k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Uruguaj: Kafsha më e hershme, 585 milionë vite më parë


Studiues nga Universiteti i Albertës, Kanada, kanë zbuluar prova fizike se kafshët kanë ekzistuar 585 milionë vite më parë, rreth 30 milionë vite më herët nga ç'ishte regjistruar deri më sot.

Zbulimi u bë nga gjeologu Ernesto Pekua dhe Natali Obet në shkëmbinjtë e Uruguajit. Ata gjetën gjurmë të fosilizuara njëcentimetërshe, që kafsha e ngjashme me kërmillin kishte lënë rreth 585 milionë vite më parë në një sediment balte.

Ekipi kërkimor përcaktoi se gjurmët ishin lënë nga një kafshë primitive e quajtur bilaterian (dyanësor), që dallonte nga format e tjera të thjeshta të jetës për nga simetria (pjesa e sipërme dallon nga pjesa e poshtme) dhe për nga gjurmët e veçanta.

Studiuesit pohojnë se gjurmët e fosilizuara tregojnë se muskulatura e kafshës trupbutë i mundësonte të lëvizte në sedimentet e fundcekëtinave të oqeanit. Motivi i lëvizjes tregon një përshtatje evolutive për të kërkuar për ushqim, që me radhën e vet duhet të ketë qetë ushqimi organik që përmbahej në sedimente.

Mosha e saktë e gjurmëve u përllogarit me datimin e moshës së shkëmbit vullkanik që kishte hyrë në shkëmbin baltor në zonën e ku u gjetën gjurmët. U deshën mbi dy vite për ekipin të verifikonte zbulimin duke kaluar dhe vlerësimin nga kolegë për të përcaktuar që mosha prej 585 milionë vitesh ishte e saktë.

Procesi i datimit u bë në dy faza ku në fazën e dytë u mblodhën më shumë kampione nga shkëmbi i fosilizuar në Uruguaj si dhe u zhvilluan një sërë seancash analize fazmatografike. Paleontologët pohojnë se për kafshët trupbuta nuk është e pazakontë që trupi t'u zhduket e t'u fosilizohen gjurmët.

Përpara këtij zbulimi, shenja më e hershme e ekzistencës së kafshëve ishte regjistruar rreth 555 milionë vite më parë në një zbulim të ngjashëm në Rusi.

Kurt Konhauser, gjeomikrobiolog në Universitetin e Albertës, Kanada, pohon se zbulimi i ri do të ngrijë pyetje të reja jo vetëm në lidhje me evoluimin e kafshëve, por edhe mbi kushtet mjedisore në të cilat evoluuan.

Konhauser shpjegon se sfida tani është "të gjejmë si evoluuan këto kafshë deri në atë stad sa ishin të afta të lëviznin e të gjuanin për ushqim".

Burimi30 qershor 2012


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019