheri shfaqej duke ekzekutuar me raketëhedhëse një sirian të lidhur.

"Muhaxheri i ka dhënë Kaçanikut emrin e qytetit më radikal islamik të Kosovës, në mos të të gjithë Ballkanit" - thotë Musli Verbani, një hoxhë i qytetit, i cili pohon se islamikët e vijës së ashpër e kanë dëbuar nga "Bashkësia Islame" e Kaçanikut katër vite më parë.

"I paralajmërova se do të ndodhte diçka e tillë, por s'më dëgjoi kush." - thotë Verbani.

Kosova natyrisht nuk është e vetme mes shteteve evropiane që ka nxjerrë figura të ngjashme me "Xhon Xhihadin" britanik. Por për një shtet 1,8 milionë banorësh, pesha është tepër e rëndë për sa i përket qytetarëve që i janë bashkuar ISIS-it.

Ministira e Brendshme e Kosovës vlerëson se rreth 300 shtetas kanë ndjekur hapat e Muhaxherit, duke e bërë Kosovën kontribuuesin më të madh në ISIS për banor nga të gjitha shtetet e tjera të kontinentit evropian.

Së bashku me Shqipërinë fqinjë, e cila shënon rreth 200 të tillë dhe Bosnjën me rreth 160, Kosova shihet tashmë si platformë e mundshme e hapjes së frontit të ri të ISIS-it kundër Evropës, duke nisur pikërisht nga Ballkani.

Ajo që ka alarmuar funksionarët e sigurisë në shtetet perëndimore është fakti përse kosovarët, cilido syresh, kanë zgjedhur t'u bashkohen fanatikëve të ISIS-it. Fundja, në vitin 1999, ishte pikërisht Perëndimi që shpëtoi popullsinë e Kosovës, së bashku me inkursionet bombarduese të NATO-s që ndaluan spastrimin etnik nga ekstremistët serbë.

Që prej atëherë Kosova ka qenë tepër properëndimore, madje në kryeqytetin e saj është ngritur dhe një statujë e Bill Klintonit, si dhe një rruge i është vënë emri i Xhorxh Bushit, president i SHBA-së gjatë vitit 2008 kur Kosovës iu njoh formalisht pavarësia. Madje në Kosovë ka dhe raste të të rinjve të quajtur "Toni" për nder të Toni Blerit.

Një pjesë e madhe e shtetasve të Kosovës ndjekin një islamizëm të lehtë ku pijetoret ndodhen në të njëjtën rrugë me xhamitë dhe i cili kufizohet nga një kushtetutë që promovon diversitetin e ndaluar më herët gjatë komunizmit.

Por duket se pikërisht këto vlera liberale janë dhe ato që kanë lejuar lulëzimin e zërave më pak tolerantë, mes tyre dhe fondacionet islamike të vijës së ashpër që kanë hyrë në vend gjatë viteve kaotike pas luftës.

Gjendja e islamizmit në qytetet si Kaçaniku është e tillë që bashkia e qytetit pati një vizitë nga vetë ministri i Brendshëm, Skënder Hyseni. "Kosova është një shtet multikulturor, jo terrorist," u tha ai funksionarëve të mbledhur, duke folur përpara një tryeze ku ndodheshin flamurët e Kosovës dhe të SHBA-së. "Ata që shkojnë përtej detit po u bashkohen grupeve që përhapin dhunë dhe terror.”

Në vetëmbrojtje qeveria e Kosovës pohon se shtetet e tjera evropiane kanë praktikisht shifra më të larta radikalizimi nëse llogaritja kryhet mbi bazën e besimtarëve islamikë gjithsej që ka secili shtet.

Por pas publikimeve tronditëse të Muhaxherit verën e kaluar, ministri Hyseni ka ndërmarrë veprime konkretete duke arrestuar rreth 100 ekstremistë të dyshuar, mes të cilëve dhe vetë kreun e xhamisë qendrore të Prishtinës.

Ndjekja penale është në ecuri e sipër për rrjete të ndryshme rekrutimi, duke përfshirë dhe një syresh që përcillte mesazhe nëpërmjet qebaptoreve pranë pikës ku ndodhet statuja e Bill Klintonit në Prishtinë.

Por sipas hoxhës Musli Verbani nga Kaçaniku, tashmë është tepër vonë.

Musli Verbani, ish-luftëtar i UÇK-së përfaqëson anën e islamizmit të lehtë kosovar. Ai ka studiuar në Kajro dhe e flet mirë arabishten, por nuk dallon fare nga frekuentuesit e tjerë të pijetores ku u takua me korrespondentët tanë, duke qenë se nuk mban as mjekër, as xhybe.

Dhe pikërisht për shkak të pamjes së tij jofetare u detyrua të mbrohej që në vitin 2006, kur përballja me një radikal të ri të zonës të quajtur Jeton Raka u përshkallëzua në dhunë.

"Në fillim Jetoni ishte një fëmijë i urtë kaçanikas, por me kalimin e ditëve filloi të bëhej gjithnjë e më ektremist,” thotë Musli Verbani.

“Thoshte se qeveria e Kosovës është kundër fesë dhe se shkolla u mëson fëmijëve qafirllëkun. I thashë se nuk mund të fliste në atë mënyrë në xhaminë tonë dhe më pas më erdhi në shtëpi duke më thënë 'Do të të djeg, ty dhe familjen bashkë!' dhe në vijim i vuri tritol veturës sime. Por as asokohe nuk më ndihmoi as bashkia dhe as policia."

Raka tashmë mendohet se është në Siri së bashku me Muhaxherin, ndërsa masat e qeverisë i kanë nxjerrë radikalët e tjerë jashtë qytetit.

Por edhe tani vendasit kanë frikë të shprehen për Muhaxherin, pasi në një komunitet të tillë të vogël, shumica prej tyre njohin një person që lufton jashtë.

Një i tillë është dhe Sadik Dema, fqinji i të cilit, Hetem Dema, 41 vjeç, u vra në janar pas luftimeve me fraksionin Xhabat al-Nusra që lufton kundër ISIS-it.

"Ai ka luftuar me UÇK-në dhe ka qenë gjithnjë njeri i mirë dhe besimtar, por nuk ka shfaqur ndonjëherë shenja radikalizmi," thotë Sadik Dema, ndërsa djali pesëvjeçar i Hetemit, Harithi kalon në krahun tonë me biçikletë. "Unë s'kam baba tani" - thërret Harithi, përpara se Sadiku t'i bëjë me shenjë të afrohet. "Për mua kujdesen ungjit."

Arsyeja pse Kaçaniku është kthyer në vatër radikalizmi është e paqartë. Disa pohojnë se mbase arsyeja është fakti që ndodhet më pranë Maqedonisë, vend ku predikuesit e vijës së ashpër të islamizmit janë praktikisht të pakontrolluar.

Disa të tjerë pohojnë se arsyeja është mungesa e perspektivës, një problem ky për të gjithë Kosovën, pasi PBB-ja vjetore për banor është vetëm 3500 euro dhe papunësia mbi 60 për qind. E njëjta varfëri, vijon argumenti i kësaj pjese, e ka bërë tani Kosovën tokë pjellore për fondacionet islamike nga Arabia Saudite, të cilat ofrojnë programe arsimore dhe mirëqenieje bashkë me pikëpamjet radikale të islamizmit.

Arbana Xharra, një gazetare kosovare që ka hetuar veprimtaritë e këtyre organizatave pohon se cilido që flet keq për ta denoncohet publikisht dhe kërcënohet si "islamofob".

"Më është dashur t'u ndryshoj shkollën fëmijëve pasi fillova të marr mesazhe nga interneti ku më kërcënonin se do t'u prisnin fytin fëmijëve të mi - madje dinin dhe oraret kur ata shkonin në shkollë," thotë Xharra.

Ashtu si shumë të tjerë, edhe Xharra fajëson Turqinë, qeveria islamike e të cilës ka financuar rrjete të tëra xhamish në rajonet e Kosovës, Shqipërisë dhe Bosnjës, të cilat ishin të pushtuara dikur nga turqit.

Dhe ndërsa qeveria turke i ka hedhur poshtë pretendimet se ka dhënë mbështetje të heshtur për ISIS-in, nuk janë vetëm kosovarët që pohojnë se në fakt realiteti është ndryshe.

Një diplomat i vjetër i një shteti arab ka pohuar së fundi për "The Telegraph" se radikalizmi do të forcohet në Ballkan për sa kohë që ndikimi turk mbi rajonin do të lihet i pakontrolluar. "Zgjidhja më e sigurt për BE-në është t'i marrë shtetet si Kosova dhe Shqipëria në klubin evropian," ka deklaruar diplomati.

Kjo pikëpamje mbështetet dhe nga Ramadan Ilazi, zëvendësministri 30-vjeçar i Kosovës për Integrim në Evropë, i cili pohon se BE-ja është tejet e ngadaltë në pranimin e kërkesës për anëtarësim të Kosovës.

"Kushtetuta e Kosovës" - thotë ai - "është krejt siç do ta dëshironte një burokrat liberal i BE-së, që nga himni shtetëror i cili ka vetëm muzikë dhe asnjë fjalë, në mënyrë që 'të mos ofendojë kënd'".

Por ende sot shtetasit e Kosovës nuk mund të udhëtojnë në Evropë pa vizë, çka bën që rinia e qyteteve të vogla si Kaçaniku të mos ketë ku të zgjerojë horizontet.

"Kosova u krijua si një lloj ilaçi kundër nacionalizmit dhe shkaqeve të luftës," thotë Ilazi, i cili mban në zyrë një fotografi të tij 14-vjeçar duke i shtrënguar dorën presidentit Bill Klinton.

"Por kur njerëzit nuk shohin rezultate të prekshme të dëshirës së tyre për t'u bërë pjesë e Evropës, kjo u krijon mundësi radikalëve të thonë se Evropa nuk na do."

Por Kosova që ka dhe probleme korrupsioni dhe krimi të organizuar, përballet dhe me Brukselin e lodhur tashmë me procesin e zgjerimit.

Shumica e vlerësimeve parashikojnë edhe një dhjetëvjeçar tjetër përpara se Prishtina të mund të bëhet pjesë e klubit të Brukselit.

Diçka e tillë u jep radikalëve kohë të mjaftueshme për të bërë ndërkohë që njerëzit në qytete si Kaçaniku t'i drejtohen Lindjes dhe jo Perëndimit.

(Reportazh i gazetës britanike "The Telegraph".)

Burimi23 gusht 2015


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019