k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Tiranë: MASH, projektligj për ndalimin e simboleve fetare


Ministria e Arsimit dhe e Shkencës në RSH vendos t'i japë fund polemikave të herëpashershme për mbajtjen apo përdorimin e simboleve fetare në institucionet arsimore publike, të paktën në ato të arsimit parauniversitar.

Në projektligjin e ri për arsimin parauniversitar, Ministria e Arsimit parashikon qartë që asnjë nxënës nuk duhet të paraqitet në shkollë publike me simbole fetare.

Gjatë 8 viteve të fundit ka pasur 5 raste kur nxënës janë përjashtuar nga shkolla ose nuk janë lejuar që të hyjnë në mësim për shkak të simbolikës abrahamike.

Në nenin 36 të projektligjit për arsimin parauniversitar përcaktohet se në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre. Gjithashtu, sipas këtij projektligji, në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve. Ndërkaq, ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit. Dhe së fundi projektligji përcakton se ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveç shkollave ku mësohen lëndë fetare.

Nga ligji i ri për arsimin parauniversitar:

Neni 5
Laiciteti i arsimit parauniversitar
1. Arsimi parauniversitar publik ka karakter laik.
2. Në institucionet arsimore është i ndaluar indoktrinimi fetar.

Neni 36
1. Në institucionet arsimore ndalohet organizimi i veprimtarive partiake dhe/ose fetare me nxënësit ose punonjësit e tyre.
2. Në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve.
3. Ndalohet që nxënësit të detyrohen nga punonjësit e institucionit arsimor që të marrin pjesë në veprimtari partiake dhe/ose fetare ose në veprimtari të tjera që nuk janë parashikuar në planin e veprimtarive të institucionit.
4. Ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare.

Burimi13 dhjetor 2010


Komente

kalimtar/e
gurax 
7 janar 2011, 17:25
Me ne fund dicka qe meriton levdata. Me pelqen qe krahas fese ne kete drejtim eshte perfshire dhe politika. Me kujtohet kur shkollat e mesme benin ore te shkurtuara ose s'benin mesim fare qe te nxirrnin nxenesit neper mitingje partiake. Plehrat qe talleshin me edukimin.
Bravo vertet.



kalimtar/e
kalimtar 
8 janar 2011, 03:41
Per cdo levdate !Bravo ! Uroj qe te njeten gje te bejne edhe ne Kosove ku kohet e fundit ka shume shfaqe te radikalizmit islamik. Stergjysherit tane e luftuan para 500 vjetsh e ne sot e perqafojme me vetedeshire. C'fare anakronie !?



postieri
postieri 
10 janar 2011, 20:12
Citim:
Ndalimi i shamive dhe kryqeve, MASH nis konsultimin

Ministria e Arsimit ka nisur konsultimin për projektligjin e arsimit parauniversitar në drejtoritë arsimore, më pas do të pyeten edhe komunitetet fetare

Ministria e Arsimit do të zhvillojë takime të shumta konsultimi për ligjin e arsimit parauniversitar, ndër të cilat edhe me komunitetet fetare, të cilat janë të interesuara për nenin 36 të projektligjit, që duket se ndalon shamitë dhe kryqet në shkolla. Burime nga komunitetet fetare bëjnë të ditur se do ta kundërshtojnë këtë nen, duke e cilësuar si antikushtetues, veçanërisht Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, si edhe Kisha Katolike në Shqipëri.


Takimi i parë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, zoti Myqerem Tafaj, organizoi para pak ditësh, takimin e parë të këtij lloji, në mjediset e shkollës së mesme “Ibrahim Rrugova” një takim pune me mësues dhe drejtues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të Bashkisë Kamëz dhe të komunave Paskuqan dhe Zall-Herr.

Ministri Tafaj, duke i përgëzuar pjesëmarrësit për seriozitetin që kanë treguar në kuadrin e diskutimit publik të projektligjit për arsimin parauniversitar, duke i falënderuar për propozimet konkrete që kanë bërë për përmirësimin e neneve të veçanta të këtij projektligji, u ndal dhe diskutoi me pjesëmarrësit në këtë takim për statusin e mësuesit, të drejtuesit të shkollës, për bashkëpunimin me komunitetin, njësitë e qeverisjes vendore dhe të partnerëve të tjerë që kontribuojnë në fushën e arsimit.

Me një theks të veçantë ministri Tafaj tërhoqi vëmendjen e bashkëbiseduesve për një punë më të kujdesshme e të veçantë, sidomos në lëndët e teknologjisë së informacionit dhe mësimit të gjuhëve të huaja. Ai renditi të mësuarit në këto fusha si domosdoshmëri që diktohen nga proceset e shpejta integruese për vendin tonë në Bashkimin Evropian.

http://www.standard.al/index.php/sociale/15832.html




postieri
postieri 
11 janar 2011, 20:58
Citim:
Mbi 70 imamë xhamish kundërshtojnë pr/ligjin e MASH

Tiranë – Imamët e mbi 70 xhamive në vend kanë kundërshtuar sot projektligjin e Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar rishikimin e tij.

Ata i kanë dërguar një kërkesë zyrtare kësaj ministrie ku kërkojnë rishikimin e pr/ligjit, i cili parasheh ndalimin e simboleve fetare nëpër shkollat publike.

“Ky përcaktim në ligj cenon praktikimin e lirë të fesë. Ligji është diskriminues dhe duhet të të riformulohet nga MASH”, janë shprehur përfaqësuesit fetarë.

Këshillat e xhamive kërkojnë nga MASH të bëjë riformulime apo shtesa në projektligj nga të cilat të kuptohet qartë, pa lënë hapësira për interpretime, se veshja e shamive të kokës nga femrat myslimane nuk ndalohet në institucionet arsimore.

Ky hap nuk prek laicitetin e shkollës, ruan të pacenuar harmoninë fetare dhe tolerancën mes palëve, shmang tensione sociale dhe garanton vazhdimin pa luhatje të procesit të nisur të bashkëpunimit mes shtetit dhe bashkësive fetare në vend.

Këshillat e xhamive shprehin bindjen se Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka të gjitha hapësirat e nevojshme për të shmangur debate të pafrytshme, që nxisin ashpërsimin e marrëdhënieve brenda-shoqërore në mjedisin kombëtar shqiptar./Start/

http://www.gazetastart.com/lajme/Aktualitet/30206/




postieri
postieri 
12 janar 2011, 19:00
Citim:
Myslimanët e Shqipërisë kundër ndalimit të mbajtjes së shamisë në shkolla

Udhëheqësit e komunitetit mysliman në Shqipëri u shprehën të martën kundër një projektligji për arsimin universitar, i cili do të largojë të gjitha simbolet fetare nga shkollat, përfshirë edhe shaminë e kokës.

"Ne jemi të shqetësuar për mundësinë e miratimit të ligjit, i cili do t'u ndalojë vajzave të fesë islame të mbajnë shami në shkolla", thotë kryemyftiu Selim Muça në një deklaratë.

Sipas Muçës, shamia "nuk është simbol fetar, por një praktikë e detyrueshme për të gjitha vajzat myslimane në adoleshencë".

Muça tha se do të takohet me ministrin shqiptar të Arsimit, Myqerem Tafaj, për të diskutuar çështjen, për të cilën ka frikë se mund të detyrojë vajzat të mbeten jashtë arsimit dhe punës.

"Ndalimi i shamive islamike në sistemin kombëtar arsimor mund të përjashtojë një kategori të rëndësishme të qytetarëve nga e drejta për arsim, por edhe nga jeta publike", tha Muça. Projektligji parashikon ndalimin e ekspozimit të çdo simboli fetar në shkollat shqiptare. Në bazë të kushtetutës Shqipëria është vend laik.

http://www.botasot.info/?gjuha=0&category=6&id=98057



Citim:
Ndalimi i simboleve fetare, Kisha Ortodokse kundërshton projektligjin

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë i dërgon letër MASH: Jemi kundër. Të gjitha komunitetet fetare, njëzëri kundër ligjit të ri të arsimit parauniversitar

Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë i është përgjigjur dje konsultimit nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe të Shkencës, duke kundërshtuar projektligjin e arsimit parauniversitar, që parashikon ndalimin e simboleve fetare, duke e cilësuar atë si antikushtetues.

Në këtë mënyrë, të gjitha komunitetet fetare tradicionale në vend duket se janë në unison kundër këtij projektligji, që është kundërshtuar edhe nga aktivistë të të drejtave të njeriut dhe nga një sërë juristësh, si një shkelje e dispozitave kushtetuese për të drejtat e qytetarëve shqiptarë.

“Nga ana e Kishës Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë u shqyrtua me kujdes projektligji “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” dhe në përgjigjen drejtuar Ministrisë së Arsimit ju shprehim mendimet dhe shqetësimet në lidhje me çështjet fetare që trajtohen në të. Mendimi i shprehur nga organet përkatëse të Kishës është se neni 36, paragrafi 4, mbi ndalimin e simboleve fetare për nxënësit e shkollave, përbën cenim të së drejtës së mendimit, bindjeve dhe ushtrimit fesë, të drejta këto të garantuara për të gjithë qytetarët e Shqipërisë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, si edhe nga konventat dhe rezolutat ndërkombëtare të njohura dhe ratifikuara nga Shteti shqiptar”, - deklaron Kisha në letrën e dërguar me destinacion Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës.

Më tej në letër, vijohet se mund të preket toleranca dhe bashkëjetesa paqësore e shqiptarëve, si pasojë e këtij neni, duke sjellë efektin e kundërt nga ai që pritet nga ministria. Për këto arsye, në përgjigjen drejtuar Ministrisë së Arsimit, Kisha sugjeroi heqjen e paragrafit 4 të nenit 36 për ndalimin e ekspozimit të simboleve fetare.

“E drejta e besimit dhe e bindjeve fetare e për rrjedhojë e mbajtjes së simboleve fetare nga ana e nxënësve është në harmoni të plotë me këto të drejta dhe për më tepër ato kurrsesi nuk mund të përbëjnë pengesë ose kërcënim për nxënësit dhe shkollat tona, pasi shoqëria shqiptare edhe pse multifetare është e njohur për harmoninë dhe bashkëjetesën paqësore ndërfetare. Për më tepër, në Shqipëri ne nuk kemi konflikte rreth simboleve fetare, kështu që mendojmë se ndalimi me ligj i tyre mund të japë efektin e kundërt, duke cenuar tolerancën dhe bashkëjetesën paqësore”, - deklaroi Kisha.


Rrok Mirdita: Nuk duhet aprovuar

“Shpresoj që projektligji për arsimin parauniversitar që ndalon mbajtjen e simboleve fetare nëpër shkolla të mos aprovohet. Pikë së pari, ne duhet të përcaktojmë qartë çka është simboli fetar, domethënë, derisa nuk e kemi përcaktuar këtë, atëherë ky simbol mund të shtrihet dhe nëse dikush një kryq të vogël e mban në gjoks, mund ta marrësh këtë për simbol, por në fakt ai është dekor", - deklaroi pak kohë më parë Arqipeshkvi Metropolitan i Tiranës dhe Durrësit, Imzot Rrok Mirdita, duke u shprehur në këtë mënyrë kundër projektligjit të ri të arsimit parauniversitar, që është hartuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

http://www.standard.al/http://www.standard.al/index.php/sociale/15893.html



Citim:
Tafaj: Projektligji nuk do të bjerë ndesh me Kushtetutën

Ministri Tafaj pret në zyrë kreun e Komunitetit Mysliman dhe i premton se do të pritet fundi i diskutimit publik. “Ligji nuk mund dhe nuk do të bjerë ndesh me Kushtetutën e vendit dhe me ligjin e mosdiskriminimit”

Kundërshtimi i ndalimit të shamive dhe kryqeve i është prezantuar dje ministrit të Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, nga kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça. Ndërkaq, ministri Tafaj u shpreh se nuk do të ndërmerret asnjë veprim pa përfundimin e plotë të konsultimeve me të gjitha grupet e interesit, përfshi këtu komunitetet fetare.


“Mos e miratoni”

“Tema kryesore e këtij takimi ka qenë projektligji i shumëpërfolur i arsimit parauniversitar në Republikën e Shqipërisë. H. Selim Muça i ka përcjellë ministrit Tafaj shqetësimin e besimtarëve myslimanë në mbarë vendin në lidhje me këtë projektligj, ku veçanërisht pika 4 e nenit 36 ka ngjallur debate të shumta lidhur me kuptimin dhe interpretimin e saj. Kjo pikë është interpretuar dhe po vazhdon të interpretohet si masë ndaluese veçanërisht për mbajtjen e shamisë-mbulesë e kokës (flokëve) të vajzave myslimane gjatë frekuentimit të institucioneve arsimore publike dhe private në Republikën e Shqipërisë”, - bëri të ditur Komuniteti Mysliman Shqiptar.

Sipas KMSH-së, Muça e ka sqaruar ministrin Tafaj se mbulesa e flokëve nuk është një simbol fetar, por është praktikë fetare dhe është një urdhëresë kuranore obligative për të gjitha vajzat që kanë mbushur moshën e pjekurisë. Ajo nënkupton mbulimin e flokëve dhe jo të fytyrës, që është e njëjta shami, e cila, nga pikëpamja pamore e saj, ka gjetur dhe gjen mbrojtje e mbështetje të plotë sa i takon mosndalimit të saj në emetimin e dy prej dokumenteve më të rëndësishme në vend e jashtë Shqipërisë, siç janë kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. E theksojmë këtë mosndalesë të shamisë në kuadër të dokumentacionit, për ta bërë edhe më të qartë praktikën fetare të pretenduar: shami që mbulon flokët dhe jo fytyrën, duke gjykuar se mbajtja e saj dhe respektimi i veshjes në tërësinë e saj, nuk cenon në asnjë rast uniformën shkollore e mund të qëndrojë paralelisht me këtë të fundit.


Tafaj: Presim mendimet tuaja

Nga ana e tij, ministri Tafaj e ka garantuar kryetarin e KMSH-së se nuk do të ndërmerret asnjë nismë zyrtare për miratimin e projektligjit në fjalë pa u marrë në konsideratë sugjerimet e grupeve të interesit. Ai u shpreh se: “Projektligji është në diskutim publik dhe nuk është përfundimtar. Ligji nuk mund dhe nuk do të bjerë ndesh me Kushtetutën e vendit dhe me ligjin e mosdiskriminimit. Ky projektligj në variantin e tij final do të jetë gjithashtu në përputhje të plotë me sugjerimet e Bashkimit Evropian. Gatishmëria e MASH është maksimale për të konkluduar çdo gjë me gjuhën e mirëkuptimit”. Sipas ministrit Tafaj, nuk ka paragjykim dhe as pozicionim nga ana e MASH. Ligji në vetvete do të ngrejë nivelin e arsimit. Po projektohet që në programin mësimor të mundësohet futja e lëndës “Kulturë fetare”.

Ministri theksoi gjithashtu se parimi i MASH është që çdo nxënës të gjejë vend në hapësirën e arsimit publik. “Ligji thotë që arsimi parauniversitar është falas. Në thelb të ligjit qëndron fakti që çdo fëmijë dhe çdo nxënës të ndihet komod në shkollat publike, aq më pak për arsye veshjeje apo sjelljeje. Ligji prek 650 mijë nxënës të arsimit parauniversitar në grupmoshat nga 3-18 vjeç, që frekuentojnë arsimin bazë të detyrueshëm. Ju garantoj që drafti do të pësojë mjaft përmirësime në përmbajtje. Ligji do t’i përmbahet në radhë të parë Kushtetutës dhe ligjit kundër diskriminimit dhe institucioneve ndërkombëtare. Të jeni të bindur që do të kemi bashkëpunim deri në fund me ju deri në të gjitha hallkat. Ky ligj në variantin e tij final do të jetë konsensual, i pranuar nga të gjitha palët dhe grupet e interesit”, - tha z. Tafaj.

http://www.standard.al/index.php/sociale/15892.html




231
231 
16 janar 2011, 20:01
Citim:
Po projektohet që në programin mësimor të mundësohet futja e lëndës “Kulturë fetare”.

Do flitet gjë për fenë e ilirëve dhe kultet tona pagane? Apo thjesht do kulturohemi duke mësuar për arabët, izraelitët dhe popuj të tjerë të Lindjes së Mesme, ku do merren bazat e para dhe të nevojshme për çdo fëmijë shqiptar të shek. 21 në praktikat e shitblerjes së skllevërve, vrasjes së qafirëve e infidelëve, pedofilisë, poligamisë, dhunimit të grave etj.?...



skerdilaid
skerdilaid 
16 janar 2011, 21:19
Ministri të mendohet mirë përpara se të fusë fenë në shkolla. Përndryshe që të ruhet balanca dhe toleranca do duhet të fusim antiteizmin nëpër kisha e xhami. Është i gatshëm ministri të hapë kutinë e Pandorës e t'i fryjë përçarjes horizontal, vertikal e diagonal?



kalimtar/e
gurax 
2 shkurt 2011, 16:59
Absurde! Politike edhe ne arsim?

Duan diskutim per kete gje organet tona kopetente? Le te hapin syte e te lexojne atehere!

Eshte nje nga ato raste qe eshte me mire te kesh me pak sesa me shume. Ti shkohet pas qefit te te tereve eshte shume me problematike sesa mos i shkohet pas qefit te asnjerit. Nuk eshte vetem tek veshja por nje teresi ekspozimesh dhe dukurish qe kane te bejne me fene.

Shteti per mua nuk eshte vetem ai qe pergatit ligjet dhe qe merret me te drejtat e individit ne cdo gje, eshte shume me teper dhe ne menyre te theksuar eshte dhe rregullatori i popullates duke vendosur ne menyre te paanshme disa rregulla qe jane per te miren e te gjitheve pa dallime. Shembulli klasik jane dy nxenes qe ne nje debat fillojne e quajne njeri tjetrin "kaur i qelbet, taleban, terrorist, cifut m*ti" dhe vlen te sillet si nje rast i nje problematike e cila ne fakt nuk ekziston, dy veta qe merren me budallalleqe qe ne thelb kane idene "feja ime eshte me e mire se e jotja" dhe me pas vijojne shprehje si taleban, terrorist, kaur i ndyre, infidel si dhe fragmentimi i paevitueshem i shoqerise.Dihet qe mendja njerezore ne menyre te pashmangshme krijon ato qe quhen perkatesi e nje grupi te caktuar. Njeriu eshte qenie sociale dhe ne cdo moment te jetes se tij, ne menyre te pavetedijshme e asocion veten me grupime te caktuar interesash: nese me pelqen alkoli do te rri me njerez qe pine, nese me pelqen te vjedh do te rri me hajdute, nese me pelqen arti do te rri me njerez qe ju pelqen arti. Eshte fakt qe feja eshte nje element shume i forte dhe eficent per te krijuar ato qe quhen "elemente te lidhjeve sociale" (social bonding elements). Nese une jam nje i krishtere, rri dhe e identifikoj shume lehte veten, interesat, botekuptimin, me njerez qe i perkasin te njejtes fe. Shenjat dalluese per te cilat po flitet ne kete teme, i bejne keta individe lehtesisht te identifikueshem.Rezultati final eshte krijimi i ketyre grupimeve, ne baze te nje ideologjie personale, por qe tashme shfaqet ne publik dhe qe historia ka treguar perhere qe heret a vone do te cojne ne konflikt.

Shteti, per mua, nuk ka si detyre ti beje qefin te gjitheve. Ky eshte nje thjeshtim i rolit te shtetit. Shteti ka si detyre te siguroje mbarevajtjen e shoqerise, te garantoje shanse te barabarta per te gjithe duke mos prishur te miren dhe ekuilibrin e perbashket. Vendimet dhe ligjet e shtetit ne kete rast shihen nen kendveshtrimin qe jane me te mirat per te garantuar harmonine kolektive per te tere. Kjo gje mund te arrihet ne disa menyra sigurisht, por secila prej tyre ka kosto. Perseri duke ju kthyer shembullit, mund te shpenzohet kohe dhe energji duke u marre me dy nxenesit dhe duke ju thene qe te dy kane te drejten e vet per te besuar cfare te duan, nuk kane te drejte te ofendojne njeri tjetrin, eshte e gabuar te shash dike sepse vishet ne nje menyre qe eshte kontradiktore jo me gustot dhe preferencat, por me ideologjine fetare perkatese, etj etj. Por kjo gje mund te arrihet dhe duke ju thene te dyve qe feja eshte personale dhe te dy jane gabim ne cdo cast qe promovojne fene e tyre per te ulur poshte ate te dikujt tjeter, promovimi eshte vetem personal por irrelevant ne publik.
Ne te dy rastet shteti i trajton te dy njesoj dhe nuk mban anen e asnjerit, por zgjidhja e dyte eshte shume me e qarte, shume me e vendosur, shume me bindese, dhe aplikohet e njejte jo per nje rast por per miliona raste te ndryshme. Nderkohe qe e para kerkon shqyrtimin e te nje milion rasteve per te identifikuar cfare i tha nxenesi 1 nxenesit 2 dhe pse e ka gabim, dhe anasjelltas.

Shteti te drejtat dhe drejtesine ndaj shtetasve e bazon ne prakticitetin dhe harmonine e perditshme, jo ne drejtesine ideologjike fetare. Ajo eshte e vlefshme deri sa nuk behet pengese. Nese ideologjia fetare fillon behet pengese per prakticitetin, kjo gje nuk perkon dhe eshte ne kundershtim me politikat e ndjekura nga shteti.
Pikerisht kjo eshte domethenia e shprehjes "shtet laik".



kalimtar/e
kalimtar/e 
20 shtator 2011, 00:43
gjeja me e demshme dhe me e turpeshme per nje nje sistem shkollor eshte qe ai te jete i mpleksur me programe dhe ngjyra fetare.nuk ka nevoje per diskutim......



Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019