k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Afganistan: Talebanët konkurrencë me ISIS-in


Milicia e re e IS-it në Afganistan po u bën thirrje talebanëve t’u bashkohen e t’i betohen Al-Bagdadit për besnikëri. Ata shkatërrojnë vende të shenjta, thyejnë televizorë e vrasin civilë. Kalifati ka shkuar deri në Hindukush. E rivalët e tyre talebanë janë bërë më brutalë në përpjekje për të treguar se ata janë zotërit e situatës. Qerthulli i dhunës po shtohet dita-ditës në vendin në të cilin tashmë trupat e NATO-s kanë kohë që janë larguar

“Mirëserdhët në Shtetin Islamik”, shkruhet në një grafit bardhë e zi në një mur në Doband në provincën Logar, rreth një orë me makinë nga kryeqyteti afgan, Kabul. Rajoni prej disa viteve zotërohet nga islamikët radikalë, talebanë, por atyre tashmë po u bën konkurrencë një grupim edhe më ekstrem, i cili sipas akronimit të fjalës me origjinë arabe do të thotë “Shteti Islamik i Sirisë dhe Irakut” për Afganistanin, Daesh.

Në fund të shkurtit, grupi për herë të parë u shfaq në Logar, kur i vuri flakën një vendi të shenjtë mysliman dhe u kërkoi luftëtarëve lokalë talebanë, një betim besnikërie për bindje ndaj Abu Baker al-Bagdadit, liderit apo Kalifit të Shtetit Islamik (IS).

“Ata shkatërruan dhe shtëpi e vranë plot njerëz, thyen televizorët dhe u thoshin atyre, se nuk duhej të shihnin më TV”, raporton një guvernator distrikti, Khalilullah Kamal. Daesh ka bërë për vete jo vetëm në Logar, por edhe në shumë provinca të tjera afgane talebanë – sidomos në Nangahar dhe Helmand. Grupi terrorist ndërkaq është bërë kaq i fortë, saqë amerikanët kanë vënë tashmë në përdorim shumë dronë të armatosur.

Para disa ditësh edhe muxhahedini i moçëm, Gulbuddin Hekmatyar, njoftoi se i përkiste tashmë Daesh-it. Hekmatyar njihet si njëri ndër krerët luftarakë më të ashpër të Afganistanit. Në vitet ’80 ai, me mbështetjen e amerikanëve e pakistanezëve luftoi kundër trupave sovjetike në Hindukush dhe është i famshëm për ndërrimin e shpeshtë të aleancave.
Rënia e Kundusit, çështje kohe

Ndërsa IS-i po fiton terren çdo ditë e më shumë në Afganistan, po forcohen njëkohësisht edhe talebanët. Në veri të vendit duket se është vetëm një çështje kohe tashmë që qyteti Kundus të bjerë në duar të tyre. Talebanët po përfitojnë për momentin prej dobësisë së ushtrisë afgane, e cila pas tërheqjes së trupave të NATO-s të udhëhequra nga SHBA në fund të 2014-s, duhet të mbështetet tërësisht në forcat e veta tashmë dhe nuk mund të përfitojë më mbështetje ajrore.

Në tokë luftimet po bëhen më intensive e me kosto të larta për ushtrinë. Çdo javë vdesin më shumë se 300 ushtarë afganë në luftime: humbjet pra janë alarmante, 17 për qind më shumë krahasuar me një vit më parë. E vrasjet e humbjet e jetëve po prekin edhe civilët. Sipas të dhënave të Misionit të OKB-së në Afganistan, në tre muajt e parë të 2015 vdiqën më shumë se 650 civilë në Hindukush gjatë luftimeve mes talebanëve e ushtrisë.

Qeveria afgane e mbështetur nga Perëndimi është e dobët dhe nuk mund t’i bëjë dot ballë e vetme presionit të talebanëve. Presidenti Ashraf Ghani, që u zgjodh në shtator 2014, kishte premtuar se do të arrinte paqen dhe pajtimin me talebanët, se do rimëkëmbte ekonominë e Afganistanit e se do të luftonte korrupsionin e përhapur në masë.
Konkurrenca ndaj IS-it po i bën talebanët më brutalë

Mirëpo për suksese tashmë nuk mund të flasë dot askush, përkundrazi: megjithëse në Afganistan qysh prej 19 vjetësh bëhet luftë kundër talebanëve, vendi prej nëntë muajsh nuk ka më as ministër Mbrojtjeje. Qeveria është e ndarë dhe akoma nuk po gjen konsensus për të gjetur njeriun që do të duhej të ulej në këtë post të rëndësishëm.

Edhe shpresat e Ghanit se fqinji Pakistan mund të ndihmonte në arritjen e paqes me talebanët, nuk janë përmbushur. Gjatë javës u mbajt në fakt një takim i talebanëve – nën kujdesin e Pakistanit – me përfaqësuesit e qeverisë, por mbetet akoma e paqartë se cili fraksion i talebanëve do të ulet në tavolinën e bisedimeve dhe nëse do të mund ta ushtrojë tërësisht ndikimin e vet, nëse do ketë një marrëveshje.

Shfaqja e IS-it në Afganistan e ka ndryshuar e përkeqësuar edhe më tej gjendjen atje. Nëpërmjet shfaqjes së një grupimi të dytë radikal islamik në Afganistan, talebanët po e shohin veten në presion e po bëhen më radikalë: ata duan të dëshmojnë se janë apo kanë pushtetin absolut në Afganistan në termat e Islamit radikal.

Kështu, në muajin qershor ata sulmuan Parlamentin në Kabul dhe po ashtu edhe karvanët e huaj ushtarakë. Me sulme spektakolare e shumë propagandistike ata duan të tregojnë edhe epërsinë ndaj rivalëve të tyre të Daesh-it, një rivalitet me fytyrë makabre, një rivalitet që po e shkatërron edhe më shumë shpresën për ringjallje në Afganistan, pavarësisht investimit prej më shumë se një dekade e gjysmë të SHBA e aleatëve perëndimorë në atë vend.

Burimi11 korrik 2015


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019