k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Reportazh: Zanafilla e terrorizmit islamik në Shqipëri


Gjatë fillimit të viteve 90’ qeveria shqiptare dhe institucionet e saj të inteligjencës bën një sy qorr ndaj fondacioneve ‘humanitare’ që sollën frymën e islamit radikal në vend.

Përpara se dhjetra të rinj Shqiptarë të udhëtonin drejt Sirisë si për t’iu bashkuar grupeve terroriste si al-Qaeda dhe Shteti Islamik, ISIS, në Shqipëri organizatat radikale islamike, radikalizuan një pjese të komuniteti të besimtarëve mysliman nën petkun e bamirësisë.

Që prej nisjes së konfliktit, 10 shqiptarë kanë humbur jetën në Siri dhe 30 të tjerë janë kthyer në atdhe, përpara hyrjes në fuqi të ligjit që i dënon ata për bashkëpunim me terroristët.

Në muajit shkurt Prokuroria e Krimeve të Rënda në Tiranë, arrestoi 8-të dyshuar, përfshirë dy imamë, si pjesë e një rrjeti i cili besohet që ka organizuar dhe financuar rekrutimin e xhihadistëve shqiptar që luftojnë në Siri.

Rreth 90 militantë Shqiptarë, një pjesë me familjet e tyre, u nisën drejt Sirisë gjatë viteve 2012-2014, me bindjen se do të bëheshin pjesë e një lufte të shenjtë.

Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, rreth 50 prej tyre, të identifikuar tashmë nga autoritetet e sigurisë vazhdojnë të jenë pjesë e konfliktit.

Përpara se të udhëtonin për në Siri, shumica e xhihadistëve shqiptarë, kanë rënë në kontakt me rrymën Selafiste të Islamit, e cila vuri rrënjë në Shqipëri dhe më gjerë në Ballkan gjatë viteve 90’, nëpërmjet një numri organizatash humanitare islamike, të cilat shërbyen si mbulesë për rrjete terroriste ndërkombëtare.

Selafismi është një rrymë fetare Islamike e përhapur në vendet e Gjirit Persik, si Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Kjo rrymë u zhvillua gjatë shekullit të nëntëmbëdhjetë si një formë reagimi kundër përhapjes së ideve humaniste Europiane.

Sipas një studimi të shkollës pasuniversitare të marinës amerikane, në Monterey të Kalifornisë, me autor Edval Zoton, pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, dhe lejimin e lirisë së besimit që ishte ndaluar me ligj që nga viti 1967, një numër organizatash jo-qeveritare islamike, hapën përfaqësitë e tyre në vend .

Duke qenë që Shqipëria, e sapo dalë nga regjimi komunist kishte një mungesë të klerit mysliman, këtë organizata morën një rol aktiv në financimin studimeve për të rinjtë shqiptarë dhe mbështetjen e sekteve radikale islamike në Shqipëri dhe rajon.

Zoto nënvizon në studimin e tij, që një faktor kyç në përhapjen e organizatave radikale islamike, ishte dhe qasja e autoriteteve shtetërore shqiptare, që në fillim të viteve 90’ shpesh bën një sy të verbër ndaj aktivitetit të tyre.

Sipas Zotos, në pamundësi për të tërhequr investime të huaja nga vende perëndimore, gjatë viteve 1992-1994, qeveria shqiptare i dha nënshtetësi një numri ‘investitorësh’ nga vendet Arabe pa asnjë verifikim paraprak të aktivitetit të tyre.

Lidhjet e ngushta mes ish drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar, SHIK, Bashkim Gazidede dhe organizatave islamike që operonin në Shqipëri gjatë asaj kohe, besohet që ka luajtur një rol të rëndësishëm në përhapjen e tyre.

“Përtej rolit të tij si kreu i SHIK-ut, Gazidede kishte marrëdhënie të ngushta personale me shumicën e organizatave islamike që ushtronin aktivitet në Shqipëri, duke qenë dhe kryetari organizatës së Intelektualëve Islamik të Shqipërisë, e cila financohej nga fondacione të huaja islamike,” shkruan Zoto.

Për shkak të mungesës së sundimit të ligjit dhe tolerancës së autoriteteve vendore, Shqipëria dhe vende të tjerë të Ballkanit u bënë gjatë viteve 90’ një strehëz e sigurt për individë të përfshirë në aktivitete terroriste.

Këto individë shpesh vepruan nën hijen e organizatave humanitare islamike, të cilat shërbenin si një mbulim i mirë në një rajon të përfshirë nga lufta, mungesa e agjencive efikase ligjzbatuese dhe krimi i organizuar.

Sipas studimit, një pjesë e këtyre organizatave ekzistonin vetëm në letër, si OJF bamirëse fiktive, në mënyrë që të mundësonin transferimin e parave nga llogari bankare të huaja, ndërsa një pjesë ndërmerrnin aktivitet humanitar.

“Roli i tyre ishte ti siguronin terroristëve islamik dokumente fals, të cilat mund të bliheshin lehtë në tregun e zi ose nga zyrtarë të korruptuar, si dhe të financonin udhëtimet e terroristëve në rajon,” shkruan Zoto.

Në fillim të viteve 90’ në Shqipëri filluan të vepronin një numër organizatash islamike të lidhura me terrorizmin. E para ishte Organizata Ndërkombëtare e Ndihmës Islamike, e cila u regjistrua në vitin 1990. Më vonë hapën selitë e tyre Fondacioni Al-Haramain, Taibah Internatiol, Global Relief Fund, Benevolence International Foundation dhe Revival Islamic Society.

Në një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit, të shpërndarë në vitin 1997 thuhej se numri i përfaqësuesve të organizatave islamike kishte arritur në 95.

Bashkë me ndihmat dhe bursat e studimit për familjet e varfra, një pjesë e këtyre organizatave sollën në Shqipëri një rrymë të panjohur deri atëherë të Islamit nga shumica myslimane e vendit.

Këto organizata financuan ndërtimin e xhamive dhe mbajtjen me ndihma të familjeve në zonat më të varfra të vendit, në këmbim të konvertimit të këtyre banorëve në selafistë.

Ndikimi u duk disa vite më vonë, me shtimin e burrave që mbanin mjekër të gjatë e pantallona të shkurtra dhe grave të mbuluara.

Historiania Britanike, Miranda Vickers, në një studim të sajin të mëvonshëm do të analizonte rolin e shoqatës Taibah International në një qytezë të varfër minatorësh si Bulqiza, ku shumë anëtarë të komunitetit bektashi u konvertuan në myslimanë suni.

“Ata u jepnin ndihma banorëve dhe çonin me bursa studimi në vendet Arabe fëmijët e tyre,”-shkruante Vickers. Raste të ngjashme me Bulqizën u identifikuan edhe në Përrenjas, Qafë-Thanë e Peshkopi.

Siç u zbulua më vonë, shumë prej këtyre organizatave “bamirëse” rezultuan të lidhura me al-Qaedën dhe u dëbuan jashtë vendit në kuadër të masave globale kundër terrorizmit.

Por ato lanë pas në Shqipëri një komunitet të ri klerikësh dhe besimtarësh dhe një tension në rritje mes rrymës tradicionale të Islamit dhe asaj selafiste.

Kërcënimi terrorist në Shqipëri

Fondacionet bamirëse Islamike që vepronin në Shqipëri në vitet 90 kishin lidhje me një numër organizatash terroriste, përfshirë Xhihadin Islamik Egjiptian, Grupin Algjerian të Armatosur Islamik, GIA, al-Qaedën, si dhe celula të shërbimit inteligjent Iranian.

Kërcënimi kryesor vendit i erdhi nga një celulë e Xhihadit Islamik Egjiptian, që filloj të vepronte në Shqipëri në vitin 1990 dhe përbëhej prej më shumë se 20 antarë.

Kjo celulë drejtohej nga Mohammed al-Zawahiri, vëllai Ayman al-Zawahirit, liderit të tanishëm të al-Qaedës dhe atëherë drejtues i Xhihadit Islamik Egjiptian.

Pjesa më e madhe e anëtarëve të grupit u arrestua në Shqipëri në vitin 1998, dhe ju dorëzua autoriteteve Egjiptiane, të cilët i proceduan penalisht. Çështja bëri bujë në Egjipt, dhe njihej si gjyqi i të ‘kthyerve nga Shqipëria.’

Në fillim besohej se celula e Xhihadit Islamik Egjiptian në Tiranë ishte e fjetur, por fakte të dala më vonë sugjerojnë se ajo po përgatiste një sulm kundër ambasadës amerikane në Tiranë, e cila u mbyll për disa muaj gjatë vitit 1999.

Pas sulmeve terroriste të 11 shatorit 2001, shumica e fondacioneve islamike u larguan nga Shqipëria. Një pjesë nuk i arritën qëllimet e tyre dhe për shumicën fondet shteruan, pasi Arabia Saudite vuri nën shënjestër individët dhe organizata të lidhura me terrorizmin.

Megjithëse goditja nga forcat e sigurisë me arrestimin e anëtarëve të Xhihadit Islamik në vitin 1998, dhe mbyllja e fondacioneve Islamike gjate viteve 2001-2005, e reduktuan rrezikun që i kanosej vendit nga terrorizmi, trashëgimia e aktivitetit të tyre vazhdon të sjellë pasoja edhe sot.

Sipas Vickers-it në Shqipëri në 2008 kishte 400 deri në 500 xhami të cilat nuk ishin nën autoritetin e Komuniteti Mysliman. Dy imamët e arrestuar në shkurt, si krerët e rrjetit që dërgonte xhihadistë në Siri drejtonin pikërisht xhami të tilla.

“Rreziku tani lidhet me radikalizimin e rinisë nga xhami dhe qendra komunitare në të cilat promovohet një formë radikale islami, e cila është në konflikt me ligjet dhe të drejtat e njeriut, por gjithashtu dhe nga shfaqja e faqeve të internet dhe forumeve xhihadiste,” shkruan Zoto.

“Sfida mbetet parandalimi i radikalizmit dhe rekrutimeve të mundshme nga terroristë,” përfundon ai.

Burimi21 dhjetor 2014


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019