k   y
TERMINOLOGJI      TË REJA      SHKRIME      THËNIE      FORUM      DIJENI

Zelandë e Re: Shitje shpirti në internet


Zelandë e Re -- Piceritë "Hell Pizza" (Pica Ferri) në Zelandë të Re thanë të enjten se kanë rënë dakord për blerjen e shpirtit të Uollter Skotit, një 24 vjeçari neozelandas, të cilit, pas nxjerrjes së shpirtit për shitje në një faqe ankandesh në internet, iu refuzua shkëmbimi tregtar për shkak të ankesave që u bënë në faqe nga përdoruesit e tjerë të saj.

Skoti e kish nxjerrë shpirtin në shitje në faqen TradeMe, ditën e mërkurë, duke thënë se nuk i hynte dhe shumë në punë. "As e shoh, as e prek, as e ndiej dot, por mund ta shes, kështu që kam ndërmend t'ia jap ofruesit me ofertën më të lartë", shkruante Skoti në paraqitjen për shitje.

Ankandi shënoi rreth 32'000 shikime dhe 100 oferta deri në çastin kur u pezullua për shkak "të ankesave të panumërta" sipas menaxherit të kompanisë TradeMe, Majkëll O'Danëllit.

"Ndonëse ne vetë menduam se ishte diçka zbavitëse, shumë njerëzve iu duk fyes ky veprim", thotë O'Danëlli, "ndaj dhe u detyruam ta tërhiqnim ofertën". Ai pohoi gjithashtu se në ankand ishin ngritur dhe oferta të rreme, psh. oferta e fundit shënonte 3'799 USD, por oferta e fundit autentike ishte e shumës së 456 USD.

Rejçëll Elisoni, kreu i marketingut për "Picat Ferri", një rrjet picerish i shpërndarë anembanë Zelandës së Re dhe që shquhet për "prapësi" të tilla, tha se menjëherë pas pezullimit të ankandit në faqen e sipërpërmendur, kompania iu drejtua Skotit dhe i ofroi atij 3'800 dollarë për t'i blerë shpirtin.

"Shpirti, tash, i përket Ferrit e nuk ka vend më të mirë se ku të shkojë", tha Elisoni, "dhe ai ishte më se i kënaqur".

O'Danëlli tha të mërkurën se ankandi i Skotit ishte plotësisht konform rregullave të faqes TradeMe pasi bëhet fjalë për ndryshim pronësie mbi një send fizik.

Në një rast të ngjashëm, në vitin 2001, një student 20 vjeçar amerikan, Adam Bërtëlli, u përpoq të shiste shpirtin e tij në faqen e ankandeve eBay, por ankandi u pezullua pasi kompania vendosi se për të përfunduar shitblerjen duhet të kemi të bëjmë së pari me diçka të prekshme.

Ndërkaq Elisoni pohoi se do të shkojë në qytetin e Vanganuit ku jeton Skoti, për t'i marrë atij shpirtin... apo së paku aktin e pronësisë mbi shpirtin." Akti në fjalë do të varet diku në muret e zyrave qendrore të kompanisë në qytetin e Oklandit, dhe një fotografi e aktit do të botohet dhe në faqen e kompanisë në internet. "Do të donim ta lëshonim shpirtin e tij në botën virtuale, për ta bërë kështu të pavdekshëm", përfundoi ajo.



Burimi4 korrik 2008


Komente

ostrogot
ostrogot 
6 korrik 2008, 16:16
Ja dhe akti pronësisë që pret të plotësohet: lol

Citim:


http://www.brisbanetimes.com.au/news/web/soul-to-the-highest-bidder/2008/07/02/1214950826720.html




kalimtar/e
eci vet 
2 shtator 2008, 00:15
pranoj shpirtra me shumice



Jep koment

Terminologji | Të reja | Shkrime | Thënie | Forum | Dijeni

 Redaksia: kontakt@ateistët.com
 Dega Ateistët / Vargmal © 2001-2019