k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

SHBA: N-ARN, bioteknologjia kundër kancerit


Që nga muaji prill, 19 pacientë me kancer të mëlçisë kanë provuar një ilaç të ri eksperimental kundër kancerit. Brenda pak javëve nga doza e parë, duket se ilaçi ka parandaluar prodhimin e proteinave të nevojshme për mbijetesën e tumoreve në organizmin e pacientëve.

Në vijim, kompania amerikane "Alnylam" njoftoi në qershor se ilaçi i saj ALN-VSP kishte ndërprerë qarkullimin e gjakut në 62% të tumoreve në mëlçitë kanceroze nëpërmjet aktivizimit të një mekanizmi të rrallë mbrojtës të trupit të njeriut, që pezullon gjenet kanceroze.

Aty ku më parë ilaçet konvencionale sulmonin proteinat pasi këto ishin prodhuar nga qelizat kanceroze, ALN-VSP përdor tashmë proces me Ndërhyrje ARN (N-ARN) për të parandaluar prodhimin e këtyre proteinave.

"Përfytyroni siku kuzhina juaj të mbytet në ujë," thotë biokimisti Xhon Maraganor i kompanisë "Alnylam". "Mjekimet e sotme fshijnë dyshemenë, por teknologjia N-ARN mbyll rubinetin."

ARN krijon kopje njëvargëshe të gjeneve të ADN, të quajtura ARN lajmëtare (ARN-L). ARN-L janë ato që udhëzojnë qelizën për krijimin e proteinave. Në vitin 1998 biologët e identifikuan N-ARN si mekanizëm që përdoret nga organizmat primitivë për të zbuluar dhe për të shkatërruar ARN dyvargëshe dhe lajmëtare të virusit.

Sistemi imunitar i gjitarëve me kalimin e kohës e ka lënë pas dore funksionin antiviral të N-ARN (ndonëse kurrizorët, përfshirë njeriun, ende përdorin N-ARN për të rregulluar veprimtarinë e ARN-L), por biologët vunë re se futja e segmenteve të shkurtra ARN dyvargëshe në qeliza mund të riaktivizojë mekanizmin e vjetër dhe të ndalojë kështu me përzgjedhje prodhimin e proteinave të caktuara.

Kjo veçori e bën N-ARN një shërues për sëmundje nga më të ndryshmet, mes të cilave dhe të kancerit, që shfaqen kur qeliza jonormale mbiprodhojnë proteina për përhapje në organizëm.

Teorikisht, modifikimi i N-ARN për ta kthyer në një parandalues proteinash është proces i thjeshtë. Ilaçi ALN-VSP p.sh. është i përbërë nga ARN dyvargëshe sintetike të projektuar që t'i përshtatet ARN-L të tumorit që kryen kodimin për dy proteina:
1) VEGF, të cilën e mbiprodhon kanceri për ta ndihmuar këtë të fundit të zhvillojë enë të reja gjaku; dhe
2) KSP, e cila nis procesin e ndarjes së përshpejtuar të qelizave.

Biologët e dërgojnë ARN sintetike në qelizat e mëlçisë dhe sistemi N-ARN i trupit shkatërron si ARN sintetike ashtu dhe ARN-L përkatëse të krijuara nga tumori. Me shkatërrimin e kodimit të ARN-L për proteinat që prodhohen vetëm nga qelizat kanceroze pushon dhe zhvillimi i tumorit.

"Mund të çaktivizojmë cilindo nga 20 000 gjenet e N-ARN," thotë Brus Salenxher, biolog në Universitetin Djuk, SHBA. "Sfida deri më tash ka qenë dërgimi i ilaçit në qelizat e kërkuara dhe mosdëmtimi i qelizave të tjera."

Biologët kishin shqetësimin nëse ilaçi do të ndërpriste njëkohësh dhe prodhimin e proteinave nga qelizat e shëndetshme, ose nëse sistemi imunitar do të shkatërronte ilaçin përpara se ky të mbërrinte në pikësynim. Por "Alnylam" ia arriti të tejkalojë të dy këto probleme duke e paketuar ilaçin në një veshje yndyrore që thithet kryesisht nga mëlçia. Kjo iu mundësoi doktorëve ta dërgojnë ilaçin në mëlçi nëpërmjet gjakut dhe jo me injeksion, duke përmirësuar kështu shpërndarjen e tij në mënyrë që e gjithë mëlçia të marrë dozën në mënyrë të njëtrajtshme.

Vetia e kësaj teknike për të sulmuar gjene specifike mund të bëjë që të zhvillohen në të ardhmen e afërt ilaçe që mund të shërojnë 75% të gjeneve kanceroze të deritashme, të cilat janë ende të patrajtueshme, ashtu si dhe sëmundje të tjera.

"Alnylam" ka filluar tashmë testimet për terapi me N-ARN edhe për sëmundje të tjera, ndërsa aplikimi është zgjeruar dhe nga grupe të tjera mjekësore për një gamë sëmundjesh nga distrofia muskulore deri tek HIV. Thuajse çdo kompani e madhe farmaceutike ka nisur tashmë një program të vetin N-ARN.

Meqenëse qasja është tepër e thjeshtë, terapia N-ARN mund të jetë e gatshme brenda këtyre dy viteve, siç pohon dhe gjenetisti Xhon Rosi, i Qendrës Mjekësore "Hope" në Kaliforni, SHBA.

"Alnylam" planifikon rekrutimin e 36 pacientëve të tjerë në stadin e dytë të ALN-VSP me doza më të larta, por vetë rezultatet e para janë tashmë premtuese se ky ilaç do të jetë nga terapitë e para N-ARN që do të ofrohet në treg.

Burimi24 gusht 2010


Komente

kalimtar/e
kalimtar/e 
21 prill 2011, 17:19
shume interesante




kalimtar/e
kalimtar/e 
14 tetor 2011, 18:31
dicka mese e dobishme per ditet e siotme



Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019