k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Tiranë: Presidenca u kërkon fetarëve të flasin shqip


Gjatë një dekorimi të krerëve të OJQ-ve fetare të vendit, presidenti i republikës, Bamir Topi, ka kërkuar që organizatat fetare t'i kryejnë lutjet e shërbesat në gjuhën shqipe dhe jo në gjuhë të huaja.

Ai shtoi se Shqipëria lindi si një shtet laik ku bashkësitë fetare u konsideruan barazisht të ligjshme, por ka theksuar se “laicizmi nuk është një proces i dhënë, bazat e tij edhe mund të tronditen herë pas here, nëse nuk jemi rojtarë konstantë të tij”.

“Shteti shqiptar do t’i qëndrojë kësaj tradite të shkëlqyer," ka vazhduar më tej presidenti, duke shtuar "sepse shteti laik është garanti kryesor i lirisë së besimit dhe i bashkëjetesës paqësore në një shoqëri demokratike”.

Topi ka shkuar edhe më tej, kur ka deklaruar se feja nuk duhet të shërbejë si motiv për të shkatërruar traditën kombëtare shqiptare.

“Shprehja e jashtme e besimit fetar duhet të përputhet me traditën tonë kombëtare në veshje, në lutje, në predikime, në falje, në agjërime - pse feja nuk duhet ta modifikojë pasurinë e traditës, nuk duhet të zbehë bukurinë e vlerave tona historike, përkundrazi duhet t’i nxjerrë më në pah ato”.

Ndërsa për sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe në ritet e fetare të këtyre OJQ-ve, presidenti tha se “një nga simbolet më sipërore të besimit, të qendresës, të shkrimit dhe të dëshmisë, at Zef Pllumi, na la porosinë që besimi, sa të jetë e mundur, të transmetohet në gjuhën amtare, se kështu fjala e zotit prek më lehtë mendjet dhe zemrat e njerëzve”.

Duket se kërkesa i drejtohej organizatës ortodokse dhe asaj myslimane, ku tek e para mesha e kreut Janullatos jepet greqisht, ndërsa tek e dyta thirrjet, lutjet, përshëndetjet etj. kryhen në arabisht.

Presidenti ka vërejtur dhe prirjet e ndryshme ekstremiste që shfaqen herë pas here në gjirin e feve.

“Bashkësitë fetare në vend, ashtu siç kanë bërë deri tani, jam i sigurt që edhe në të ardhmen, nën frymën e traditës dhe të kujdesit për një shoqëri të lirë e demokratike, do t’i izolojnë zërat ekstremistë dhe fondamentalistë në gjirin e tyre, sepse siç e dimë shfaqja e tyre pikësëpari nuk tolerohet nga vetë besimtarët. Në një shoqëri të hapur dhe demokratike, transparenca është marrëdhënie e domosdoshme ndërmjet bashkësive dhe shtetit, në të gjitha aspektet, përfshi edhe aspektin financiar apo të ndihmës së huaj për to, apo detyrime të këtij lloji, që shteti ka ndaj tyre”, vazhdoi më tej presidenti Topi.

Në fund dekorimi për krerët e OJQ-ve fetare u krye me motivacionin "për kontributin e vyer në ringjalljen e besimit shpirtëror dhe shpresën për një të ardhme më të mirë, për ringritjen e institucioneve të kultit, për forcimin dhe pasurimin e harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare të popullit shqiptar" dhe mban titullin "Gjergj Kastriot Skënderbeu".

Mes të tjerash, në fjalën e tij,presidenti Topi u shpreh dhe se përdorimi i fesë për qëllime politike është i papranueshëm.

“Përdorimi i fesë për qëllime politike është i papranueshëm, futja e argumentit fetar si prapavijë politike është rrezik për harmoninë dhe laicitetin e shtetit. Kur kjo tendencë shfaqet, duhet të reagojmë me forcë e të bashkuar për ta izoluar fenomenin që në nisje”, u shpreh kreu i shtetit shqiptar.

5 prill 2010


Komente

postieri
postieri 
6 prill 2010, 23:13
Citim:
Publikohet studimi për dialogun mes besimeve

Shqipëria është një ndër vendet që ka treguar shembullin më të mirë të bashkëjetesës fetare. Një grup profesorësh kanë sjellë brenda librit “Rrugë drejt dialogut ndërfetar në Shqipëri”, studime dhe refleksione.

“Ne një farë mënyrë në hapësirën publike kemi mosdialogun fetar, qe nga njera ane ështe nje lloj heshtje, por kjo heshtje ne hapesiren publike e ka kthyer fene e shqiptarit nje ceshtje personale, duke vendosur një prej standardeve më të larta”, u shpreh Artan Fuga, anëtar i Akademisë së Shkencave.

Profesor Mark Marku është ndalur në ligjin shqiptar për të qenë një vend laik, një kusht që sipas tij ka ndikuar në ruajtjen e harmonisë fetare në vend.

http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=179844




krikëlli
krikëlli 
7 prill 2010, 16:17
Ideja është që shteti duhet t'i tredhë fetë duke i nxjerrë jashtë jetës publike dhe, duke zbatuar atë që quhet vdekje e kontrolluar, le ta shesë si "tolerancë e harmoni fetare" gjithë ditën. Nëse punët kryhen në këtë vijë, veprimi është për t'u përshëndetur. Por ne ende kemi një njollë të zezë të trashëguar nga viti 1992, anëtarësinë në OKI, e cila përbën shkelje me dy këmbë të laicitetit të shtetit dhe nga kjo anë deklaratat qeveritare janë ende në rangun e hipokrizisë.



postieri
postieri 
7 prill 2010, 17:00
Citim:
Xhufi: Presidenti dha sinjale alarmi! Vigjilent ndaj klerikëve

Dekorimi i krerëve të komuniteteve fetare nga Presidenti i Republikës ka riaktualizuar problemin e mprehtë të raportit të tyre me shqetësimet shoqërore në Shqipëri. Mesazhi i Bamir Topit në këtë drejtim është vlerësuar nga historiani Pëllumb Xhufi, si një qëndrim që merr parasysh disa shqetësime që për të nuk mund të anashkalohen më


Dje, Presidenti i Republikës ka dekoruar katër përfaqësuesit më të lartë të komuniteteve fetare në vend me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Si e gjykoni këtë akt të kreut të shtetit?

Dua të jem fare i sinqertë: veprimtaria e të katër drejtuesve të nderuar të komuniteteve tona fetare dhe e institucioneve që ata drejtojnë, nuk është krejt e kristaltë dhe e pakritikueshme, sa të meritonte një dekoratë sublime, siç është “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Megjithatë e konsideroj pozitivisht gjestin e Presidentit, i cili deshi të vlerësojë punën e krerëve fetarë në kushte të jashtëzakonshme dhe në një periudhë veçanërisht të vështirë për besimin dhe institucionet e besimit.

Mbi të gjitha, vlerësoj së shumti faktin që Presidenti zgjodhi këtë moment solemn për të dhënë disa mesazhe tepër të rëndësishme, ndaj të cilëve duhet të reflektojë e gjithë shoqëria shqiptare e në radhë të parë, politika dhe vetë krerët e komuniteteve fetare.


Si do ta vlerësonit ju mesazhin e fjalës së Presidentit, i cili, në mënyrë të nënkuptuar, ka prekur disa shqetësime që kanë të bëjnë me fenë gjatë këtyre viteve?

Presidenti, me shumë të drejtë, nënvizoi një koncept mbi fenë, që është koncepti modern, i përpunuar në Europë që në kohën e Paqes së Westfalisë, sipas të cilit feja dhe institucionet e saj veprojnë dhe realizohen brenda kuadrit të një shteti, të bazuar në laicizmin dhe që kujdeset njëlloj për të gjithë qytetarët e vet, qofshin të këtij besimi, qofshin të atij besimi apo qofshin të asnjë besimi.

Nga këndvështrimi laik i shtetit, harmonia fetare në një vend me besime të ndryshme është një çështje e unitetit kombëtar, e kohezionit social e moral të popullit dhe, akoma më shumë, është një çështje e sigurisë kombëtare.

Ndaj e gjej me shumë vend përkujtesën e Presidentit Topi lidhur me rreziqet që mbart çdo shfaqje e ekstremizmit dhe e fundamentalizmit fetar, çdo prirje për t’u larguar nga vlerat dhe traditat qytetare, morale dhe estetike, që kanë karakterizuar besimet fetare në Shqipëri. Mbi të gjitha, e gjej në kohë dhe me shumë vend paralajmërimin apo përkujtesën e Presidentit për çdo largim apo devijim të mundshëm nga ai parim themelor e jetik, që mban në këmbë sistemin dhe që është laicizmi i shtetit dhe i strukturave të tij.

Për fat të keq është vënë re që individë me pushtet, në qendër apo në provincë, ndonjëherë “flirtojnë” me këtë apo atë përfaqësues fetar dhe shpeshherë bëjnë edhe lëshime të paprincipta ndaj kërkesave të padrejta e të pamotivuara të klerikëve të veçantë, duke minuar kështu bazat e shtetit laik dhe vetë bazat e harmonisë fetare.

“Shkarje” të tilla i bëjnë ndonjëherë edhe qeveritë tona, të cilat, për hir të axhendave të tyre politike, ndonjëherë të pamoralshme, bëhen palë në veprime e qëndrime, që cenojnë interesat e shtetit laik dhe vetë harmoninë fetare mes qytetarëve shqiptarë.

Po kujtoj shembullin më të freskët: nismën e qeverisë shqiptare, për të realizuar regjistrimin e ri të popullsisë e të pasurive, ku veç nyjeve të tjera, ka edhe një nyje që ka të bëjë me deklarimin e besimit fetar. Një shtet rigorozisht laik, siç është e duhet të jetë ky yni, nuk përzihet në punët e besimit, aq më shumë nuk përzihet në çështje kaq sensitive, që e ekspozojnë atë ndaj komuniteteve fetare të caktuara.

Si mund të jetë aq e papërgjegjshme një qeveri e një vendi laik, saqë të marrë përsipër përgjegjësinë e “caktimit” apo të “certifikimit” të kuotave e përqindjeve të komuniteteve fetare? Përse nuk ia beson qeveria këtë detyrë vetë komuniteteve fetare apo organizatave joqeveritare, siç ndodh në SHBA e në të tjera vende, që kanë probleme të ngjashme?


Sa mendoni ju ndikon ky dekorim në zgjidhjen ose në anashkalimin e disa problemeve që shqetësojnë komunitetet fetare në vend, lidhur edhe me përdorimin e gjuhës shqipe?

Mendoj se problemi i gjuhës në shërbesat fetare, apo edhe ai i përkatësisë etnike të klerit, është zgjidhur nga vetë dialektika historike e marrëdhënieve të shtetit me fenë. Që nga kohët e Reformës (shek. XVI) u afirmua parimi, sipas të cilit gjuha dhe kombësia e klerit duhet të jetë ajo e popullit besimtar.

Në Shqipëri, një parim i tillë u realizua me gjak e sakrifica të papërshkrueshme, në radhë të parë të vetë klerikëve tanë. Për fat të keq, sot shohim që institucionet tona fetare, myslimane e të krishtera, janë të mbushura me klerikë apo me “këshilltarë” të huaj, të cilët kanë ndërmarrë një vepër të madhe revizionimi, që i largon këto institucione nga tradita e tyre më e mirë.

Jam i bindur, që jo vetëm ne që nuk besojmë, por edhe shumë besimtarë i irriton leximi i teksteve të shenjta në greqishten bizantine apo arabisht. Shumë të tjerë i largohen vendeve të kultit nga prania e pajustifikuar e klerikëve të huaj (pa dashur të heqim gjë nga devocioni dhe integriteti i shumë prej tyre).

Sigurisht, as ne nuk duhet të jemi “integralist”. Ne mund ta kuptojmë e ta tolerojmë përdorimin e gjuhës greke në shërbesat fetare në zonën e minoritetit grek, mund ta kuptojmë edhe praninë e përkohshme të një mitropoliti grek në Gjirokastër, por nuk mund ta kuptojmë praninë e përhershme të prelatëve grekë në krye të pothuaj të gjitha eparhive ortodokse, nga Tirana, Berati e Gjirokastra dhe kapjen e Sinodit të Shenjtë nga klerikë të një vendi tjetër.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prelatët e shumtë joshqiptarë, që kanë kapur kreun e Konferencës Episkopale të Shqipërisë dhe të urdhrave katolikë, ashtu siç mund të thuhet për tentativat për ta orientuar islamin shqiptar drejt modeleve arabe vahabiste.

Presidenti e pa me vend të nënvizojë si të papranueshme përdorimin e fesë për qëllime politike. Duke marrë shkas nga ky paralajmërim i tij, neve na lejohet të shkojmë më thellë e të konsiderojmë si të pakuptueshme dhe të papranueshme, sa përdorimin e fesë nga politika, aq edhe përfshirjen e klerikëve në lojëra politike dhe interferimin e tyre deri edhe në marrëdhëniet e shtetit shqiptar me shtetet e tjera, gjë që edhe ka ndodhur.

Jam i bindur që pas fjalës së Presidentit në ceremoninë e dekorimit të krerëve të komuniteteve fetare, ndonjëri prej tyre do të ketë thënë: Po ky, ç’do që përzihet në punët e fesë! Por, në gjykimin tim, Presidenti bëri shumë mirë që dha disa sinjale alarmi: sepse ai është zyrtari më i lartë i shtetit, shprehësi kushtetues i unitetit të popullit dhe garantuesi i sigurisë kombëtare.

http://216.75.13.41/index/sociale/9c479f227663dcf2f577912e39f0e457.html




kalimtar/e
Dragush Avdyli 
15 prill 2010, 16:15
Une kame vite qe nuk jetoje me ne Shqiperi (qe preje vitit 1991). Vendi i jone gjate ketyre dy dekadave ka kaluar dhe do te kaloje akoma per nje kohe relativisht te gjate ne veshtiresi te ndryshme si ekonomike dhe kulturore. Ne aspektin kulturore ku midis te tjerash feja ka rolin e saje, vereje perpjekje te ndryshme ne lidhje me fenomenin e besimit.

Ne pergjithesi Presidenti per aqe sa une lexova ne artikullin " Presidenti i kerkon fetareve te flasin shqip" ne menyre te qarte ka theksuar rolin e shtetit Shqipetare si dhe detyrimet e nenshtetasve per te qene te vemendshem nga "emocionet fetare" (nenvizimi emocionet eshte i imi).

Dekorimi i perfaqesuesve te feve te ndryshme nga ana e Presidentit simbas mendimit tim eshte nje veprim i menduar me zgjuaresi, mbasi Presidenti ka theksuar qarte rolin e shtetit dhe nuk i ka lene hapesire fese qe te filtroje ( per ata qe mundohen ta bejne kete ) ne kanale te cilat nuk i takojne fese. Feja pamvaresisht e ciles besimi eshte ka te beje me rolin spiritual, pra shpirtetrore te njeriut. Ajo pretendon se eshte e vetmja qe tregone rrugen e drejte ne te ardhmen e njeriut etj.!!??

Shqipetaret qe jetojne ne Shqiperi jane te ndeshur me sfida te shumta ne jeten e perditeshme per te mbijetuar dhe keto veshtiresi ekonomike nuk i lejojne qe te zhvillohen ne menyre krejte normale. Pikerisht kete situate shfrytezojne shumica e feve te ndryshme ne vendin tone. Ata perpiqen me ndihma ekonomike te rrenjosin positat e tyre dhe ti vene berrylat njeres ose tjetres besimi fetar, ne menyre qe te jene dominues.

Keto qe une i shkruaje nuk jane thenie teorike ose te prirura nga ndjenja kunder fese. Feja eshte nje ndjenje personale e njeriut i cili mendone se kjo bote ekzistone ne saje te vullnetit te Zotit, mendim i cili e theksoje eshte thjeshte personal dhe seicili ka te drejte ta shprehe dhe ta kultivoje ashtu sic e mendone.

Porese ne rastin e institucioneve fetare kemi te bejme me nje abuzim te ketyre ndjenjave. Seicila pjese e besimit fetar (institucionet fetare) pretendojne se ata kane zbuluar te verteten dhe se kjo dhe vetem kjo eshte e verteta. Historia e civilizuar njerezore pershembull ajo e Assyreve te lashte qe datohet 4 mije vjete para asaje te Krishterimit, ajo e Egjyptit te lashte qe datohet rreth 3 mije vjete para Krishterimit e pasuar nga Helenizmi Grek dhe ajo romake kane patur besime te ndryshme fetare te cilat nuk kane qene gje tjeter vecese besime te cilat i kane shfrytezuar ato vende te lashta per te qeverisur dhe sunduar.

Te gjithe keta besime kane qene pasqyrim i kohes se atehereshme dhe ne kohet e reja jane zevendesuar me besime te reja si ajo e Izraelit (Judismit), Krishterimi, Islamike etj.Edhe keto besime jane mbeshtetur dhe mbeshteten ne institucione te fuqishme te cilat kane si synim te menjanojne shtetin dhe te jene vetem ato ne plane te pare.

Deri tani per fate te mire ne vendin tone nuk eshte nje rast i tille, porese mos harroni se ne kufijte tone dhe ne Europe keto institucione nuk lene gure pa luajtur per te qene ne tryzen e pushtetit.Ndonjeri mund ta marre me lehtesi e te thote se ne vendin tone nuk qeverise dhe sundone besimi fetar, eshte e vertete, porese eshte po aq e vertete se behet ceshte e mundur per te filtruar ne institucionet shteterore si kopeshtet e femijeve, shkollat, spitalet etj me fjalet e bukura se vijne te gjitha nga Zoti.

Te gjitha ndihmat ekonomike apo materiale te institucioneve te ndryshme fetare jane vetem produkt i njerezimit, i njerezve te zakonshem, porese ata qe i japin e kushtezojne me njohjen e nje besimi te caktuar, pra ne raste se i japin te krishteret, o burra te vrapojme ne kisha, ne rast se vijne nga institucionet islamike, o burra te vrapojme ne xhamija.

Besimi fetar eshte nje deshire e njerezimit dhe fantazi e tija per nje bote pa telashe dhe te keqia e cila perdoret nga institucionet fetare per qellime abuzimi. Kemi te bejme me shperdorim te energjive njerezore dhe ceshte me e keqja me shkatterime te virtyteve te njeriut.

Dikush mund te thote se ne besimet fetare ka dhe gjera qe jane te mira, ne rast se ka ato nuk jane hyjnore dhe te predikuar nga apostuj hyjnore etj. Jane thjeshte krijime te njerezve. Mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqipetarit eshte dituria. Kerkoni kete rruge dhe do te ndjeheni te lumtur.

Do te deshiroja qe intelektualet te japin nje kontribut te vazhdueshem per te vertetat ne fusha te ndryshme te kultures,pa ju kundervene besimit fetar, porese me fakte historike ne menyre qe mos te verbohemi dhe te na mbajne per te lajthitur.

Mos te harrojme se besimi fetar ka egzistuar dhe do te egzistoje, mbasi eshte pjelle e njerezimit, porese mos te lejojme qe te dominoje jeten tone. Mesazhi i zotit President eshte i qarte, ne jemi ata qe ndertojme dhe ruajme jeten tone dhe askerkush tjeter dhe ne jemi ata qe do ta shkaterrojme ne rast se nuk dime si ta ruajme.



Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019