k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Reportazh: Rruga e myslimanëve shqiptarë drejt xhihadit në Siri


Në udhëtimin e parë jashtë Shqipërisë, ai u nis me 400 euro në xhep, një hartë të printuar nga interneti dhe me besimin se po përmbushte fatin e vet para Zotit. Destinacioni ishte fronti i luftës në Siri, por xhihadi i tij përfundoi më shpejt nga sa e kishte menduar.

Dy vjet më vonë, në një lokal të mbushur plot me njerëz në qytetin e tij të lindjes në veri të Shqipërisë, Ebu Merjem* shquhet që së largu prej mjekrës së tij të gjatë dhe pantallonave që varen pezull mbi kyçin e këmbës.

I bezdisur nga vëmendja që tërheq pas vetes, ai zgjedh një ndarje thuajse bosh të lokalit për të rrëfyer arsyet që e shtynë drejt një lufte të largët dhe e kthyen sërish në vendin ku ndjehet i padëshirueshëm.

“Po të kisha mundësi, do të ikja edhe sot të luftoja në Siri. Xhihadin e ka vënë Zoti. Duhet me e dashtë diçka që e don Zoti,” thotë ai pa asnjë dilemë, edhe pas thirrjeve të shumë teologëve të njohur që shqiptarët të rrinë larg luftës së Sirisë.

Ebu Merjemi është një 37 vjeçar i papunë, baba i dy fëmijëve të mitur dhe mysliman praktikant prej 17 vitesh.

Ai është njëri prej rreth 90 burrave, grave e fëmijëve shqiptarë që u nisën drejt Sirisë gjatë viteve 2012-2014, me bindjen se do të bëheshin pjesë e një lufte të shenjtë. Që prej nisjes së konfliktit, 10 shqiptarë kanë humbur jetën në Siri dhe 30 të tjerë janë kthyer në atdhe, përpara hyrjes në fuqi të ligjit që i dënon ata për bashkëpunim me terroristët.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, rreth 50 prej tyre, të identifikuar tashmë nga autoritetet e sigurisë vazhdojnë të jenë pjesë e konfliktit në Siri. Shumica e shqiptarëve i sheh me dyshim arsyet që i shtynë këta njerëz të luftonin e të vriteshin në një luftë që s’është e tyrja. Por Ebu Merjem këmbëngul për të kundërtën.

Ai ka kaluar 37 vitet e jetës së tij në Shqipëri, por beson se shtëpia e tij ndodhet atje ku ka myslimanë. Nëse vëllezërit e tij sulmohen, qoftë edhe mijëra kilometra larg vendit të tij, ai ndjehet i detyruar t’u dalë në mbrojtje.

“Vëllai im është myslimani amerikan, sirian apo francez. Armiku im mund të jetë edhe vëllai që ma ka bërë nëna. Nuk ka asnjë lidhje me kombësinë apo gjakun kjo punë. Unë shkova atje për fenë dhe pengu më i madh është që nuk munda ta përjetoja luftën,” thotë për BIRN xhihadisti shqiptar.

Rruga për në Siri

Siria ishte vendi i fundit arab që u përfshi nga vala e protestave antiqeveritare, në pranverën e vitit 2011, por konflikti mori shumë shpejt nuancat e një lufte civile.

Katapultimi i organizatave terroriste në këtë luftë dhe afërsia gjeografike me Europën e kthyen Sirinë në “Mekën” e xhihadistëve nga e gjithë bota. Përdorimi i internetit dhe i rrjeteve sociale, direkt nga fusha e betejës, i dhanë një popullaritet të panjohur deri më sot, thirrjeve për xhihad anekënd globit, por veçanërisht në Europë, ku një numër jo i vogël i gjeneratës së dytë të emigrantëve me prejardhje nga Lindja e Mesme përqafuan ekstremizmin fetar si alternativë ndaj të ndjerit të përjashtuar nga shoqëria e vendit ku jetojnë.

Nga fillimi i konfliktit e deri më sot, mbi 12 mijë xhihadistë të huaj nga 81 vende të botës janë bashkuar në armë me luftëtarët sirianë. Rreth 3 mijë prej tyre mendohet se u përkasin vendeve Perëndimore.

Nëntëdhjetë prej këtyre luftëtarëve janë shqiptarë, ndjekës të rrymës selafiste që predikohet përkundër dëshirës së Komunitetit zyrtar Mysliman, në disa xhami të izoluara dhe me status të dyshimtë ligjor në Shqipëri.

Këta besimtarë nisën të shfaqeshin gjithnjë e më dendur në aeroportin e Rinasit, në vjeshtën e vitit 2012, ku deklaronin se po udhëtonin drejt Turqisë për vizita shëndetësore. Pjesa tjetër e udhëtimit, drejt frontit të luftës në Siri vazhdonte ilegalisht.

Kryetari i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë, Justinian Topulli rendit disa arsye për përfshirjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë. Ai thotë se ata u solidarizuan fetarisht me popullin sirian në luftën kundër diktaturës, po aq sa gjetën një mundësi arratisjeje nga realiteti shqiptar, ku nuk ndjehen komodë.

Një arsye e tretë, por jo më pak e rëndësishme sipas Topullit është keqkuptimi dhe keqinterpretimi i teksteve fetare për ngjarjet e Ditëve të Fundit, ku gabimisht bëhet aludimi me ato që po ndodhin në Siri.

Emrat e të vrarëve shqiptarë në Siri

Anri Maliqaj nga Tirana
Ermal Xhelo nga Vlora
Denis Jangulli nga Tirana
Hamit Muslija nga Puka
Hasan Korvafaj nga Vlora
Diamant Rasha nga Tirana
Bledian Hamza nga Pogradeci
Sherif Taushani nga Mollasi i Elbasanit
Eri Alinj nga Pogradeci
Shkëlzen Dumani nga Peshkopia

Por Ebu Merjem beson që të sakrifikohesh për xhihadin është qëllimi më i lartë i një myslimani. “Njeriu duhet të synojë atë që është e përjetshmja. Të gjithë kemi për të vdekur një ditë, por të vdesësh si shehid është maja,’ thotë me bindje ai.

Ai u nis në kërkim të kësaj maje drejt Sirisë më 17 nëntor 2012, së bashku me 3 besimtarë të tjerë nga Shqipëria. Për tre muaj me radhë, kaloi sa në një kamp në tjetrin, pa mundur të dalë asnjë ditë në një front luftimesh. Kjo e zhgënjeu.

U kthye mbrapsht më 2 shkurt 2013, pak ditë pasi ishin kthyer dy bashkëudhëtarët e tjerë. I katërti ishte Denis Jangulli, i cili mbeti i vrarë në të vetmen ditë që doli për të luftuar kundër forcave qeveritare të Bashar Assadit.

Shumë gjëra kanë ndryshuar nga ajo kohë, si në Shqipëri ashtu edhe në Siri. Udhëheqësit fetarë të luftëtarëve në Siri ndodhen të arrestuar ose të shpallur në kërkim. Prej 19 gushtit të këtij viti, Shqipëria ka hedhur në qarkullim ligjin që dënon deri në 15 vjet burg këdo që përfshihet në konfliktin sirian ose bën thirrje për rekrutime apo pjesmarrje në luftë.

Pasi bënë një sy të verbër për një kohë të gjatë, autoritetet shqiptare u shkundën në dhjetor të vitit 2013, duke nisur një hetim të gjerë për xhihadistët shqiptarë në Siri. Më 11 mars, në një operacion blic të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë shqiptare u arrestuan 8 persona dhe u shpallën në kërkim 5 të tjerë.

Dy prej të arrestuarve ishin imamë, të cilët akuzohen si organizatorë të rekrutimeve të “ushtarëve të Zotit”. Genci Balla dhe Bujar Hysa predikonin xhihadin në xhamitë e Unazës së Re, në periferi të Tiranës dhe atë të Mëzezit, një fshat vetëm pak kilometra larg kryeqytetit. Celula më të izoluara u identifikuan në Leshnicë të Pogradecit, Cërrik të Elbasanit dhe në Dragostunjë të Librazhdit.

Organizatori i tretë ishte Gerti Pashaj, një student me bindje radikale në Turqi, që mendohet se luante rolin e udhërrëfyesit për besimtarët shqiptarë, që kërkonin me zell frontin e luftimeve.

Por Ebu Merjemi kundërshton faktin se është rekrutuar apo paguar nga ndonjëri prej tyre. Ai thotë se ka ikur me vullnetin e tij dhe është ndihmuar nga Denis Jangulli vetëm për detajet e udhëtimit. Të vrarin e përshkruan si një vëlla dhe besimtar të devotshëm, që dinte 4 gjuhë të huaja dhe kishte lidhje të forta në Kosovë dhe Maqedoni.

Ebu Merjem nuk di vetë asnjë gjuhë të huaj. Ai ka mbaruar gjimnazin, ndërsa Islamin e ka përqafuar megjithë qënien e tij në ato vite, kur u bë pjesë e ekskursioneve që organizoheshin prej dy studentëve shqiptarë të kthyer nga Arabia Saudite.

Kleriku Justinian Topulli mendon se njohja e cekët e Islamit është emërues i përbashkët i të gjithë shqiptarëve që kanë shkuar në Siri, duke besuar se po bënin xhihad. Ai shpjegon se myslimani e ka detyrim përpjekjen njerëzore për të vënë në jetë porositë e Zotit, por jo xhihadin e armatosur.

“Xhihadi i armatosur nuk është obligim individual as për shqiptarët dhe as për të tjerët, por për bashkësitë dhe shtetet, nëse kanë mundësi të bëjnë diçka në këtë rast. Xhihadi ynë është të kontribuojmë për vendin dhe familjen tonë, të merremi me hallet e shtëpisë sonë të përbashkët që quhet Shqipëri,” thotë ai.

“Ushtarët e Zotit” i betohen Al Qaedës

Rrugëtimi drejt Sirisë, sipas xhihadistit që s’kish dalë kurrë më parë jashtë vendit ishte krejt i thjeshtë. Mjafton të shkoje në Stamboll, të prisje një biletë autobusi prej 80 eurosh drejt qytetit kufitar të Rehanlisë dhe të gjeje njeriun e duhur që të të hidhte përtej kufirit.

Ebu Merjemi e përshkruan zonën kufitare mes Turqisë dhe Sirisë si një han pa porta, ku dhjetra djem të rinj nga Franca, Suedia, Amerika apo Belgjika hynin e dilnin përmes një teli të rrëzuar përtokë, që dikur kishte qenë barrierë kufitare mes dy vendeve.

Trafikimi i xhihadistëve nga njëra anë e kufirit në tjetrën nuk dallon shumë nga llojet e tjera të trafiqeve. Xhihadisti tregon se i pagoi pak euro një bariu turk për t’i kaluar matanë, më shumë nga frika e spiunimit sesa nga nevoja për t’u treguar rrugën.

Qyteti i Halebit (Aleppos), zona me luftimet më të ashpra për një kohë të gjatë në Siri ishte destinacioni i preferuar i tyre. Por shqiptarët ngecën për një kohë të gjatë në kampet e pritjes në Tal Rifat, qytet në rajonin e Aleppos dhe zonë e kontrolluar nga krahu ushtarak i Al Qaedas; fronti Al Nusra.

Xhihadisti shqiptar rrëfen se ata ishin të etur për të dalë në front, por u përballën me një seri verifikimesh të rrepta nga drejtuesit e xhihadistëve të huaj. “Na shihnin me dyshim dhe na mblodhën pasaportat për të na verifikuar. Ne u mërzitëm, por ata kishin frikën e ndonjë infiltrimi,” – tregon ai.

Djemtë nga Shqipëria qëndruan për 10 ditë në shtëpinë e pritjes e më pas u dërguan në një kamp të vërtetë trajnimi, po në zonën e Tal Rifatit. Këtë herë, ata u vendosën në një shtëpi luksoze të pushtuar nga grupet opozitare, një fenomen që ka marrë emrin si “Xhihadi me 5 yje” në mediat botërore.

Ditët kalonin me mësime Kurani dhe trajnim për përdorimin e kallshnikovit apo snajperit. “Bënim edhe pak vrap, po jo ndonjë gjë të madhe. Mungesa e armëve ishte problem kryesor dhe asnjëri prej nesh nuk kishte 1500 dollarë për të blerë një kallashnikov,”-thotë ai.

Në dosjen e Prokurorisë, të siguruar nga BIRN rezulton se pjesa më e madhe e xhihadistëve shqiptarë u përfshinë në krah të frontit Jabhat Al Nusra në Siri, e njohur si degë e Al Qaedës. Një pjesë e vogël mbërritën atje si anëtarë të grupit ekstremist turk, Murat Gezenler, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë luftonin nën udhëheqjen e grupit të çeçenëve.

Megjithatë, në një luftë kaotike, edhe ky konfigurim ndryshoi shpejt. Viti 2013 i gjeti shqiptarët të mbledhur në një brigadë më vete prej 45-50 vetash në periferitë e Aleppos, fillimisht të drejtuar nga kosovari Numan Demolli e pas vrasjes së tij nga Lavdrim Muhaxheri.

Deri pas daljes në skenë të ISIS, ata qëndruan fort nën ombrellën e Al Nusrës. Sot, pjesa më e madhe e 50 shqiptarëve të mbetur në Siri po luftojnë përkrah forcave ekstremiste të Shtetit Islamik.

Në intervistën e tij për BIRN, Ebu Merjemi tregon se nuk mund të rrije në kamp, nëse nuk i jepje besën Al Nusrës. Në të kundërt, qëndrimi atje bëhej edhe më i dyshimtë dhe i padëshirueshëm.

“Ata të Xhapetul Al Nusrës (i njohur në anglisht si Jabhat al-Nusra) erdhën dhe na kërkuan besën, por grupi ynë nuk e dha. U thamë që besën ia kishim dhënë Allahut dhe se aty ishim për të ndihmuar popullin sirian,” tregon ai.

Gjatë tre muajve të qëndrimit në Siri, Ebu Merjemi kishte edhe një problem të dytë. Ai nuk kishte marrë lejen e nënës së tij për të vajtur në luftë të Shenjtë, një shqetësim madhor për besimtarët, pasi argumentohet se xhihadi është i pavlefshëm nëse nuk kryhet me lejen e prindit.

Përballë kësaj situate të komplikuar dhe nënës që refuzonte t’i jepte lejen, Ebu Merjemi vendosi të kthehej në Shqipëri. Por në atë kohë, Denis Jangulli u vra gjatë një sulmi me një predhë tanku në periferi të Aleppos.

“U hidhërova se do të më mungonte një shok. Por edhe u gëzova, se atij ia bëri Zoti mbarë për ta pranuar si shehid,” përgjigjet ftohtë ai.

Ebu Merjemi u kthye në Shqipëri më 2 shkurt 2013. Që prej asaj kohe, autoritetet nuk e kanë lejuar të dalë më nga Shqipëria. Por ditët e kaluara në tokën e luftës, duket se ia kanë zbehur vullnetin për t’u marrë me gjëra të jetës së zakonshme.

Është i informuar për gjithçka ndodh në Siri. Por kaosi i luftës duket se e ka sjellë në një realitet të padëshirueshëm dhe në dilema në lidhje me ISIS. Lufta po shkakton të vrarë nga të gjitha palët dhe mizori të pafundme, përfshirë krimet që “vëllezërit myslimanë” të ISIS po shfaqin me arrogancë në mediat sociale. E megjithatë, nuk i vjen mirë kur krimet e tyre gjykohen prej të huajve.

“Ata po bëjnë gjakderdhje të madhe në emër të keqkuptimit të fesë dhe keqinterpretimit të Kuranit. Dhe dijetarët kanë folur për këtë. Por ne nuk duam që gabimet e tyre t’i gjykojë dikush tjetër, përveç myslimanëve,” ia pret shkurt ai.

Rreziku i radikalizimit

Pas përballjes me valën e të ikurve për xhihad, vendet e Bashkimit Europian dhe Europoli janë të shqetësuar për rrezikun e sulmeve terroriste në Europë, pas kthimit të këtyre njerëzve në shtëpi.

Në vendet e Perëndimit po flitet gjithnjë e më shumë për de-radikalizimin e xhihadistëve, sipas një formule të ngjashme me atë të rehabilitimit të të alkoolizuarve apo të droguarve.

Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizimit në King’s College në Londër rekomandon se kërcënimet me burg nuk janë zgjidhje për përballjen e këtij problemi në plan afatgjatë. Sipas studimeve të saj, vetëm 1 në 9 xhihadistë ka pasur kontakte me grupet terroriste në Siri dhe jo të gjithë ata duhen trajtuar njësoj.

Shumica janë kthyer të penduar dhe në intervista anonime kanë pranuar se e kanë gjetur realitetin shumë të të ndryshëm se ç’e kishin menduar. “Ishim të bombarduar me propagandë,” kanë pranuar ata për ICSR.

Shqipëria e ka ende të paqartë se si do ta përballojë këtë problem në të ardhmen e afërt dhe të largët. Pas miratimit të ligjit që dënon këdo që përfshihet në luftën e Sirisë, qeveria shqiptare krijoi edhe një strukturë masive Antiterrori për të trajtuar valën e të ikurve në luftë.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama beson se Shqipëria është e rrezikuar po aq sa vendet e tjera nga radikalizmi islamik. “Ky rrezik është si gjithandej, njësoj si ebola,” tha ai në një intervistë televizive.

Zyrtarët e policisë shqiptare, të kontaktuar nga BIRN besojnë se të kthyerit nuk përbëjnë ndonjë rrezik real për vendin, ndërsa izolimi i tyre mund të kthehet në një problem për të ardhmen.

Kreu i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë bashkohet në këtë analizë dhe e sheh integrimin e këtyre besimtarëve në shoqëri si sfidën më të madhe. Ai u rekomandon autoriteteve shtetërore të tregojnë kujdes me përndjekjen dhe represionin ndaj këtyre njerëzve, në mënyrë që të mos krijojnë tensione të reja.

“Ata njerëz të kthyer nga Siria janë pjesë e jona dhe duhen trajtuar nga të gjithë si njerëz normalë, që të mos ndjehen të huaj në këtë shoqëri,” thotë ai për BIRN.

Në intervistën e tij, Ebu Merjem konfirmon se jeton i trazuar në shoqërinë shqiptare. Për shkak të kodeve të besimit, atij i është dashur të braktisë njërën punë pas tjetrës e të vihet shpesh në vështirësi për të mbijetuar e mbajtur familjen.

Ai nuk beson tek Komuniteti Mysliman, tek shteti apo komuniteti ndërkombëtar, të cilët i sheh në bashkëpunim me njëri-tjetrin për t’u futur shkopinjtë nën rrota vëllezërve të tij të besimit, në Shqipëri dhe në botë.

Para këtij realiteti, Ebu Merjem do të zgjidhte një vend të largët si atdheun e vet, të cilin edhe pse e vizitoi në luftë, ndjeu më shumë paqe shpirtërore se në Shqipëri.

“Nëse në të ardhmen realizohet ngritja e një shteti islam për mirë, unë për vete do të zgjidhja të jetoja atje. Njerëz si ne ndjehen të përbuzur këtu, të paqetë,’ përfundon ai.

*Ebu Merjem është emri fetar i të kthyerit nga Siria. Ai pranoi ta jepte këtë intervistë për BIRN, pa zbuluar identitetin e tij të vërtetë.

Burimi15 dhjetor 2014


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019