k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Australi: Zhvillohet syri bionik për kthimin e shikimit


Shkencëtarët kanë hedhur një hap të rëndësishëm në ndihmën ndaj personave me shikim të dëmtuar, pas implantimit të suksesshëm të syrit të parë bionik te një australiane e moshuar.

Pacientja Dajen Eshuorth, me humbje shikimi të shkallës së lartë për shkak të një sëmundjeje të trashëgueshme të njohur si retinitis pigmentosa, vuri prototipin e syrit bionik në maj të këtij viti, ndërsa rezultatet e para u morën gjatë gushtit pas rikuperimit nga operacioni dhe ndezjes së pajisjes për herë të parë.

"Në fillim kur u ndez, ishte e çuditshme, kisha këto syzet dhe nuk dija ç'të prisja dhe as nuk besoj se e dinte njeri se çfarë do të shihja. Por papritur, pashë një dritë të shpejtë, që u zhduk menjëherë dhe pastaj trajta të ndryshme, errësisë, vija të zeza dhe të bardha bashkë. Në vijim u bënë njolla të zeza me të bardha rreth e rrotull dhe pastaj figura në formë resh. Më kujtohet kur erdhi figura e parë e madhe dhe u habita, pasi nuk e prisja aspak, por ishte mahnitëse." - thotë Dajena për mediat.

Syri bionik, projektuar, prodhuar dhe testuar nga BVA (Bionic Vision Australia), një konsorcium shkencor me financim të pjesshëm nga qeveria e Australisë, vjen me 24 elektroda dhe një tel të vogël që zgjatet nga pjesa e pasme e syrit te sensori i vendosur pas veshit. Qarku vendoset në hapësirën koroidale, pranë retinës brenda në sy.

"Pajisja stimulon elektrikisht retinën", - pohon dr. Peni Aleni, kirurgu specialist që implantoi prototipin në fjalë. "Impulset elektrike kalojnë përmes pajisjes, e cila me radhën e vet stimulon retinën. Këto impulse i kalojnë mandej trurit, duke dhënë figurën." - vijon ai.

Për momentin pajisja kthen shikimin në rastet kur pacientët kanë e kanë të dobësuar në atë shkallë sa kanë ende mundësi të dallojnë dritë-hijet dhe ravijimet kryesore të objekteve që i rrethojnë.

"Pas Dajenës, hapi tjetër është të analizojmë informacionin pamor që marrim nga stimulimi i retinës", - vijon dr. Aleni. "Ajo që po përpiqemi të bëjmë është t'u kthejmë shikimin, që gjasat janë si fillim do të jetë në bardhezi, por qëllimi kryesor është t'u japim këtyre pacientëve mundësinë të lëvizin të pavarur".

Ndërkaq nga ana praktike, operacioni është i thjeshtë dhe mund t'u mësohet menjëherë kirurgëve anembanë botës.

Studime të ngjashme janë zhvilluar edhe në SHBA, në Universitetin "Kornell" të Nju-Jorkut, ku shkencëtarët kanë deshifruar kodin nervor të shikimit te kaviet. Në këtë rast, pajisja e krijuar u ka kthyer me sukses shikimin thuajse në tërësi kavieve të verbra.

Burimi30 gusht 2012


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019