k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Saturn: Hëna lëshon ujë mbi planet


Rezultatet e fundit nga observatori "Hershel" i ESA-s tregojnë se një nga hënat e Saturnit lëshon në hapësirë 250 kg avuj uji në sekondë, në formë shkulmesh nga poli i saj jugor, njohur si Vijat e Tigrit. Në vijim uji krijon një unazë rreth planetit me gjerësi 10 herë rrezen e këtij, me trashësi 1 rreze S dhe në largësi 4 rreze S nga planeti.

Pavarësisht përmasave të stërmëdha, uji nuk është diktuar deri më sot pasi është transparent në dritë natyrale, çka është bërë e mundur vetëm pas vrojtimit me rreze infra të kuqe nga observatori "Hershel". Zbulimi zgjidh kështu një nga misteret 14-vjeçare të prejardhjes së ujit në atmosferën e planetit.

Simulimet kompjuterike të këtyre vrojtimeve tregojnë se afro 3-5% e ujit të çliruar nga Enkeladi përfundon mbi Saturn.

"Nuk ka diçka të ngjashme këtu në Tokë," - thotë Pol Hartogu, i Institutit "Maks-Plank" për Vrojtimin e Sistemit Diellor, Gjermani, drejtuesi i analizës së këtyre vrojtimeve. "Në atmosferën tonë nuk hyn ndonjë sasi e rëndësishme uji nga hapësira. Kjo është veçori e Saturnit."

Megjithëse pjesa më e madhe e ujit nga Enkeladi humbet në hapësirë, ngrin mbi unazat e planetit ose bie mbi hënat e tjera të tij, pjesa që bie mbi planet mjafton të shpjegojë ujin e vrojtuar në atmosferën e Saturnit. Kjo pjesë duket se krijon dhe përbërjet oksigjenbartëse si dyoksidi i karbonit në planet.

Burimi27 korrik 2011


Komente

Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019